Poezi: Vildana Dibra Zhubi

Vitrina yjeve
E morra nji yll n’dorë
I kuq, i flaktë
Dritë tuj ba
Rrugën tuj ma ndritë
Gacat nga qielli tuj i zbritë.
E morra edhe nji,
Edhe ma i kuq edhe ma i flaktë,
Terrin tuj e ba dritë
Rrugtë tuj shkelqy nur
E zemra tuj mu ba gur!
Dora tuj përvlu
Unë yjet tuj mos i l’shu!
E musha dorën yje
Pa u nalë eca
Tunelin e djega,
Nur, kuq u ba si shega!
Përvlim u ba udha
Ma djegu ballin me rrudha!
Rashë e u rr’xova n’tokë
Por yllin tuj e majtë fort!
U ngrita
U rr’xova
U ngrita prap
Rrugën e morra vrap !
Retë nga shpatullat i hedha
Yjet gjithë rrugës derdha!
E tanë ata yje i k’puta
N’kavanoz i futa
Diku gjurmë tuj lanë
E diku gjurmë tuj fshi
Diku tuj e fshi lotin
E diku tuj e lut Zotin!
Vitrinë e yjeve u bana
Me e hjek pluhnin e mërzisë
Me kujtimet n’sirtar t’rinisë
Ulqin ti ylli im polar.

Akshamsefaja ulqinake
Da grimca t’arit t’plarume
Mbi Temzë t’rrxume
Ndriçim i rrallë
Çilu akshamsefaja ime ulqinake
Çilu për mu n’ t’pastë ra mall
Se mu për ty sa dush, e sa t’jem gjallë!
Mblidhe at zjarr t’shpirtit në lulen tande
E banu lulja ma bukur e Gjeranave!
E kur t’vesin ku janë gjeranalitë e mi
Ata t’Kalasë e t’Anes Malit
Thuji që i ka marrë rruga idares!
Njisoj si ata t’Shqipnisë , t’Kosoves e t’Shkupit!
E me u kthy…. nuk kthehen ma fare !
Çilu akshamsefaja ime çilu e merre gjithë mallin tonë ,
E zbuti ata ndjenja vere,që vijnë si fërtonë
E kur t’vesin a t’kam marrë erë për Bajram. Thuji që ti nuk çel deri n’aksham !
Nga mërzitë që pret jabanxhitë
Me falë Bajramin n’sabah ,n’gur e n’kalldram!
Se Temza u zhytë n’Bunë sonte
Mas me ja pa kush lotin
Rrjedhën e ka ndrru
E tanë jabanxhive në dere I ka shku!
Tak tak tak n’derë
Me shnet Bajrami
Mas u përmalloni
Se njikshtu e ka nefakë insani!
Se malli asht bekim,asht ndjenja ma e bukur
Lum kush e ka, se na nuk jemi gjyna !
E ty kam me t’ba lulen e hyjnive
Kur t’ma mbledh në kuqrrimën tande at flakë
Mërgimtarin n’prendimin e diellit
Si flakë t’kuqe mbi detin e Perendive
kam me e ba !
S’ka kush e fik zjarrin!
As ti,Akshamsefaja ime!
Sa mall kam sonte….
Andrrën nëse ma gjen
Nëse i sheh lotët e mija
Merri nga deti,
janë të mshefuna në goca
Janë shëndrru në perlat mes zanave
Nën shkambin e gurit Gjeranave!
Nëse e gjen zemrën time,
Gjuaje,
Asht e thyme si copat e rubinit
Asht e mshefun aty ku e kam lanë
Në arkën e Ulqinit !
Nji letër nëse e gjen,
Shkyje,
E kam shkru kur kam qenë e re
Aty ke ullini shpisë vjetër
E kam mbulu me dhe!
Gjurmë, nëse kam tret
Ku kam ec dikur
E di mirë që janë zbe,
Veç nga avulli kalldramit të nxet
Nji shenj i kamës ndoshta ka mbet .
Andrrën, andrrën nëse ma gjen,
Ma ruaj fort deri sa të vi
Rrugës Tivarit
Kam me u ngut mas me fjet
Deri sa aty kam me mrri!
Asht andrra ime ma e shtrejtë
Nuk shuhet e nuk ik
Nuk harrohet hiç
Tuj ik kur e kam andrru
M’ka premtu që ka me m’pritë !

Havra bojë ufull
N’xhaketën time ,çile at letër të mshefun ,
T’pshtjellun n’faculetë , me muaj edhe vite ,
Kur t’iki n’vend të huaj ,me kokën e dehun
Mos m’gjyko, mos t’dhimbem,mos vet a u mërzite.
Këpucët e vjetra mos m’i prek ,i lashë n’Gjerana,
N’lëkurë time mos hyn ,përvlon, s’të shkon aspak,
Ama t’lutem shko aty ,ke pusi ku bijnë ato mana ,
M’i mblidh disa gjethe hardhije , m’i ruaj për japrak.
Të lutem mos më vet pse nuk kthehem atje.
T’më gjykosh gojehapun ,kurrë mendja mos t’shkon
Unë nuk kam ik rishtas ,as nuk kam ik dje ,
Mendja s’ta merr ,jabanxhiu vendlindjen sa e don.
Havrën bojë ufull me lule ,pullat deri n’zemër.
Ma ruaj të lutem , se aq shumë e kam dashtë.
Unë Akili nuk jam ,që ka dobësinë në themër,
Jam e brishtë si zogu ,shtegëtar i lëndum pa dashtë.
Gjyzdani im i lëkurës,me fluturat e verdha
Me monedha t’vjetra ,ka mbet ke kroni Kajushit ,
Me fotot i mbushun dhe me ato lotët që derdha
Nën hijen e tandës jeshile , çylek me gjethe fildish t’rrushit .
Librat që lexova dhe fletoren me shënime
Diku i kam mshef në sirtarin ke gështenja
Ti nuk e di ,sa të shenjtë i kam ato kujtime,
T’mi gjuajsh mbi flakë , kurrë mos të shkon mendja.
Kafazin kur e theva ,krahnorin fort e lëndova,
Mendova që ia dola ,dhe ika në liri
Por që zemrën e plasa ,kurrë nuk e mendova
Në rob u shëndrrova , kur u bana jabanxhi !
M’i ruaj të gjitha, o qyteti që ndritë ,
Mos gabo t’mi gjuash ,derën ma len çel
Kush len vendin e vet ,nji dritë ia ka fikë
Idare sa me u ba ,me plagën që kurrë se mshel

Të fundit

më të lexuarat