Kërkimet arkeologjike, ndihmesë e madhe për studimet e historisë së Shqipërisë

“Në qoftë se ne nuk do të kishim bërë kërkimet arkeologjike, historia e lashtë e Shqipërisë do të ishte çereku ose më pak i kësaj që kemi. Pra, ne e kemi plotësuar atë që i mungon historisë së Shqipërisë te burimet e shkruara, duke përfshirë edhe aspektet politike”, ka thënë arkeologu Ceka

Ulqin – Arkeologu i njohur Prof. Dr. Neritan Ceka ka vlerësuar se kërkimet arkeologjike i kanë ndihmuar shumë studimet për historinë e Shqipërisë, sidomos për antikitetin, pa të cilat ne sot nuk do të dinim shumë për ilirët.
“Në qoftë se ne nuk do të kishim bërë kërkimet arkeologjike, historia e lashtë e Shqipërisë do të ishte çereku ose më pak i kësaj që kemi. Pra, ne e kemi plotësuar atë që i mungon historisë së Shqipërisë te burimet e shkruara, duke përfshirë edhe aspektet politike”, ka thënë ai në takimin e zhvilluar në Librarinë “Ulqini”.
Sipas tij, kërkimet arkeologjike u kanë dhënë mësim edhe studiuesve të huaj.
“Pra, jo vetëm që kemi krijuar një shkollë arkeologjie, që është shkollë historike e interpretimit, por e kemi bërë këtë edhe pjesë të komunitetit ndërkombëtar të studiuesve”, ka theksuar arkeologu Ceka, që njëherazi është kryetar i Komisionit të përhershëm të Historisë dhe Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në bisedë me arkeologun Anton Lulgjuraj, arkeologu i njohur shqiptar ka folur për ngjashmëritë dhe ndryshimet e procesit të urbanizimit në zonat e ndryshme të Shqipërisë, fortifikimet në pjesët urbane dhe fshatare etj.
Ceka ka thënë se në aspektin kohor zhvillimi urban në trevat shqiptare është zhvilluar pothuajse në të njëjtën kohë dhe nuk ka diferencë të madhe.
“Kemi një shtrirje të procesit të urbanizimit në të gjithë bregdetin. Pra, veçoritë janë të njëjta, por ndryshon intensiteti”, është shprehur ai.
Lidhur me dallimet që ekzistojnë në fortifikimet e pjesëve urbane në krahasim me ato të fshatrave, arkeologu Ceka ka thënë se kjo ka ndodhur sidomos në periudhën e Gentit, i cili ka vepruar në këto treva. Ai nuk kishte ndërmend të luftonte kundër romakëve, por pasi që bëri aleancë me Perseun në vitin 169 p.e.s. kundër Romës, filloi menjëherë përgatitjet për luftë.
“Dhe i fortifikon të gjitha territoret, por nuk ka kohë për të bërë punime të mirëfillta. Ose përdor fortifikatat e vjetra… Këtë ka bërë në disa zona ku ka përdorur teknikën e vjetër për të krijuar pika kontrolli ushtarak, jo qytete të mirëfillta. Ky është ndryshimi”, ka theksuar ai.
Arkeologu shqiptar ka thënë se ne nuk e njohim mirë territorin fshatar antik, jo vetëm në këtë trevë por edhe në vende të tjera, dhe se nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, sepse qyteti pa fshat nuk ekziston.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të publikut të pranishëm, ai ka thënë se pjesa veriore e Shqipërisë nuk ka pësuar fatkeqësinë e jugut të Shqipërisë, ku romakët dogjën rreth 70 vendbanime, për arsye të ndryshme.
“Kjo ka disa arsye, duke përfshirë edhe arsyet emocionale. Një nga mendimet është se romakët e bënë këtë, morën hakun Pirros… Dhe kujtesa historike luan rolin e vet. Ishte një hakmarrje. Ndonëse ishte pas njëqind vitesh, prapëseprapë ka vlerën e saj”, është shprehur Ceka.
Sipas tij, arsyeja e dytë ishte sepse jugu ishte më i pasur dhe kishte hyrë më përpara në ekonominë e tregut.
Arkeologu ka thënë më tej se pushtimi i pjesës së veriut të Ilirisë ka qenë lufta më e gjatë që ka bërë Roma, sepse pushtimin e plotë të kësaj pjese e realizoi vetëm Augusti.
Në ligjëratën me temë “Trevat shqiptare në Malin e Zi nga konteksti historik dhe arkeologjik” Ceka ka bërë një paraqitje të hartës arkeologjike të Ulqinit dhe të disa qyteteve të tjera të Adriatikut, ka folur për Ulqinin në lashtësi dhe qytetërimin ilir në trevën e Ulqinit etj.
Takimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, më 3 prill 2023.

i. k.


Austro-hungarezët, themeluesit e arkeologjisë ballkanike

Arkeologu i njohur Neritan Ceka ka thënë se themeluesit e arkeologjisë ballkanike në kuptimin e vërtetë të fjalës janë austro-hungarezët.
Sipas tij, Perandoria Austro-Hungareze ishte një perandori e bazuar te kultura klasike: muzika, artet, filozofia etj.
“Dhe kjo e shpjegon që dolën personalitete të jashtëzakonshme edhe të arkeologjisë dhe që hapën pastaj rrugën e arkeologjisë edhe në Shqipëri. Prashniker ishte i kësaj shkolle dhe kur lexon Prashnikerin kupton që është arkeologjia historike, nuk merret vetëm me dimensionet, por bën interpretimin historik dhe është i pari që përmend termin qytet ilir”, ka nënvizuar arkeologu.
Ceka ka thënë se kur austriakët pushtuan Shqipërinë, krijuan një batalion shkencor, në mesin e të cilëve kishte edhe arkeologë, njëri prej të cilëve ishte Prashniker, i cili ka bërë gërmime arkeologjike në Apolloni dhe Bylis. Një pjesë e objekteve arkeologjike të gjetura në këto lokalitete arkeologjike, nuk dihet se ku kanë përfunduar.
Megjithëse ka thënë se në Shqipëri është gërmuar diku vetëm rreth tre për qind e pasurisë arkeologjike, kjo ka vlerë sepse “nga një pjesë e gjetjeve mund të rindërtojmë pak nga pak të paktën skeletin e historisë”.

Të fundit

më të lexuarat