Rikthimi te libri ështërikthim tek urtia, kujtesa, mençuria dhe punët e mira

Edicioni i 22-të i Panairit të Librit në Ulqin është mbajtur më 17-20 gusht 2023, me pjesëmarrjen e disa prej shtëpive botuese më të njohura në hapësirën shqiptare dhe vendet e rajonit. Ai është organizuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit nga Tirana, Komuna e Ulqinit, Organizata Turistike e Ulqinit dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave. Për drejtoreshën e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi, Panairi i Ulqinit është nga më të rëndësishmit në rajon, pas atij të Tiranës dhe Prishtinës. “Ky është Panairi i tretë për nga radha. Është shumë i rëndësishëm për të kontaktuar të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe që vijnë e pushojnë në Ulqinin tonë të dashur. Të gjithë ata kemi mundësinë t’i takojmë nga afër këtu, t’i përshëndesim, t’u marrim mendimin për librat që do dëshironin të kishin në duar gjatë verës apo edhe gjatë pjesës tjetër të vitit”, ka thënë ajo. Toçi ka uruar që Panairi i Ulqinit të ketë jetë sa më të gjatë. “Në emër të emrave më të shquar që ka nxjerrë ky vend, pikërisht Mali i Zi, në shërbim të kulturës shqiptare, në lëvrimin e gjuhës shqipe, në lëvrimin e letërsisë shqipe, duke u nisur nga i madhi Rexhep Qosja, duke vazhduar me akademikun Mehmet Kraja, apo me poetin Basri Çapriqi, uroj nga zemra vërtet që ky panair të ketë jetën e gjatë, të vazhdojë të jetë i pranishëm në jetën e qytetarëve ulqinakë çdo verë dhe sigurisht të jetë një mbështetje e mirë për të gjithë pushuesit që vijnë në Ulqin për të gjetur këtu kënaqësinë dhe gëzimin, por pse jo edhe leximin e këndshëm”, është shprehur ajo në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka thënë se “kultura dhe Ulqini është një simbiozë shumë e rëndësishme, sidomos për ne që jemi popull pakicë shqiptar në Mal të Zi dhe kjo na mban me një frymë të rëndësishme për zhvillimin tonë, zhvillimin e kulturës sonë, dhe jam më se i bindur që kjo do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme”. Në fjalën e tij në hapje të edicionit të sivjetshëm të Panairit të Librit në Ulqin, drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, ka falënderuar të gjithë bashkorganizatorët e këtij panari si dhe botuesit që kanë marrë pjesë në të, duke premtuar se do të kenë gjithmonë mbështetjen e OTU-së. Duke folur për historikun e Panairit të Librit në Ulqin, ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, ka thënë se 22 vite nuk janë pak, por shumë. Ai ka uruar që ky panair të ketë jetë të gjatë. “Pikërisht për këtë edhe Ministria, edhe Qeveria, janë të pranishëm si bashkorganizatorë për të përkrahur Panairin e Librit, i cili promovon edhe vlerat e pakicës shqiptare këtu në Mal të Zi… Njëkohësisht Panairit të Librit i uroj edhe vite të tjera të gjata këtu në Ulqin”, ka theksuar ai. Shkrimtari Odise Kote, njëherazi prefekt i Qarkut Gjirokastër, ka thënë se rikthimi te libri, në fakt, është rikthim tek urtia, kujtesa, mençuria, punët e dobishme. “Dhe sigurisht që Ulqini e ka në ADN-në e vet librin. Deti, kështjella dhe libri janë një trini e shenjtë, një trini që i japin një identitet të madh këtij qyteti”, ka thënë ai. Sipas tij, ne lindim dhe vdesim te gjuha shqipe. “Uroj që të vazhdojnë pafundësisht panairet e Ulqinit, të kemi shkrimtarë të shquar nga Ulqini, libri të kthehet te çdo banor i Ulqinit, sepse rikthimi te libri, siç e thashë, është rikthim tek urtia, te mençuria dhe te punët e mira që bëjmë të gjithë së bashku në Ballkanin tonë”, është shprehur ai.

Mbrëmje autoriale me shkrimtarët dhe përkthyesit Dimitrov Popoviq dhe Durim Taçi

Në ditën e dytë të Panairit të Librit në Ulqin, në mjediset e hotelit “Albatros” është mbajtur mbrëmje autoriale kushtuar shkrimtarëve dhe përkthyesve Dimitrov Popoviq dhe Durim Taçi. Duke e prezantuar Popoviqin, udhëheqësi i mbrëmjes autoriale gazetari Zenel Katana ka theksuar se për të thonë se është poet shqiptar, po aq edhe poet malazias. “Është poet, pra, i dy popujve fqinjë. Dimitrovi poezinë e shkruan në gjuhën shqipe, ndërkaq miqtë e tij shqiptarë ia përkthejnë në gjuhën tash të tij të nënës. Ai është përndryshe urë lidhëse midis dy kulturave dhe popullit shqiptar dhe popullit malazez”, ka thënë ai. Në bashkëbisedim me Popoviqin është folur për çështje që lidhen me artin e të përkthyerit, për afrimin në mes përkthyesit dhe autorit, vështirësitë e të përkthyerit, punën e tij si redaktor i botimeve në gjuhën shqipe në Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë dhe çështje të tjera. Popoviq ka thënë se të përkthesh është një punë mjaft e vështirë. “Të dy gjuhët – unë e kam gjuhën e nënës gjuhën malazeze, por abetarja ime e parë ka qenë abetarja shqipe… Kështu që kultura dhe formimi im janë shqiptar”, ka pohuar ai. Në pyetjen se nisur nga cilat kritere e bën përzgjedhjen e asaj që përkthen, Popoviq ka thënë se “njeriu përkthen aty ku ndien siguri dhe që ka diçka të bukur”. Vlerësime për krijimtarinë dhe punën e Popoviqt ka dhënë mësuesi dhe poeti Ali Gjeçbritaj, ndërsa udhëheqësi i mbrëmjes Zenel Katana ka lexuar për të pranishmit një poezi nga krijimtaria e autorit. Mbrëmja tjetër autoriale i është kushtuar shkrimtarit dhe përkthyesit shqiptar, Durim Taçi, i cili që prej 23 vitesh jeton në Itali. Duke e prezantuar atë, drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi, ka thënë se mendon se kemi të bëjmë me një shkrimtar i cili nuk ka marrë gjithë vëmendjen e duhur në botën shqiptare të letërsisë për vite me radhë, për arsyen e vetme se është larguar shumë i ri nga Shqipëria, vetëm në moshën 36-vjeçare. “Diku në mesin e karrierës së tij në ngjitje, nuk e di për ç’arsye, vendosi të jetojë në Italinë fqinje. Mirëpo kjo simbiozë, kjo bashkëjetesë e dy kulturave, ashtu si në rastin e z. Popoviq që kultura shqiptaro-malazeze e ka bërë një urë të fuqishme midis gjuhës së shkruar apo letërsisë shqipe dhe asaj malaziase, edhe në rastin e Durim Taçit kjo jetesë deri në moshën 36-vjeçare në Shqipëri dhe më pas në Italinë fqinje, që shquhet për kulturën e saj të madhe, ka bërë që ai të jetë jo vetëm një shkrimtar i rëndësishëm i letërsisë sonë, por të jetë edhe një nga përkthyesit më të mirë të saj nga gjuha italiane. Falë tij kanë ardhur në gjuhën shqipe me dhjetëra romane dhe tekste të tjera të rëndësishme studimore që i shërbejnë gjuhës sonë, lexuesve shqiptarë. Ai ka sjellë në shqip jo vetëm autorë nga gjuha italiane, por edhe ajo angleze”, ka thënë ajo. Vetë Taçi ka thënë se beson se procesi i shkrimit është i lidhur fort me tre elemente: krijimin, përkthimin dhe rishkrimin. Ai e ka krahasuar punën e përkthyesit me atë të akrobatit. “Jemi si ai akrobati që mban në dorë një shtagë për të kaluar në breg matanë. Por në përkthim ti nuk ecën dot në një tel. Duhet të ecësh mbi dy tela dhe kur ecën mbi dy tela është edhe më e vështirë. Sepse një tel është ai i përçimit të kuptimit në bregun matanë. Teli tjetër i formës. Duhet të ruash patjetër formën. Atëherë vijmë te rishkrimi. Rishkrimi është liri formale, por nga ana tjetër edhe ai është një përçim, një transport dhe rishkrim”, ka theksuar Taçi. Vlerësime për veprimtarinë e autorit dhe përkthyesit Durim Taçi kanë dhënë edhe botuesi Frano Kulli i Shtëpisë Botuese “Gjergj Fishta” – Lezhë dhe përkthyesi Ben Andoni. Edicioni i parë i Panairit të Librit në Ulqin është mbajtur në vitin 2001. Që prej atëherë është mbajtur rregullisht, duke përjashtuar vitin 2020 kur nuk është mbajtur për shkak të pandemisë së Covid-19.

i.k.


Fituesit e çmimeve letrare

Organizatorët e Panairit të Librit në Ulqin kanë ndarë, sipas traditës, çmimet letrare vlerësuese për autorë dhe vepra që morën pjesë nëpërmjet botuesve të tyre në këtë panair. Juria e përbërë nga shkrimtari dhe studiuesi Behar Gjoka, kritiku dhe përkthyesi Ben Andoni dhe gazetari Ismet Kallaba kanë vlerësuar me çmime letrare librin më të mirë për fëmijë, romanin më të mirë, përkthimin më të mirë dhe librin studimor më të mirë.
Çmimi letrar “Dega e ullirit” (për librin më të mirë për fëmijë) i është ndarë autorit Fatmir Gjestila për vëllimin “Zogu i agut të bardhë” me motivacionin “për krijimin e një atmosfere të botës së mrekullueshme të fëmijëve dhe një rrëfimi dinamik”.
Çmimi letrar “Liburnia” (për romanin më të mirë) i është ndarë autorit Odise Kote për romanin “Amerikani” me motivacionin “’Amerikani’ sjell një përvojë të jashtëzakonshme të kohës së monizmit derdhur në strukturë narrative dhe kompozicionale që zbulojnë absurdin e kohës duke qenë njëkohësisht një roman monument për Gjirokastrën”.
Çmimi letrar “Servantes” (për përkthimin më të mirë) i është ndarë përkthyesit Eris Rusi për përkthimin e veprës “Gjeniu” të autorit Teodor Drajzer, me motivacionin “për risjelljen e ‘Gjeniu’-t të autorit Teodor Drajzer në një përvojë të re përkthimi mjeshtëror, si një shans për të zbuluar dinamikën e shqipes si urë komunikimi me letërsinë botërore”.
Me Çmimin letrar “Olcinium” (për studimin më të mirë) është vlerësuar studiuesi Dorian Koçi për veprën në tre vëllime “Pikëtakime historike, kulturore, identitare”, me motivacionin “’Pikëtakime historike, kulturore, identitare’, një shtjellim tërësor në tre vëllime është një punim tejet i veçantë me vlera shkencore kulturologjike në marrëdhëniet identitare të botës shqiptare”.
Përpos katër çmimeve letrare, këtë vit është ndarë edhe një diplomë mirënjohjeje për të përjavshmen letrare kulturore “Ex Libris”, me themelues dhe kryeredaktor Bujar Hudhrin, duke vlerësuar kontributin e këtij organi të shtypit si një dritare dhe pasqyrë për letërsinë, librin dhe kulturën shqiptare.

Të fundit

më të lexuarat