Vepër e dëshmisë dhe pasqyrimit të denjë të gjenezës dhe identitetit të kombit shqiptar ndër shekuj

Shaban Hasangjekaj

Ndër 27 librat e botuar të gjinive dhe zhanreve të ndryshme nga veprimtaria krijuese e studiuesit, publicistit dhe shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ndriçim Kulla është edhe libri me titull “Kush jemi ne shqiptarët” i botuar nga Shtëpia Botuese “Plejad” në vitin 2015, i cili përbëhet prej 374 faqesh.
Këtë vepër vërtetë me peshë dhe vlerë të madhe, autori Ndriçim Kulla ia ka kushtuar vështrimit historik, kulturor, sociologjik dhe psikologjik kombit shqiptar, ku me dinjitet dhe përkushtim shumëdimensional ka shpalosur, parafytyruar, reflektuar dhe prezantuar në mënyrë koncize gjenezën e kombit shqiptar ndër shekuj.
Brumin e tekstit të lëndës së përfshirë në përmbajtjen e librit, autori e ka ndarë, radhitur dhe sistemuar në mënyrë kronologjike në 17 trajtesa shtjelluese, në të cilat ka pasqyruar në mënyrë të denjë rrjedhat e gjenezës së shqiptarëve ndër shekuj në trojet ku janë shtrirë anekënd botës.
Vështrimin në tekstin e librit në fjalë, autori Kulla e fillon me trajtesën e parë shtjelluese nga pyetja “Kush janë shqiptarët?”, e cila pothuajse paraqet një lloj parathënie të librit. Në këtë trajtesë ai prezanton dhe sistemon studiuesit e ndryshëm që janë marrë me pyetjen “Kush janë shqiptarët?”, të cilët edhe kanë gjurmë në këtë lëmi përmes studimeve dhe veprave të veta. Trajtesën në pyetjen “Kush janë shqiptarët?”, autori Ndriçim Kulla e fillon me të dhënën se i pari që e shtroi si studiues në kohë moderne pyetjen “Kush janë shqiptarët?”, është studiuesi suedezo-gjerman, Johan Erih Tunman i Universitetit të Halls, në librin e tij “Kërkime rreth historisë së popujve të Evropës Lindore”, që u botua në vitin 1774. Në këtë libër studiuesi shtron pyetjet: Cilët janë shqiptarët? Si u formua ky popull? Nga doli gjuha e tyre?
Ky studiues gjenial e shtroi këtë pyetje në një moshë shumë të re – 26 vjeçare, një gjë kjo tërësisht e çuditshme për atë kohë, sepse Tunman shkruante pikërisht në kohën kur Gibon do të shkruante fjalët e famshme se “Shqipëria është një tokë që mund të shihet nga Italia, por që është më e panjohur se brendësia e kontinentit amerikan. Vetë Tunman në librin e vet të sipërpërmendur shprehej njëlloj si Gibon duke thënë:
“Asnjë popull tjetër i pjesës së botës në të cilin jetojmë nuk është aq i panjohur për ne evropianët e Perëndimit, përsa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës sa shqiptarët dhe vllehët. Megjithatë, ata janë popuj kryesor, popuj të lashtë e të rëndësishëm, që çdo historian do dëshironte t’i njihte, historia e tyre do të plotësonte zbrazëti të mëdha në historinë e lashtë e të re të Evropës. Por ata sot nuk luajnë në ndonjë rol, ata janë popuj të nënshtruar, ata janë fatkeq dhe historiani shpesh është i padrejtë sa edhe njeriu i zakonshëm, ai nuk i përfill ata që nuk kan patur fat”.
Studiuesi Tunman, i cili kishte gjithë këtë pasion për të studiuar shqiptarët, mund të ishte bërë një nga albanologët më të mëdhenj në qoftë se nuk do të kishte vdekur në moshë shumë të re – vetëm 32 vjeçare, gjashtë vjet pasi ai shtroi si studiues pyetjen e mësipërme për shqiptarët. Pas vdekjes së Tunman duhej pritur fillimi i shekullit XIX që pyetjen të cilën e shtroi ai “Kush janë shqiptarët?” ta nisnin, ta bënin disa udhëtarë evropianë, që ishin njëherësh edhe studiues dhe që udhëtonin në Perandorinë Osmane. Më parë këtë pyetje e bënin kancelaritë e Fuqive të Mëdha që kishin interesa në Ballkan. Këtë pyetje e shtruar bërë historianët, burrat e shtetit, gjeneralët, udhëtarët e huaj. Këtë pyetje e kanë shtruar miqtë dhe armiqtë e shqiptarëve. Ata kanë dhënë përgjigje të ndryshme. Kjo pyetje nisi të bëhet më me interes që nga koha kur në tryezat e diplomacisë ndërkombëtare u shtrua çështja shqiptare, pra që nga Kongresi i Berlinit në vitin 1878.
Në vazhdën e trajtesës në fjalë, autori Kulla thekson se për t’ju përgjigjur pyetjes “Kush janë shqiptarët?”, veçanërisht dy shekujt e fundit, jo pak autorë të huaj kanë shkruar libra me këtë temë. Disa prej tyre janë nisur me qëllimin për të hulumtuar vërtetë se cilët janë shqiptarët, me ndershmëri shkencore. Të tjerët janë nisur me tendencën keqadashëse, për t’i denigruar shqiptarët. Më korrektë kanë qenë ata që i kanë nga afër shqiptarët.
Autori Ndriçim Kulla pohon se një nga studiuesit e parë që e shtroi pyetjen në mënyrë shkencore dhe që bëri përpjekje t’i përgjigjej asaj me një libër, ishte një studiues shumë i njohur i shekullit XIX, Jakob Fallmerajer i cili në librin e tij “Elementi shqiptar në Greqi” (1857), e shtroi në mënyrë të thelluar shkencore, me plot dyshim prej shkencëtari, por pa paragjykime pyetjen se “Kush janë shqiptarët?”. Mënyra se si e ka shtruar pyetjen Fallmerajer është një shembull që tregon se pyetja “Kush janë shqiptarët?”, është një pyetje komplekse, ose më saktë një kompleks pyetjesh që kërkon një përgjigje të shumanshme. Afërsisht në të njëjtën kohë me Fallmerajer ishte edhe Hajasinte Hekuard, konsull i Francës në Shkodër, në mes të shekullit XIX, një nga të parët që e shtroi pyetjen e mësipërme dhe u përpoq t’i përgjigjet asaj me një libër. Hekuard shkruan në librin e tij “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë”.
Mesi i shekullit XIX do të ishte koha kur pyetja “Kush janë shqiptarët?” do të shtrohej për studim si kurrë ndonjëherë më parë, thekson autori Kulla dhe shton se në këtë kohë do të ishte edhe studiuesi austriak Johan Xhorxh von Han, ai që e shtroi këtë pyetje në studimin më të madh që ishte bërë deri në atë kohë për shqiptarët, në librin e tij të vëllimshëm “Studime shqiptare”.
Edhe albanologu i madh, jezuiti italian At Fulvio Kordinjano, e ka shtruar pyetjen e mësipërme si një çështje shkencore, ndonëse pa pyetje në librin e tij “Shqipëria përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit të madh italian At Domeniko Paci”. Kordinjano i përket plejadës së misionarëve katolikë të huaj të ardhur në Shqipëri të cilët kanë qenë ndër kontribuesit më të mëdhenj në albanologji.
Autori i librit “Kush jemi ne shqiptarët” Ndiçim Kulla në vështrimin e vet kushtuar çështjes shqiptare thekson se një studiues britanik – Uadham Pikok është i mendimit se interesimi i vërtetë për shqiptarët lindi menjëherë pasi diplomacia evropiane vendosi të krijonte shtetin shqiptar në vitin 1912. Pikok i cili ka qenë njohës i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve shkruan në librin e tij “Shqipëria – shteti jetim i Evropës” i botuar në vitin 1914.
Në pyetjen “Kush janë shqiptarët?”, mendimet dhe sugjerimet e veta i kanë dhënë shumë studiues të huaj, mendime të reflektuara në librat e vet ndër të cilët: studiuesja franceze Natali Klajer në librin “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”, oficeri francez i cili e ndërroi fenë dhe u bë mysliman me emrin Ibrahim Manzur, i cili qëndroi për një kohë të gjatë pranë Ali Pashë Tepelenës i punësuar pran tij, poeti i njohur Xhorxh Gordon Bajron dhe miku i tij Hobhaus, studiuesi italian Roberto Moroco della Roka në librin e tij “Kombi dhe feja në Shqipëri në kohën 1920-1944” etj., dhe kështu duke ardhur te pyetja “Kush jemi ne shqiptarët?”, pyetje kjo me të cilën autori Ndiçim Kulla e ka titulluar librin e vet lidhur me të cilën thekson se sigurisht që ata evropianë, të cilët ishin të interesuar për të studiuar shqiptarët, studiuesit dhe udhëtarët, do kërkonin të merrnin përgjigje edhe nga vetë shqiptarët. Kështu nga pyetja “Kush janë shqiptarët?” u lind natyrshëm pyetja vijuese “Kush jeni ju shqiptarët?”, të cilën të huajt ua kanë bërë shqiptarëve të shkolluar me të cilët komunikonin, duke nisur së paku që nga mesi i shekullit XIX. Kjo i shtyri shqiptarët (elitën intelektuale) të pyesin vetveten “Kush jemi ne shqiptarët?”. Mund të ketë një debat gjuhësor për atë nëse pyetja duhet shtruar “Kush jemi ne shqiptarët?” apo “Cilët jemi ne shqiptarët?”. Dikush mund të thotë se më e saktë nga ana gjuhësore do të ishte që të përdorej përemri pyetës “Cilët”. Autori i librit ka zgjedhur fjalën “Kush” për arsye se pyetja me të nënkupton, domethënë, kërkon si përgjigje se cili është tipi, shqiptari, si të thuash Homo Albanicus, ndërsa pyetja në fjalën “Cilët” nënkupton, domethënë kërkon si përgjigje një shumëllojshmëri tipash shqiptarë. Autori thekson se qëllimi i këtij libri është të portretizojë tipin shqiptar me ato veti të mira dhe të këqija që i kanë pjesa më e madhe e shqiptarëve. Autori Kulla thotë se pyetja mund të formulohej edhe “Cili është shqiptari?”, por kjo do të thoshte që t’i bëhej një lëshim i tepruar formalizimit gjuhësor të pretenduar në dëm të kuptimit. Prandaj autorit i duket me vend që pyetja të bëhet “Kush jemi ne shqiptarët?”.
Autori Kulla shton se diçka të ngjashme ka bërë edhe Samuel Hantington me pyetjen që shtron në titullin e librit të tij “Who are We: the challenges to America’s national identity” (“Kush jemi ne: sfidat e identitetit kombëtar amerikan”), të botuar në vitin 2004.
(vijon)

Të fundit

më të lexuarat