
Në lagjen Qafa të Prishtinës, pak si e fshehur nga rruga kryesore, gjendet Galeria e Ministrisë së Kulturës. Një ambient modest, jo shumë i madh, i lyer gjithandej me të bardhë, hapi një ekspozitë me vlera të mëdha dhe të rëndësishme historike dhe kulturore. Janë fotografitë bardhë e zi të Marubit ato të cilat e thyejnë monotoninë e bardhësisë së sallës. Mbi njëzet fotografi shfaqin mbi njëzet momente të ndryshme dhe, si të thuhet, janë mbi njëzet rrëfime e ngjarje të kapura përmes shkrepjeve të Marubëve të cilat për mbi një shekull sjellin ngjarje, kujtime, fytyra, veshje, qëndrime dhe poza të zakonshme të njerëzve të zakonshëm, për t’u bërë të jashtëzakonshëm përmes të të ashtuquajturës Perandori të Marubit.
Gati një muaj e gjysmë qëndroi e hapur ekspozita “Tenda e takimit e një oborri”. Ekspozita ishte bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, që u kurua nga drejtori i këtij i muzeu, Luçjan Bedeni. Vizitorët patën mundësinë nga data 23 shkurt deri më 1 prill, të shohin nga afër ndër fotografitë e para që u realizuan në Shqipëri, në të cilat shfaqen pamje njerëzish të zakonshëm dhe njerëzish që kishin një status të caktuar dhe të rëndësishëm shoqëror. Siç thekson Bedeni, negativat e këtyre fotografive të gjendura në arkivin e Muzeut Marubi dhe në arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Stambollit “janë dëshmi me vlerë që dokumenton të gjithë procesin e fotografimit, të shtypit të kabinet kartave e deri tek ngjyrosja e disave prej tyre”. Siç mësohet më tutje, ishin këto fotografi që u përhapen gjithandej nga litografët vjenezë, që i kthyen ato në karta postale, ato të cilat gjenden tashmë më rrallë, por më shpesh në internet, si kartolina me mbishkrimin Souvenir de Scutari d’Albanie.
Veçantia e kësaj ekspozite, por edhe e fotografive të tjera të realizuara nga Marubët janë kostumet e personazheve të përzgjedhur për fotografi. Fografitë bardhë e zi shpesh shprehin të ngurtën dhe ftohtësinë që nganjëherë mund të përçojnë, por kostumografia, e sidomos kostumet që shprehin veçantitë stilistike përmes fotografive të Marubit shfaqin hijeshinë dhe stilistikën e tekstilit të përpunuar hollësishëm, që fotografive bardhë e zi u japin gjallëri, kuptimshmëri dhe kolorit
Janë të njohura ngjarjet historike të vendit tonë, të cilat i kemi lexuar në të kaluarën, por që na ngjallin kërshëri t’i lexojmë vazhdimisht edhe në të sotmen, sepse disi sikur duam t’i dimë më mirë dhe t’i ndiejmë më fort kohët kur u vendos fati i shqiptarëve. “Lahuta e Malcís” e Fishtës, “Lidhja e Prizrenit” e Belegut e vepra të tjera si këto që ishin shumë afër ngjarjeve historike, na fusin në realitetin e kohës së fund shekullit të parakaluar dhe në fillim të shekullit të kaluar. Personazhet i ngjallë edhe një herë Gjergj Fishta, ndërsa ngjarjet na i kujton edhe një herë Xhafer Belegu. Përmes fotografive të Marubëve, personazhet na ringjallen duke na i rikujtuar edhe një herë ngjarjet e kaluara. Krerët e Mirditës pozojnë së bashku me fytyra të ngrysura pas varrimit të kapedanit të tyre, Bib Dodës. Marash Uci me të bijt shfaqin krenarinë duke i shtrënguar armët e ngjeshura në brez dhe presin çastin e duhur për t’u dalë përballë vendimeve të Kongresit të Berlinit, përfaqësuesit e të cilit gjenden të varur në murin e galerisë duke i pritur vizitorët.
Edhe njerëzit e zakonshëm zënë një pozitë të rëndësishme në mendjen e Marubit, sepse përkushtimi i tij i kthente ata në modele pozimi për të qëndruar të heshtur, por për të folur gjithmonë përmes buzëqeshjes së tyre të ngrirë, e shikimit të tyre depërtues. Pozicioni i kërrusur i “burrit të varfër” i ulur në shkëmb, me strajcë mbi shpinë e me njërën dorë duke e shtrënguar një shkop mbi të cilin sigurisht është mbajtur gjatë ecjes, tregon qasjen artistike që fotografi Kel Marubi shfaq ndjesinë e kompozicionit të skenës, duke shfaqur gardhin e rralluar në sfond, ndërsa plakun e varfër, të shtyrë në moshë e mbase edhe të lodhur duke përçuar një mesazh vuajtjeje dhe lodhjeje, ultësie dhe çlodhjeje, por edhe vendosmërie dhe fisnikërie. Edhe pozicioni në mes të fotografisë së një gruaje me xhubletë të shkurtër nga Dukagjini dhe shikimi i saj i hedhur diku përtej, apo Mati Kodheli sikur e pasqyron këtë grua, i cili shfaqet i veshur me rroba të zejtarëve shkodranë. Mund të mos jetë shumë e rëndësishme në kontekstin e përgjithshëm të ekspozitës, por luan rol të veçantë në konceptimin e saj edhe një kostum i një gruaje që “fotografohet në oborr e mbështetur në një objekt interieri të studios”.
Mund të thuhet se veçantia e kësaj ekspozite, por edhe e fotografive të tjera të realizuara nga Marubët janë kostumet e personazheve të përzgjedhur për fotografi. Fotografitë bardhë e zi shpesh shprehin të ngurtën dhe ftohtësinë që nganjëherë mund të përçojnë, por kostumografia, e sidomos kostumet që shprehin veçantitë stilistike përmes fotografive të Marubit shfaqin hijeshinë dhe stilistikën e tekstilit të përpunuar hollësishëm, që fotografive bardhë e zi u japin gjallëri, kuptimshmëri dhe kolorit. Mund të jetë e rëndësishme kjo fotografi, sepse shfaq një veshje pothuajse të harruar, por që e kemi të pranishme çdoherë nëpër ngjarje të rëndësishme. Është veshja e krajanes, siç e thekson Kel Marubi “veshje katolike nga zona e Ljares dhe Shestanit – Krajë” ajo që i jep ekspozitës përmasa artistike përmes veshjes, por edhe përmasa mburrjeje për vizitorët që mund të kenë dëgjuar apo mund të kenë ndonjë lidhje me këtë trevë. Kjo veshje, nga vrojtuesit sipërfaqësorë, në të kaluarën ka ngjallur dyshime dhe diskutime të pabazuara rreth autenticitetit të saj. Diskutimet e tilla mund të kenë pasur ngarkesa të ndryshme, të cilat e rëndonin shprehjen e të menduarit, duke i futur kontekste përçarëse fetare, etnike, racore apo duke bërë një analizë jo të duhur në mes veshjes së shekullit XXI me veshjen e shekullit XIX. Është fakt i pamohueshëm që karakteri i kësaj veshjeje dhe dekorimet bazë të formave gjeometrike që shpërfaqin stilisjen e jelekut me elemente ritmike dhe të dekorimeve “të rënda”, e po ashtu elementet dekorative të zhgunit që i japin vlera të çmuara artistike dhe estetike e “drejtpeshojnë” personazhin e veshur me të, mund të gjenden lehtë dhe mund të dallohen shpejt edhe sot. Mund të kujtohet, se nuk duhet harruar që elementet kompozicionale të veshjes të cilat, mbase nuk e kishin nivelin dekorativ aq të rëndësishëm, me kalimin e kohës të jenë ndryshuar, prandaj edhe me kalimin e kohës të jenë shfaqur zbukurime të ndryshme që do të përshtaten me kohën. Nëse në të kaluarën e afërt mund të ishin të rëndësishme figura gjeometrike, abstrakte dhe arkaike, disa prej tyre në kohët moderne mund të jenë zëvendësuar me figura të tjera, më të kapshme dhe më të thjeshta për syrin, konceptimin dhe idenë për të njohur natyrën dhe realitetin. Përshtatja mund të ketë luajtur një rol kyç për shfaqjen e dyshimeve dhe hedhjen e hipotezave të pavlera ndaj realitetit dhe faktit të shënimit të kartolinës që shfaq këtë grua me këtë kostum: “Krajë, Albania”. Por, më të qenësishëm dhe më prekës vërtetimin e kësaj e bën vetë përshkrimi i fotografisë të ekspozuar edhe në galeri:
Kostum i vjetër gruaje katundare
Kel Marubi, kolodio i lëngshëm, xham 13×18 cm
Kjo grua me veshje katolike nga zona e Ljares dhe Shestanit – Krajë fotografohet në oborr e mbështetur në një objekt interieri të studios.
Pietro dhe Kel Marubi shfaqen përmes fotografive të tyre mjeshtërinë e artit fotografik dhe skenografisë, duke e kthyer oborrin në një studio të rëndësishme dhe me vlera artistike të një ambienti të ngrohtë. Mund ta kenë ditur ata që oborri i kthyer në studio fotografike do të bëhet me të vërtetë një tendë e takimit, ku njerëzit do të mblidhen e do të vështrojnë personazhe të njohura, të panjohura, do të kundrojnë ngjarje dhe do të sjellin nëpër mend historitë. Dhe, çfarë është më e rëndësishmja, njerëzit do të mendojnë, sepse në fund të fundit, arti përmes mesazhit të tij i lë njerëzit të mendojnë. Prandaj, po mendoj edhe unë: a do ta shfaq veten krajanja në ndonjë tendë takimi të ndonjë oborri në Ulqin?
