Një letër që del për herë të parë

Visar Zhiti

Dua të kujtoj Dritëroin sot, diçka nga lidhjet e mia me të. Jemi të gjeneratave të ndryshme dhe të fateve të ndryshëm, madje të kundërt, do të thosha, se kur ai ishte kryetari i shkrimtarëve dhe artistëve të socializmit, unë isha në burg, i ri, i dënuar për poezitë e mia nga ajo diktaturë.
Që nxënës e kisha mësuar emrin e Dritëroit, ai ishte në të gjitha tekstet shkollore të letërsisë, recitohej skenave, TV-ve, madje dhe kongreseve, por e pëlqenin edhe njerëzit e thjeshtë deri fshatrave…
Unë kam dhe një lidhje tjetër me Dritëroin, nëna ime e kishte kushërirë të dytë nënën e tij. “Djali i Hatixhesë është bërë i mirë”, mbaj mend të thoshte ajo për të. Dhe kur më arrestuan, nëna ime shkoi drejt e në shtëpinë e tij në Tiranë “t’i qante hallet” dhe ia hapën derën…
E kam treguar në librin tim burgologjinë “Ferri i çarë”, por dhe Dritëroi në librin e tij “Teshtimat e lirisë”, dëshmon e bija e tij Elona, në fq. 861-862 dhe shkruan kështu:
“Në hetuesi poetin Visar Zhiti e kanë pyetur: ç’lidhje dhe ç’ke të bësh me Dritëro Agollin dhe ç’ke biseduar me të? Pasi unë ndërhyra në prokurori për të dhe nuk e ndihmova dot.”
Pastaj vazhdon dëshmia e Dritëroit:
“Në Komitetin e Partisë së Lushnjës kam ndërhyrë për Faslli Halitin e Bujar Xhaferrin. Në Komitetin e Partisë të Tiranës, Ersekës, Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës, Lezhës, Librazhdit, Kukësit dhe në KQ të Partisë dhe në atë të Rinisë unë kam protestuar për sjelljen e keqe ndaj Bujar Lakos, Sadik Bejkos, Bujar Kapexhiut, Dhori Qiriazit, Valter Files, Skënder Rusit, Preç Zogajt, Rudolf Markut, Dodë Kaçajt, Koçi Petritit, Lazër Stanit, Jorgo Bllacit e të tjerëve. […] Po kështu dhe për keqtrajtimin e Mehmet Myftiut dhe Vehbi Skënderit. E kam mbrojtur dhe e kam nxitur për ta botuar romanin “Koncert në fund të dimrit” të Ismail Kadaresë, që ishte bllokuar për disa vjet, para Foto Çamit, sekretar i KQ duke i kundërshtuar ata që ishin kundër botimit në prezencë të autorit. Ndërgjegjen e kam të pastër…”.
Është një pjesë nga rrëfimi i tij me “ndërgjegje të pastër” para të vetëve, e ka thënë fjalën e tij, është përpjekur jo si disident natyrisht, por që ta përmirësonte sa të mundej atë realitet letrar të zymtë dhe festiv dhe vrastar, si funksionar i lartë, si deputet, si shkrimtar i njohur mbi të gjitha në ndihmë të Partisë, por dhe si njeri.
Më vijnë sërish fjalët e nënës time: “Djali i Hatixhesë është bërë i mirë…”. Si një porosi që të çmojmë të mirën kudo që shfaqet ajo, të ruajmë mirësinë e të jemi drejtësisht mirënjohës.
Po unë desha të tregoj që kam gjetur një letër të Dritëroit. E dija të humbur, të marrë nga policia gjatë kontrolleve në shtëpinë time kur më arrestuan. Por u gjend, e ka shkruar me dorën e tij, 2 faqe. Shkrimi pak i pjerrët, kuptohet mirë, gjithë kujdes, më drejtohet me “shoku”, pastaj me “Ju”, në fund firma ashtu siç qe stamposur në kopertinat e serisë së veprës së tij si me argjend. Ia dërgova me e-mail letrën dhe Elonës, vajzës se Dritëroit që tregon gjithë atë përkujdesje prekëse ndaj të atit.
Në kohën e asaj letre unë isha mësues në një fshat të largët të Kukësit dhe përndiqesha, ndërsa Dritëroi më përgjigjej, më jepte dhe kurajo që të besoja se poezia e mirë arrin të dalë dhe se do të përpiqej të bisedonte me redaktorët e shtëpisë botuese që më ishin kundërvënë. Letra më gëzoi shumë atëherë, i ri, më dukej sikur ta kishte shkruar Maksim Gorki.
Dhe pas një viti e një dite unë arrestohem pikërisht për atë libër të pabotuar dhe dënohem me 10 vjet burg. I kam rrëfyer të gjitha në burgologjitë e mia. Por sot po kujtoj Dritëroin, jo si patriark të socialistëve siç u pëlqen ta quajnë, por si poet.
Te Dritëroi ishte poeti, besoj. Poeti i kohës që solli lirika antologjike në poezinë e re shqipe. Aq sa mund të mbeten, sado pak janë si rubinët…
Gjatë bisedave me Dritëroin më pas, ashtu të përzemërta, kam patur rast t’i them edhe duke bërë humor që:

  • Zoti Dritëro tani në demokraci në sistemin tim, jeni bërë poet më i mirë seç ishit në sistemin tuaj në diktaturë.
  • Pse? – ngulmonte serioz, me një buzagaz shpotitës.
  • Sepse tani, – shpjegoja, – si poet të lejohet të kesh dhe poezi të trishtuara, të jesh i zhgënjyer, madje dhe disident, por veç tani. A ka nder më të madh?
  • Kam dashur të futem në burg, – më tha një pasdite, – por s’më fusnin…
  • Zgjidheshin, – ia ktheja ngacmueshëm, – jo te gjithë e meritojnë.
    Vinte prapë buzën në gaz. Heshtëte. Dritëroin e kisha takuar dhe në Parlament, edhe në klube, njëlloj ishte dhe në shtëpinë e tij ku e shoqja zonja Sadie i priste miqtë aq mirë, kam libra me autograf të tij, dora i dridhej, fjalët më drithëronin, i ruaj ende dhe kam shkruar për Dritëroin edhe i jam përgjigjur korrekt, gjithmonë duke e nderuar, jemi takuar edhe në SHBA në Detroit në Festën e Flamurit, kemi dhe një foto me Ambasadorin amerikan Uilliam Uoker në mes, me atë që zbuloi masakrën serbe të Reçakut në Kosovë dhe lajmëroi botën…
  • Ka dhe masakër në Shqipëri, janë vrarë dhe poetë… – i thashë Dritëroit atëherë. Nuk e di në ishte takimi i fundit.

Të fundit

më të lexuarat