Faktorët historiko-politik që çuan në lindjen dhe zhvillimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Shaban Hasangjekaj

Veprimtari i mirënjohur i çështjes kombëtare shqiptare, studiuesi, publicisti, kryeredaktori i revistës informative, kulturore dhe artistike “Sharri” dhe aktivisti shumëdimensional shoqëror e politik nga Opoja e Komunës së Dragashit të Republikës së Kosovës, Bedri Halimi, shënimin e vet me peshë dhe vlerë të titulluar “Faktorët historiko-politik që çuan në lindjen dhe zhvillimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” e fillon: “Si çdo fenomen shoqëror dhe politik, që nuk qëndron asnjëherë i vetmuar, as i lindur papritmas, ashtu edhe lindja dhe zhvillimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të shikohet si fenomen në vete, si diçka që lindi papritur dhe po ashtu papritur kreu misionin e saj gjatë viteve 1993-1999”, dhe në vazhdim shton se “në themele të secilit fenomen madhor realisht, qëndrojnë qindra ose edhe mijëra ngjarje e dukuri pararendëse, e të cilat duke u akumuluar brenda rrethanave të caktuara kulmojnë me shpërthimin në një moment të caktuar historik. Së këndejmi edhe në themele të lindjes së UÇK-së, qëndrojnë mbi 250 vite ngjarje e fenomene historiko-politike në rrjedhë të integrimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare brenda kombit shqiptar, të cilat në saje të shtresimit dhe të akumulimit të tyre si ndërgjegje kombëtare, e sollën lindjen dhe zhvillimin e UÇK-së”.
Autori i shënimit Halimi me dinjitet thekson se në këtë kontekst do parë edhe kultin ilir, kultin e Skënderbeut, kultin e Principatës së Arbrit të ngritur gjatë Rilindjes Kombëtare. Me fjalë të tjera, gjatë periudhave të ndryshme historike, ndonëse nën perandori të shumta, shqiptarët dhanë shenja vazhdimisht pa ekuivoke, se ata janë gjallë. Gjatë këtyre periudhave, thekson Halimi, pati kulmime historike madhore që u përcollën përmes qindra kryengritjeve krahinore e rajonale. Natyrisht këto ngjarje të hershme, pohon ai në tekstin e shënimit, nuk lidhen drejtpërdrejt me lindjen e UÇK-së, po si kujtesë historike, janë të pashkëputshme. Shumëçka ka ndryshuar në terren, shton ai. As shtrirja etnike e shqiptarëve nuk është më ajo që ka qenë në periudhën e integrimit të kombit shqiptar. Kanë pasuar njësitë etnokulturore e gjeopolitike në Ballkan, e veçanërisht ato shqiptare e të Shqipërisë. Andaj, në këtë drejtim lufta e UÇK-së, shikuar edhe në rrafshin etnopsikologjik dhe historik, vie si frymëzim liridashës që nga lashtësitë historike. Këtë e ilustrojnë edhe këngët e kënduara në linja të para të luftës së UÇK-së për komandantët apo dëshmorët e rënë, së bashku me këngët e tjera si “Jem Iliria, jem Teuta”, për Pavarësinë e Shqipërisë, për Lëvizjen Kaçake, për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare për Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, për lLdhjen Shqiptare të Prizrenit (“Të gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”) etj.
Edhe më vonë, shton ai, ndjenja e lirisë do të frymëzohej nga ngjarjet e tjera historike dhe padrejtësitë e mëdha që iu bëheshin shqiptarëve në to si: Kongresi i Berlinit në vitin 1878, ku për shkak të këtyre padrejtësive u organizua Lëvizja Shqiptare e Prizrenit, pastaj konteksti historiko-politik i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me 1912, si dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Më tej Konferenca e Versajës dhe krijimi i Jugosllavisë së Parë, ku shqiptarëve përsëri iu bë padrejtësi, e deri te Lufta e Dytë Botërore, protokolli i Firencës dhe Konferenca e Jalltës më 1943, ku u vendos që të gjitha shteteve pjesëmarrëse në luftë kundër nazifashizmit, pas mbarimit të luftës, t’u njihen kufijtë e mëparshëm dhe jo kufijtë e vënë nga fashizmi. Kjo do të thoshte se Shqipërisë, edhe pse e renditur në koalicionin antifashist, do t’i njiheshin kufijtë e mëparshëm, ata të Londrës të vitit 1913.
Edhe Konferenca tjetër e Paqes – ajo e Parisit më 1946, i përkrahu vendimet e mëparshme që viset shqiptare të mbeten nën ish-Jugosllavi. Kështu kjo çështje do të vazhdonte kësisoji, duke mos u trajtuar si duhet problemin i Kosovës edhe në Helsinki II (12.11.1991), Konferencën e Paqes për Ballkanin të mbajtur në Londër më 1992, në Konferencën e Hagës më 1993 dhe në Konferencën e Dejtonit më 1995.
Autori Halimi në shënimin e vet në fjalë në vazhdën e tekstit thekson se gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB), populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të saj, iu qas luftës antifashiste duke marrë pjesë brenda Koalicionit Antifashist Botëror të Kohës. Këtë e bëri, shton ai, duke shpresuar se pas mundjes së fashizmit, si të gjitha kombet tjera, edhe ai do të gëzojë të drejtën e tij të ligjshme për vetëvendosje dhe Bashkim Kombëtar me vendin amë – Shqipërinë. Për këtë bashkim, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, u mbajt konferenca themeluese e Këshillit Antifashist të Kosovës, organizuar në veri të Shqipërisë në fshatin Bujan, konferencë tashmë e njohur si “Konferenca e Bujanit” në të cilën u vendos që pas luftës antifashiste-nacionalçlirimtare, treva e Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptarë të ndara padrejtësisht në kuadër të Jugosllavisë së Vjetër, të kenë të drejtë vetëvendosje deri në bashkëngjitje me shtetin amë – Shqipërinë. Me këtë vendim të këtij Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar të Kosovës, ishin pajtuar jo vetëm përfaqësuesit shqiptarë, por edhe ata serbë e jugosllavë, duke e firmosur bashkërisht dokumentin. Mirëpo, përkundër pjesëmarrjes masive të shqiptarëve në luftë, pas përfundimit të luftës, Kosova dhe viset tjera të banuara me shqiptarë (në Maqedoni e Mal të Zi), në saje të fuqive të mëdha të kohës dhe te intrigave të Titos, ato sërish mbetën po aty ku i kish lënë Kongresi i Berlinit i 1978-ës, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës e 1913-ës dhe e Jalltës, pra në kuadër të Serbisë e Jugosllavisë.
Autori Bedri Halimi në tekstin e shënimit të vet pohon se KO i PKJ-së me Josip Broz Titon në krye, kur dëgjoi për dokumentin dhe vendimin që ishte ndërmarrë në Bujan, në mënyrën e tij mashtruese, krerëve të Këshillit Antifashist të LNÇ-së i dërgoi një letër, duke u shprehur se “në Bujan është marrë një hap i ngutshëm, se s’është koha për të marrë vendime të tilla për kufijtë, etj…”. Asokohe, ndonëse nuk e tha troç se Kosova duhet t’i mbetet Serbisë, kurse për viset tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi e la shtegun e hapur për një gjë të tillë, duke mos dashur t’i zbulojë deri në fund qëllimet e tij ogurzeza që kishte ndaj gjithë shqiptarëve, pa përjashtuar edhe Shqipërinë. Menjëherë pas luftës, Tito për ta zhbërë vendimin e drejtë historik të Konferencës së Bujanit, e vuri në shtetrrethim Kosovën dhe e realizoi dhunshëm një konferencë tjetër, e cila do ta mohonte atë të Bujanit, thekson në shënimin e vet Bedri Halimi dhe shton se kuvendi i tillë që tashmë njihet si “Kuvendi i Prizrenit”, u mbajt më 10 korrik 1945 në Prizren. Siç dihet në këtë kuvend, delegatët shqiptarë dhe delegatët serbë e malazezë, të cilët tani ishin shumë më shumë se përqindja reale e popullatës serbe e malazeze në Kosovë, aprovuan Rezolutën sipas të cilës Kosova “me dëshirën” e saj po deklarohej të mbetej një “Obllast” (Krahinë) në kuadër të Serbisë federale. Delegatët që e kundërshtuan këtë rezolutë të dhunshme më vonë u eliminuan politikisht.
Realisht, ushtria çetnike e Titos, tashti me yllin partizan në ballë, pohon autori Halimi, më 1 prill 1945, gjatë rrugës për Tivar të Malit të Zi, vrau e masakroi mbi 2.000 shqiptarë të Kosovës të cilët ushtritë jugosllave i kishin mobilizuar në kuadër të luftës antifashiste. Në vazhdimin e tekstit të shënimit të vet, autori Halimi bë me dije se në vitin 1944 akademiku serbo-malazez, Vaso Çubrilloviq, i dorëzoi Titos dhe Shtabit që ai kryesonte elaboratin e tij të dytë mbi metodat e shfarosjes së shqiptarëve të Kosovës e me porosi që klasa e re politike serbo-jugosllave “të mos merrej me gllabërimin e Shqipërisë, sepse ajo tanimë është kafshatë e madhe, por ta kryejnë punën me Kosovën derisa nuk është bërë vonë”. Mirëpo, shkruan Halimi në përmbajtjen e shënimit, Tito këtë dokument ndonëse e ruajti në fshehtësi, për të mos u kompromentuar para botës, ai prapëseprapë deshi t’ia tejkalojë në praktikë edhe Çubrilloviqit, duke tentuar të gëlltisë edhe Shqipërinë për ta bërë Republikë të shtatë.
Një skenar tjetër antishqiptar, të cilin e realizoi OZNA qysh gjatë LDB-së, ishte eliminimi fizik i antifashistëve shqiptarë si Emin Duraku, Hajdar Dushi, Xhevdet Doda e të tjerë, konfirmon autori Halimi dhe shton se eliminimi i tyre ndodhi gjatë luftës, sepse jugosllavët, duke pasur parasysh patriotizmin si dhe ngritjen politike të tyre, të cilët ishin pjesë përbërëse e udhëheqjes së LNG-së në Kosovë, i konsideruan të rrezikshëm për realizimin e skenarëve të tyre ndaj Kosovës. Në anën tjetër, as krahu tjetër i patriotëve nacionalistë të Kosovës, të cilët shikuar objektivisht e historikisht, kishin plot argumente që midis dy fashizmave ta luftonin atë më të keqin, në rastin konkret fashizmin serb, nuk kaloi më lehtë. Këta, jo rastësisht, jugosllavët i quanin ballistë, dhe kjo do të thoshte përkrahës të fashizmit. Brigadat jugosllave në Kosovë nuk luftuan gjithaq fashizmin italian e gjerman, por në emër të armiqve të LNG-së, i grinë mijëra nacionalistë shqiptarë. Natyrisht, shkruan Halimi në shënimin e vet, këtë e bënin për t’i sakatuar shqiptarët si popull, njëkohësisht edhe për t’ua lënë atyre namin e keq para aleatëve të mëdhenj të Koalicionit Antifashist Botëror, të cilët pas përfundimit të luftës do të përcaktonin edhe kufijtë e vendeve të ndryshme, se shqiptarët nuk ishin përkrahës të koalicionit antifashist. Për ta bërë sa më të besueshme këtë përshtypje para botës, shtypi jugosllav dhe radiot e luftës asokohe propagandonin me të madhe “reaksionin ballist të shqiptarëve”, por jo edhe rezistencën e organizuar të tyre në radhët e LNÇ-së. Kësisoji Armata Jugosllave dhe Shërbimi Sekret me emrin OZNA gjatë vitit 1945, në emër të pastrimit të terrenit nga mbeturinat fashiste në Kosovë, bënte eliminimin e të gjithë atyre patriotëve shqiptarë të cilët nuk u pajtuan me konferencën famëkeqe të 10 korrikut të vitit 1945, të mbajtur në Prizren. Në këtë mënyrë, u vranë e u masakruan me mijëra shqiptarë “armiq” siç ishin antifashistët Shaban Palluzha, NDSH-ja, e pastaj edhe Xheladin Hana e Rifat Berisha me shokë.

Të fundit

më të lexuarat