Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi si fushatë politike

Nail Draga

Vendosja e bilbordeve deri më tash ka qenë dukuri e njohur në fushatat zgjedhore, por në sajë të rrethanave të reja shoqërore, në prag të regjistrimit të popullsisë, ato këto ditë janë vendosur në disa qytete në Mal të Zi. Kemi të bëjmë kryesisht me pjesëtarët e popullsisë serbe e asaj boshnjake. Tekstet e bilbordeve kanë sugjerim ndaj qytetarëve se cilës kombësi e religjion iu përkasin dhe cilën gjuhë flasin.
Kështu në Budvë gjatë javës së kaluar janë vendosur një numër i madh i bilbordeve me fotografi të personaliteteve të njohura historike, për të cilët mendohet se janë serbë, për të animuar qytetarët qe në regjistrim të popullsisë ashtu edhe të deklarohen. Nga ana tjetër bëhet me dije se në Podgoricë, Plavë e Rozhajë ka bilborde me fotografi të personaliteteve historike, për të cilët thuhet se janë boshnjakë, duke e orientuar popullin boshnjak.
Nuk ka dilemë se roli i bilbordeve është të përkujtojnë bashkëqytetarët dhe bashkëkombësit e tyre origjinën e identitetin e tyre.
Se kemi të bëjmë me një organizim të fushatës identike si atë politike dëshmohet se në media pro-serbe e pro-ruse siç janë In4s, alo.me dhe disa portale tjera, janë angazhuar siç duket me mision në fushatën për regjistrim të popullsisë në Mal të Zi. Popullit boshnjak në Podgoricë me anë të bilbordit i janë drejtuar porositë për t’u deklaruar ata çka janë, ndërsa në Plavë shkruan „Regjistrimi 2023. Kombi: boshnjak, feja: islame, gjuha: boshnjake. Humbja e identitetit paguhet me nënçmim e robëri“.

Notë proteste e Kroacisë kundër Malit të Zi
Ndaj përmbajtjeve të bilbordeve të serbëve kanë reaguar nga Ministria e Jashtme e Kroacisë, duke i dërguar notë Malit të Zi, kundër vendosjes së bilbordeve të tillë ne rrugët e Mali të Zi. Nota nga ana kroate ka të bëjë „me bashkëngjitjen kulturës serbe, trashëgiminë historike e kulturore të Republikës Kroate e popullit kroat“. Fjala është në mes tjerash për Rugjer Boshkoviqin me prejardhje nga Dubrovniku dhe Veltizar Bogoshiqin i cili ka lindur në Cavtat. Një veprim i tillë për qytetarët e Kroacisë dhe pjesëtarët e pakicës kroate në Mal të Zi është shumë shqetësues dhe do të ndikojë në marrëdhëniet bilaterale, andaj shpresojnë qe Qeveria e Malit të Zi do të bëjë tentime maksimale që pllakatet kontestuese të tërhiqen. Nuk kemi informacione se në lidhje me këtë çështje ka pasur ndonjë reagim nga Qeveria e Malit të Zi.

Shqiptarët pa bilborde
Në krahasim me të tjerët, shqiptarët në këtë aspekt janë të heshtur, që dëshmohet se nuk kanë vendosur asnjë bilbord. Por, para një muaji nga Komuna e Tuzit, përkatësisht kryetari Nikë Gjeloshaj, ka reaguar për mungesën e gjuhës shqipe në logon e regjistrimit të popullsisë nga ana e MONSTAT-it, duke kërkuar shtyrjen e regjistrimit të popullsisë për një muaj. Por, nga ana e qeverisë reaguan menjëherë, duke e vendosur gjuhën shqipe në logon e regjistrimit.
Por, si më parë edhe tash në Komisionin Shtetëror të Regjistrimit të Popullsisë, nuk është asnjë shqiptar, që është dëshmi e pabarazisë praktike në këtë mjedis multinacional. Për këtë çështje, e cila nuk është personale apo partiake deri me tash nuk kemi dëgjuar se ka reaguar ndonjë subjekt politik i shqiptarëve.

Diaspora, çështje e veçantë
Duke marrë parasysh se në lidhje me regjistrimin e popullsisë nuk është organizuar ndonjë fushatë e veçantë për të informuar qytetarët, çështje të veçantë paraqet regjistrimi i diasporës. Kujtojmë me këtë rast se në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, ajo është diskriminuar, duke mos u regjistruar. Ishte ky një veprim absurd, sepse në vitin 2003 është regjistruar e tëra, me të dhëna numerike për tërë Malin e Zi. Mbetet të presim fillimin e regjistrimit dhe procesin e evidentimit të tyre, sepse ata kanë lindur këtu duke qenë shtetas të këtij vendi, andaj duhet të jenë pjesë e procesit të regjistrimit të popullsisë sikurse qytetarët tjerë në vend.

Shtyrje e regjistrimit apo bojkot i tij
Se në Mal të Zi kemi ndarje të qytetarëve sipas përkatësisë kombëtare, një dukuri e tillë është duke u manifestuar edhe në prag të regjistrimit të popullsisë. Derisa partitë serbe janë për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë në afatin e paraparë (1-15 nëntor), partitë e opozitës, të cilat janë pro-malazeze (PSD, SD) kanë rezerva në këtë aspekt, sepse sipas tyre, nuk janë krijuar kushtet optimale për mbajtjen e tij. Në këtë aspekt ata theksojnë faktin se institucionet nuk funksionojnë në kapacitet të plotë, ndërsa qeveria është në mandatin teknik më shumë se një vit, kuvendi nuk punon nga korriku sepse nuk është zgjedhur kryetari i Kuvendit si dhe ende nuk është formuar qeveria e re. Në këtë nismë i janë bashkangjitur edhe organizata të ndryshme, ku veçohen edhe këshillat kombëtare, përveç të serbëve, që janë për shtyrje të regjistrimit apo bojkotimit të tij.
Madje, deklarata e fundit nga ana e PSD-it del qartë, se për mbajtjen e regjistrimit duhet të kemi ambient stabil shoqëror dhe të funksionimit të institucioneve dhe inkuadrimin e subjekteve dhe të opinionit të interesuar për ta bërë këtë proces transparent. Ndërsa, në mungesë kushteve të tilla ata kërkojnë shtyrje të regjistrimit për gjashtë muaj, por nëse nuk merret parasysh një kërkesë e tillë ata do të ftojnë qytetarët në bojkot të regjistrimit.

Frikë nga ndryshimi i strukturës kombëtare të popullsisë
Nuk ka dilemë se një qëndrim i tillë nga ana e tyre dëshmon qartë frikën se do të ndryshojë struktura kombëtare e popullsisë në nivel vendi, çështje e cila në të kaluarën ka qenë vazhdimisht nën kontrollin e tyre. Por, askush nuk duhet të frikësohet nga realiteti, sepse është e drejtë e ligjshme që qytetarët të deklarohen se cilës kombësi, fe e gjuhë i përkasin, pa imponime si kudo në botën demokratike.
Ndërsa, për regjistrimet e kaluara (1948-2011) ka fakte të mjaftueshme se janë bërë falsifikime numerike në këtë drejtim, e kjo kryesisht në favor të malazezëve e në dëm të popujve tjerë, që ishte në kundërshtim me realitetin në këtë mjedis multinacional. Analiza e kësaj çështjeje sipas vendbanimeve të banuara me popullsi shqiptare e dëshmon në mënyrë transparente një konstatim të tillë.

Të fundit

më të lexuarat