
Deti – është me rëndësinë më të madhe natyrore-gjeografike për Ulqinin dhe rrethinën. Është i pasur me botën e shumëllojshme shtazore. Deti gjithashtu paraqet agjensin kryesor të ofertës turistike. Ajri mbi det është shumë i pastër, i pasuruar me aroma të bimësisë subtropike dhe atyre të kodrinore-malore. Tallazet (valët) duke u shpartalluar nëpër shkëmbinj, krijojnë aerosol të pasur me ozon, oksigjen, jod, natriumklorid.
Gjatë verës temperatura e detit është më e ulët se temperatura e ajrit, andaj është kënaqësi të lahesh në det dhe të merresh me sporte rekreative. Uji i detit ka një mineralizim të madh, krahas me disocimin e mikro dhe makro-organizmave të ndryshëm.
Bakteriologjikisht uji i detit është i rregullt dhe andaj lirisht mundet të shfrytëzohet jashtë (larje në det, aktivitete tjera lidhur me rekreacion, si edhe sporte nëndetëse), si dhe në mënyrë të brendëshme: shpërlarje, inhalim, freskim të trupit dhe madje mund të pihet.
Për këto arsye ndikon pozitivisht edhe në mënyrë mjekuese, si në sistemin lokomotor, ashtu edhe në atë respirator dhe në sistemin e organeve të tretjes, në organet seksuale të meshkujve dhe të femrave.
Një mysafir yni nga Shkodra më tha: ”Unë mundem me orë me qëndrua në një vend duke shikuar hapësirën e detit…”.
Kripa e detit – saliniteti (njelmësia) e ujit të detit është rreth 32gr/l, andaj shkaku i ditëve të shumta me diell, avullimit të shpejtë, ngritjes së butë të Ulqinit dhe mundësisë së formimit të baseneve me ujë të detit, është e zhvilluar industria e përfitimit të kripës detare.
Përbërja: sasi të ndryshme mineralesh dhe mikro dhe makroelemente si: K, Li, Sr, Rb, Ca, Mg, Al, Fe, Si, S, P. Gjithashtu edhe pjesëza të mikro-organizmave nga uji i detit, alga dhe plaktone, me shkatërrimin e të cilëve krijohen aminothartirat (prolini, triptofani, lizani, histidini).
Për këto shkaqe përdorimi në mjekësi është shumë i madh për qëllime balneare si edhe për shërimin e shumë sëmundjeve:
- reumatizmi;
- sëmundjet neurologjike (limboishialgjia etj.);
- gjendjeve kirurgjikale dhe post-traumatizmale.
Llubërtia e shëllirës – (kripa e lëngshme, peloidi i butë). Kjo përmban shumë jod, Mg, Br, dhe gjithashtu është shumë e preferuar në mjekësi.
Ujërat minerale – të dhënat e para shkencore për ujërat termominerale të Ulqinit janë nga Dr. Jovan Kujiçiqi në vitin 1925 dhe 1932. Shkencëtari rus A. Shçerbakov këto burime në Ulqin i krahason me burimet në Ahen (Gjermani).
Analizat e para fillestare janë bërë në Beograd në vitin 1925. Hulumtimet më të rëndësishme dhe më të gjëra janë bërë më 1984-1987 e të gjithë faktorëve natyrorë të Ulqinit.
Përmbajtja kimike e ujit sulfurik në rajonin e plazhit të grave (Shpella e qelbët) sipas Kurlov-it:
M19820H2S44,2
Cl 96 SO4 3 HCO3L t24 Q S18
Na82Mg8 Ca 10
Burimet janë në lokalitetin e Plazhit të Grave, në Liman dhe në Valdanos. Më i njohuri është ky i pari, për arsye se në këto dy lokalitete tjera nuk bëhet shfrytëzimi. Bëhet fjalë për ujin sulfurik mineral të tipit natrium-klorid, me mineralizimin prej 17,0 mg/l, dhe temperaturë të 14,5°C, d.m.th. bie në ujërat e ftohta minerale. Uji mineral në Plazhin e Grave rrjedhë në det dhe e pasuron vendin e cekët, gjë e cila, në kombinimin me diellin dhe rërën është dëshmuar se ka veti të jashtëzakonshme mjekuese të këtij mikrolokaliteti.Këtë e dëshmon vizita sa kalon e më shumë vizituesve të cilët nga viti në vit vijnë në këtë plazh.
- Me një shfrytëzim më të kontrolluar ky ujë mineral sikur një banjë do të mund të shfrytëzohet për sëmundje të gjendrrës tireoide (hipofunksioni), ku nëpër ajrin e detit dhe përmes pirjes së ujit depërton jodi në organizmin e të sëmurit;
- sëmundjes së lëkurës (keratozi, psoriaza, ekcemët);
- dhe më rëndësi të madhe ka mundësia e kombinuar për mjekimin e astmës dhe sëmundjes pulmonare obstruktive kronike.
Rëra–rana e plazheve të Ulqinit është shumë e hollë dhe e përhimët, me fraksione prej 150-250 mikronë, bie 85% të përbërjes së përgjithshme ndërsa mineralet e peshave më të mëdha specifike janë edhe më të vogla. Ka një radioaktivitet të lehtë dhe polimineral. Gati një e treta e rërës është e përbërë nga karbonatet, më shumë kalcit dhe folomit.
Shfrytëzimi i rërës për qëllime terapie quhet psamoterapia. E nxehtë është transmetues i mirë dhe i përshtatshëm i ngrohtësisë, shkaku i hidroskopisë (thithjes së djersës së vet) dhe gjithashtu mundëson djersitjen e vazhdueshme. Shfrytëzohet në formë të aplikimeve lokale dhe të përgjithshme në temperatura prej 45-50°C, në kohëzgjatje prej 30 minutave. Verës nxehet vetvetiu nga dielli dhe terapia kombinohet edhe me helioterapi (terapia me diell). Dimrit mund të nxehet në enën e cekët metalike ose me aparate speciale.
Indikacionet për përdorimin e rërës:
- sëmundjet kronike të sistemit lokomotor;
- sëmundjet reumatike dhe neurologjike;
- sëmundjet kronike gjinekologjike;
- sëmundjet e gjendrrës tireoidike (hipertireoizmi, në kombinim me helioterapi dhe talasoterapi depërtimi i jodit në organizëm);
- gjithashtu dhe sëmundjet e organeve respiratore në kombinim me terapitë tjera.
Peloidi (balta shëruese minerale) – gjindet në likalitetin e Zogajve, Shtojit. Është shumë e yndyrshme dhe me ngjyrë të zezë, me një strukturë koloide të lehtë. Ph 8,4-8,5 me shije të njelmët, me aromë të oksigjensulfurit. Dëndësia është 1,40 g/ml. Sipërfaqja ku gjindet peloidi është prej 9 km2 dhe e mbuluar me rërë e me dhe. Rezervat e tij vlerësohen në rreth 35.0000m3.
Peloidi i Ulqinit është hulumtuar në dy raste, herën e fundit më 1985 nga ekipi i përbashkët nga Sarajeva, Zagrebi dhe Beogradi, kur u realizuan projektet për shfrytëzimin e faktorëve natyrorë të Ulqinit si dhe për ndërtimin e Qendrës për turizëm shëndetësor në Ulqin dhe në Plazhin e Madh. Ky i fundit duhet të jetë vendi ku do të aplikohet peloidoterapia.
Kushtet për formimin dhe regjenerimin e peloidit janë ideale: afërsia e detit, vegjetacioni i përafërt i bujshëm, prezenca e plangtomeve, guacave, kërminjëve. Balta shëruese paraqet një sistem heterogjen i cili përmbahet nga: Na, K, SiO2, AlO3, FeO3, CaO, MgO, CO2, pastaj bitumeni, materialet nga rëra, thartina humusi, 3,30% materieve organike. Gjithashtu gjinden edhe elementet radioaktive (uraniumradiumi).
Shfrytëzimi i peloidëve në qëllime terapeutike quhet peloidoterapi dhe paraqet një metodë me rëndësi të mjeksisë fizikale. Ka një aplikim të gjërë për bajtjen e shëndetit dhe të kondicionit fizik.
Peloidi shfaq ndikim ngrohtësie, andaj ndikon në proceset e inflamacioneve lokale, në proceset regjenerative, trofikë, ndërsa në simptomin e dhimbjes ndikon në mënyrë analgjike dhe spazmolitike.
Indikacionet: artitiset, artroza, periarteriti, spondilozat, diskopatia. Te kontrakturat post-traumatike ndihmon si analgjetik dhe si faktor i formimit të kallusit të ri. Gjithashtu përdorimi mundet të bëhet edhe te sëmundjet gjinekologjike, te sëmundjet e dobësisë së qarkullimit të gjakut te ekstremitetet e poshtme, te sindromi varikozë (joulceroz). Përdorimi edhe në dermatologji, për efekte kozmetike, etj.
Vegjetacioni – i rajonit të Ulqinit në pjesën e tij bregdetare përmban rajonin e vegjetacionit mesdhetar.
Kompleksi më i madh i Pyllit të Pishave (pishnaja) shtrihet nën lokalitetin e kodrës Pinjesh deri në Ranë (Plazhi i Vogël). Në këtë brez është edhe gëri më burimin e ujit të sulfurit me veti shëruese, i quajtur Shpella e Qelbët (sot Plazhi i Grave).
Rrethi i parë deri 300 m lartësi mbidetare i takon pyjeve gjithmonë të gjelbërta me shumë lloje prej pyjeve të vjetra siç është lisi, pyje të ulëta (makija, kruesi?).
Rëndësi të madhe në vegjetacionin bregdetar të Ulqinit ka ullishta e vjetër (disa ullinj mundet të jenë edhe nga 1.000 vjeç). Mendohet se në këtë zonë ka gjithsejt rreth 60.000 trungje (rranzë) ullinj.
Ulliri si vegjetacion konsiderohet si vegjetacion me efekte pozitive për mjekimin dhe profilaksën e astmës dhe SOPK-ut. Ullishta e punuar është një ambient ku nuk ka alergjene (ose ato janë shumë të rrallë) dhe kështu krijon kushte të volitshme siç është përmendur.
Dr. Jovan Kujaçiqi në monografinë e vet si një lloj përfundimi thotë:
”Ulqini me të gjithë karakteristikat e veta dhe faktorët e jashtëzakonshëm të përshtatshëm, me gjirin e vet, plazhet me rërë, me ujin sulfurik mineral, me rrethinë magjike dhe sipas të dhënave gjeografike dhe përmbajtjen gjeologjike të natyrës dhe tokës, është një ndër vendet më të bukura bregdetare mesdhetare dhe vendbanim me rajonin e vetë shumë të përshtatshëm për mjekim dhe pushim banjor. Për këtë arsye është detyra e shtetit dhe e të gjithë faktorëve tjerë për t’u angazhuar që Ulqini të ndërtohet dhe të bëhet një banjë e njohur në tërë botën”. Ky libër u botua më 1932.
Nuk do të komentohet shumë se deri në ditët e sotme nuk është bërë shumë për zhvillimin e turizmit mjekues në Ulqin.
Ky tekst në gazetën “Koha Javore” ka edhe njërin prej qëllimeve kryesore: të ringjallet ideja për turizmin mjekues në Ulqin.
Edhe njëri prej qëllimeve do të jetë mjekimi i sëmundjeve të lartpërmenduara me faktorë natyrorë.
Në fund
Kohëzgjatja e sezonit turistik me qenë gjatë tërë vitit, dmth 12 muaj.
