Ulqin – Në Muzeun Etnografik në Draginë, të shtunën mbrëma (17 qershor 2023) është organizuar mbrëmja letrare me shkrimtarët anglezë Elizabeth Gowing dhe Robert Wilton, dy autorë të talentuar, të njohur për krijimtarinë e tyre letrare.
Elizabeth Gowing njihet për veprat e saj të frymëzuara nga historia e Kosovës, duke përfshirë librat “Travels in Blood and Honey” (Udhëtime në gjak dhe mjaltë) (2011), “The Little Book of Honey” (Libri i vogël i mjaltit) (2012), “Edith and I: On the Trial of an Edwardian traweller in Kosovo” (Edith dhe Unë: në gjurmët e një udhëtari eduardian në Kosovë) (2013) si dhe librin mbi tetë gratë e jashtëzakonshme të rajonit. Gowing gjithashtu kryen edhe detyrën e këshilltares së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Ndërsa Robert Wilton është një ish-diplomat dhe romansier i shquar anglez, i cili njihet për romanet e tij të mrekullueshëm me sfond historik. Ai po ashtu ka përkthyer në gjuhën angleze disa vepra të letërsisë shqipe.
Në bashkëbisedim me udhëheqësin e mbrëmjes, Sami Flamuri, dy shkrimtarët anglezë kanë folur për lidhjet e tyre me Kosovën, krijimtarinë dhe veprimtarinë e tyre dhe çështje të tjera.
Dy shkrimtarët anglezë kanë treguar se njohja e tyre fizike me Kosovën ka filluar në vitin 2006, kur për të parën herë kanë ardhur në këtë vend.
Gowing ka thënë se kishin ardhur për të qëndruar vetëm gjashtë muaj, por “shyqyr që ka zgjatur kaq shumë dhe besoj se do të zgjasë”.
Ajo ka thënë se duke punuar në qeverinë britanike për çështjet e Ballkanit, ky rajon nuk ishte aq i panjohur për Robertin. Ndërsa ajo vetë kishte njohur një familje shqiptare në vitin 1999, kur ata kishin ardhur në Britaninë e Madhe si refugjatë dhe fëmijët e tyre mësonin në shkollën në Londër, ku ajo ishte zëvendës-drejtoreshë.
“Kjo ka qenë faktikisht për mua hyrja në botën e shqiptarëve. Në një kohë të vështirë për shqiptarët. Mirëpo e kam përjetuar mikpritjen në shtëpinë e tyre në Angli dhe mendoj se ky takimi i parë me shqiptarët ka qenë diçka që ndoshta më ka ndihmuar”, ka thënë Gowing.
Ajo ka pranuar se si shumë njerëz që vijnë nga jashtë, ka pasur paragjykime për Kosovën si vend lufte, shtatë vite pas luftës, duke kujtuar se do të shohë shumë shenja të luftës.
“Por çfarë na ka bërë përshtypje është se sa i bukur është vendi dhe sa optimist është populli”, ka theksuar Gowing.
Në pyetjen se si është e mundur që e flasin kaq bukur shqipen, Gowing ka thënë se nuk është e lehtë ta mësosh dhe ende është duke e mësuar.
“Por patjetër atë ndihmën e madhe që e kemi pasur prej shqiptarëve, atë durim që e kemi pasur prej shqiptarëve kur kemi provuar dhe kemi marrë aq shumë inkurajim për çdo përpjekje të vogël që kemi bërë, na ka motivuar shumë për të vazhduar”, ka thënë ajo, duke treguar se një gjë të tillë nuk e ka hasur në Paris, për shembull, kur ka folur gjuhën frënge.
Elizabeth Gowing-un shpeshherë e krahasojnë me anglezen e njohur Mary Edith Durham. Libri i saj “Edith and I: On the Trial of an Edwardian traweller in Kosovo” (Edith dhe Unë: në gjurmët e një udhëtari eduardian në Kosovë) frymëzohet pikërisht nga vepra e Edith Durham.
Duke folur për njohjen e saj me veprën e Durhamit, Gowing ka thënë se i vjen turp që nuk ka dëgjuar për të derisa ka ardhur në Ballkan.
“Dhe kjo është e vërtetë për shumë anglezë. Ajo është shumë më shumë e njohur, sidomos në Kosovë dhe në Shqipëri, sesa në vendlindjen e saj në Angli”, ka thënë ajo.
Gowing ka thënë se derisa ka qenë në Kosovë ka lexuar disa prej veprave të Durhamit dhe pak për jetën e saj. Në këtë mënyrë ka kuptuar jo vetëm shkrimet e saj, por edhe për punën e saj humanitare. Më pas, kur për një kohë është kthyer në Londër, ka hulumtuar më shumë për këtë femër, ka lexuar arkivat e saj dhe ka parë eksponatet e saj nga vendet e Ballkanit.
“Mandej më ka lindur ideja për librin, kur të kthej në Kosovë të bëj udhëtimet që i ka bërë ajo, dhe jam kufizuar vetëm në Kosovë, sepse ajo ka udhëtuar shumë më gjerë. I jam falënderuese Edithit që ajo më ka ndihmuar edhe në atë kohë në Londër, por edhe të zbuloj sendet në Kosovë që unë nuk i kam ditur. Pra, ka qenë një shoqe shumë e mirë e udhës sime”, është shprehur ajo.
Ndërkaq Robert Wilton ka treguar se pse librat e tij janë të lidhur me historinë.
Ai ka thënë se për të historia gjithmonë ka qenë një pasion dhe se edhe kur ka qenë nxënës në shkollë, historia ka qenë lënda e tij e preferuar.
“Këto rrëfime interesante, këto narrativa tërheqëse, dramatike, ekzistojnë tashmë në historinë tonë. Unë ndoshta vetëm po përzgjedh një copë këtu, një copë aty…, por materiali është aty në historinë tonë”, ka thënë shkrimtari anglez.
Wilton ka thënë se sa herë që ndodhet në rajonin e Ballkanit nuk mund ta shmangi fajin anglez të vitit 1913 për “shkarravitjen në një hartë që ka përgjysmuar kombin shqiptar”.
“Mendoj shumë jo vetëm për fajin e historisë, por për efektin e historisë, për jehonat e historisë që na mbesin edhe deri më sot”, ka thënë ai.
Wilton ka thënë se me kalimin e kohës aspektet politike të angazhimit të tij në Ballkan janë zhdukur dhe se tani interesohet më shumë për kulturën, karakterin dhe historinë e vendit.
“Edhe një eveniment si ky, me njerëz siç jeni ju, një vend siç është Dragina – Ana e Malit, ndikon shumë më shumë. Edhe kështu ndihem se jemi më afër në zemrën e realitetit të Ballkanit”, ka thënë ai.
Gowing dhe Wilton kanë treguar po ashtu se si ka lindur ideja për shkrimin e librit për tetë gra të jashtëzakonshme të Ballkanit “No Man’s Lands: eight extraordinary women in Balkan history”.
Ata janë përgjigjur edhe në disa pyetje të publikut të pranishëm lidhur me krijimtarinë e tyre, por edhe Kosovën, situatën politike etj.
Mbrëmja letrare është organizuar nga Shoqata “Ora”.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti, ka thënë se nismëtar për organizimin e kësaj mbrëmjeje me dy shkrimtarë të mrekullueshëm ka qenë ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.
i.k.
