
Ulqinakët gjithmonë kanë qenë të njohur si detarë të shkathtë dhe ujq të vërtetë deti. Andaj me plot bindje e them se aktiviteti primar detar i ulqinakëve ka qenë lundrimi për qëllime tregtare, që e kanë zhvilluar me shumë sukses. Duke bërë hulumtime të ndryshme, gjithmonë mblidhja të dhëna të shkapërderdhura, gjysmake e nganjëherë edhe të dyshimta. Sferë e interesit tim gjithmonë ka qenë dokumentimi sa më i plotë i këtyre njerëzve si detarë, kapidana dhe lundërtarë të zotë ashtu siç edhe kanë qenë.
Të dhënat e pakta dhe të stërpërsëritura nga autorë të ndryshëm, por asnjëherë të mbledhura nëpër arkiva, më detyruan që të konsultoj edhe arkivin e regjistrave të anijeve që ishin siguruar në Kompaninë “Lloyd’s Register Shipping”, e që është një ndër shtëpitë më të vjetra të siguracionit. Lloyd’s Register për më shumë se 260 vjet, ka siguruar që anijet, ekuipazhet dhe ngarkesat e tyre të jenë të sigurta për të shkuar në det. Arkivi dhe biblioteka e kësaj kompanie ofron shumësi të pashembullt të dhënash dhe informatash në lidhje me zhvillimin e sigurisë detare sot e gjithë ditën.
Siç u përmend më lart, që nga themelimi-260 vjetë më parë, kanë të dëshmuar çdo gjë në regjistrat voluminoz mijëra faqesh me të gjitha të dhënat e duhura për anijet, dimensionet, tonazhin, vitin e ndërtimit, kush dhe ku e ndërtoi, si dhe pronarin dhe portin e regjistrimit.
Nga mali me të dhëna, dëshmitë e para për anijet ulqinake i gjejmë në librin prej 1.770 faqesh të vitit 1887. Gëzimi im ishte edhe më i madh kur dëshmia e shfaqur e anijes ulqinake kishte të bënte me emrin e një anije të ndërtuar në kantierin e Ulqinit. Kemi të bëjmë me anijen Muradie të cilën e kishte ndërtuar mjeshtri ulqinak Jus. Omeri (Jusuf Omeri v.a.) në vitin 1875. Këtë anije e kishte ndërtuar për një blerës dalmat, andaj edhe emri i saj i parë kishte qenë Enrico, e që tani shfaqej me emrin Muradie dhe ishte pronë e Adem Agës, kurse porti i regjistrimit ishte Ulqini. Për anijendërtimtari gjej të dhënën tjetër. Kësaj radhe kemi të bëjmë me anijen Pervase Bachri e tipit brigantinë, që ishte ndërtuar në Ulqin në vitin 1868, por që emri i mjeshtrit mungonte. Kjo anije lundronte nën flamurin turk dhe ishte pronë e Ijet Efentis (Ajet Efendisë v.a.). Në vitin 1869 mjeshtri ulqinak Husein Omer kishte ndërtuar anijen me emër Pervasi Bahri e cila lundronte me flamurin turk dhe këtë e kishte porositur ulqinaku Mehmet Gjyli i cili jetonte në Shkodër. Porti i regjistrimit ishte Shëngjini. Në faqen 568 të këtij regjistri gjejmë të dhënat se me porosi të A. G. Çoba nga Shkodra mjeshtri ulqinak Husein Hommere (Husein Omeri v.a.) në vitin 1881 ndërton anijen Sciahini Baker, e cila lundronte nën flamurin turk dhe ishte e regjistruar në Portin e Shëngjinit. Pasi shfletova edhe dy faqe, nën numrin rendor 842 gjeta anijen me emër Sietunie, të ndërtuar nga mjeshtër Salihu me porosi të Casem Isuffi & Co dhe të regjistruar në Portin e Shëngjinit.
Këto anije ishin me madhësi dhe tonazhe të ndryshme prej 120-280 tonësh, dhe për herë të parë gjejmë dëshmi me emra të anijeve dhe të ustallarëve ulqinakë që i kishin të evidentuara diku.
Regjistri i Lloydit jepte informata të detajuara për anije nga e gjithë bota, andaj edhe gjetja dhe identifikimi i pronarëve apo ustallarëve ulqinakë të bënte që vëmendja të ishte në maksimum, prandaj edhe hulumtimi bëhej në disa drejtime. Kërkoja këto terme: Dulcigno, Scutari, Montenegro, Albania dhe Turkey. Me metodë krahasuese identifikoja ulqinakë që jetonin në Shkodër, siç hasa në Ibrahim Bilalin e Mehmet Gjylin, por edhe anije të regjistruara në Ulqin apo Shëngjin. Gëzimi im më i madh, siç e ceka më lart, ishte identifikimi i emrave të anijeve të ndërtuara nga ustallarët ulqinakë.
Nga i gjithë hulumtimi i vetëm një regjistri, pra këtij të vitit 1887 që ishte shumë voluminoz prej 1770 faqesh, arrita të identifikoj 18 të dhëna që kishin të bënin me Ulqinin, ku ulqinakët shfaqeshin ose si anijendërtues, ose si pronarë anijesh, apo Ulqini ishte port i regjistrimit.
Në vazhdim po sjell të dhënat ashtu siç i gjeta edhe unë kronologjikisht në regjistrin e anijeve të siguruara në vitin 1887 në Lloyd (burimi https://hec.lrfoundation.org.uk/archive-library/lloyds-register-of-ships-online).
Faqe 478 – Nr. rendor 2147, shfaqet anija Muradie (ex Enrico), 179t, dim. 87, 3×23, 3x h17, 1m, flamur Montenegro i ndërtuar në Dulcigno në vitin 1875 nga mjeshtri Jus. Omeri. Pronar Zoris Aci Adem Aga, Porti Dulcigno.
Faqe 520 – Nr. rendor 542, Pervase Bachri, WBg (brigantinë druri), flamuri turk, 188t, është ndërtuar në Dulcigno, 1868, pronar Ijet Efentis (Ajet Efendia v.a.), i regjistruar në Constantinople (Stamboll).
Faqe 520 – Nr. rendor 543, Pervasi Bahri, WBg (brigantinë druri), flamuri turk, 130t, dim. 68, 3×21, 3xh10, 2, është ndërtuar në Dulcigno, në vitin 1869 mjeshtri Hussein Omer, pronar Mehmet Giuli & Co, i regjistruar në San Giovanni di Medua (Shëngjin).
Faqe 520 – Nr. rendor 544, Pervasi Bahrie (ex. Szeged) WBn (Brigg i shpejtë), flamuri Montenegro, 280t, dim. 95, 5×27, 9xh19, 4, ndërtuar në Fiume (Rijekë) më 1848. Pronar Mahir Mehmet Aga, i regjistruar në Portin Dulcigno.
Faqe 568 – Nr. rend 710, Sciahini Baker, WSr, flamur turk, 120 t, dim. 77, 1×22, 1xh13, 1, i ndërtuar në Dulcigno në vitin 1881 nga mjeshtri Husen Humere, pronë e A. G. Ciobba (Çoba Shkodër) i regjistruar në San Giovanni di Medua.
Faqe 570 – Nr. rendor 842, Seitunie, WBg (brigantinë), flamur turk, 120t, dim. 77, 1×22, 1xh13, 1, i ndërtuar në Dulcigno në vitin 1870, mjeshtër Salihi, pronë e Casem Isuffi & Co, i regjistruar në San Giovanni di Medua.
Faqe 570 – Nr. rendor 838, Seilani Bari, WBg (brigantinë), flamur Montenegro, 121t, dim. 71, 2×19, 7xh10, 9, i ndërtuar në Marnero në vitin 1870, pronë e Eten Razas & Co., i regjistruar në Dulcigno.
Faqe 1259 – Aslami, D., anija Bugeldi (ex Gregorius), Montenego, 390t, i regjistruar në Dulcigno.
Faqe 1349 – Ibrahim Bilali, Scutari, Albania, anija Buona Sorte, 125t.
Faqe 1380 – Mahir Mehemet Aga, Dulcigno, Albania, anija Pervesi Bahri, 280t.
Faqe 1387 – Mehmet Giuli & Co., Scutari, Albania, anija Pervasi Bahri, 130t.
Faqe 1423 – Razasi, Eten & Co., Dulcigno, Albania anija, Seilani Bari, 121t.
Faqe 1438 – Selim Alil Aga & Co., Dulcigno, Montenegro, anija Feizi Rabani, 155t.
Faqe 1438 – Selim Mambeg & Co., Dulcigno, Albania, anija Giuseppe, 148t.
Faqe 1438 – Selim, Veli & Co., Dulcigno, Albania, anija Buona Sorte, 125t.
Faqe 1453 – Suleiman, Dant & Co., Dulcigno, Albania, anija Maria Teresa, 130t.
Faqe 1453 – Suleiman Ahmet & Co., Dulcigno, Montenegro, anija Hairlie, 130t.
Faqe 1475 – Zakuli, Suleiman, & Co., Dulcigno, Montenegro, anija Fortunato, 123t.
Faksimile nga “Lloyd’s Register of Shipping”, Universal register 1887, vol. 127, faqe 478, Nr. rendor 2147, anija Muradie (ex Enrico), 179t, dim.87 ,3×23, 3x h17, 1m, flamur Montenegro i ndërtuar në Dulcigno në vitin 1875 nga mjeshtri Jus. Omeri. Pronar Zoris Aci Adem Aga, Porti Dulcigno
Faksimile nga “Lloyd’s Register of Shipping”, Universal register 1887, vol. 127, faqe 1475, Zakuli, Suleiman, & Co., Dulcigno, Montenegro, anija Fortunato, 123t.
