
Në diskutimet dhe debatet për letërsinë shqipe sot, shpeshherë thuhet se ajo është një, e vetme dhe e pandarë. Ky në fakt është një mendim idealist, por në realitet ballafaqohemi me një situatë krejt tjetër. Në kohën kur e kemi gojën plot me integrime evropiane, ka ndodhur çintegrimi brendashqiptar edhe në letërsi, ashtu si dhe në shumë fusha të tjera. Sot e njohim shumë pak letërsinë shqipe që krijohet përtej mureve që, për çudi, edhe nëse nuk i kemi vendosur vetë, i kemi pranuar. Mendësia mendjengushtë dhe përpjekjet përjashtuese individuale dhe institucionale i kanë kushtuar shumë trungut të letërsisë shqipe. Përpilimi i antologjive me kritere joletrare, politike ose krahinore, gjuhësore etj., duke përjashtuar më shumë se gjysmën e letërsisë shqipe, ndikon po ashtu në thellimin e këtyre mureve ndarëse.
Në ndërtimin e kullës së lartë të letërsisë shqipe kanë kontribuar të gjithë ata autorë e krijues, pa dallim vendi, gjuhe, feje etj. – jo vetëm ata që shkruajnë e krijojnë në gjuhën standarde, por edhe “heretikët” e gjuhës standarde, pa përjashtuar këtu letërsinë ideologjike të realizmit socialist
Prandaj njëri prej qëllimeve të “Kalimerës Poetike” është pikërisht thyerja e këtyre mureve që na i kanë vendosur të tjerët, i kemi pranuar si të mirëqenë ose i kemi vendosur vetë. Edhe kur e përmendim vendin e autorit, kjo tregon për gjithëpërfshirjen, sepse jemi të vetëdijshëm se letërsia shqipe nuk mund të ndahet në bazë të kufijve politikë ekzistues. Në ndërtimin e kullës së lartë të letërsisë shqipe kanë kontribuar të gjithë ata autorë e krijues, pa dallim vendi, gjuhe, feje etj. – jo vetëm ata që shkruajnë e krijojnë në gjuhën standarde, por edhe “heretikët” e gjuhës standarde, pa përjashtuar këtu letërsinë ideologjike të realizmit socialist.
“Kalimera Poetike” shënon këtë vit 30-vjetorin e saj. Rrugëtimi i deritashëm, për të arritur deri këtu, nuk ka qenë i lehtë, por tashmë që ka hyrë në dekadën e katërt tradita e mirë do të jetë një mbështetëse e fuqishme për të ardhmen e saj të sigurt
Duke synuar që të promovojë letërsinë më të mirë shqipe që krijohet në hapësirat shqiptare, në kohën kur mbizotërojnë antivlerat dhe dukja, kur kushdo që boton një libër e quan veten shkrimtar, “Kalimera Poetike” vijon të sjellë në Ulqin ajkën e letërsisë shqipe. Mysafirë të edicionit të sivjetshëm janë tre shkrimtarë – tre zēra të përveçëm të cilët letërsinë e shohin si mision. Shkrimtari Nazmi Rrahmani, njëri ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë realiste klasike; poetja e shkrimtarja e re Nurie Emrullai, e cilësuar si një “zë i veçantë i poezisë së sotme shqipe”, që me krijimtarinë e saj dëshmon se letërsia e mirë mund të shkruhet kudo, edhe në provinca; dhe Primo Shllaku, shkrimtari i dashuruar me gegnishten, i cili ec hapave të letërsisë më të mirë të traditës letrare gege. Në këtë ndërthurje brezash dhe mënyrës së të bërit letërsi qëndron bukuria dhe pasuria e letërsisë shqipe.
“Kalimera Poetike” shënon këtë vit 30-vjetorin e saj. Rrugëtimi i deritashëm, për të arritur deri këtu, nuk ka qenë i lehtë, por tashmë që ka hyrë në dekadën e katërt tradita e mirë do të jetë një mbështetëse e fuqishme për të ardhmen e saj të sigurt.
(Fjala e hapjes në edicionin e 31-të të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”)
