Festivali zogj-kripë-natyrë

Gazmend Çitaku

Nga data 12 – 14 shtator 2024 në arealin e kripores së Ulqinit për të katërtën herë me radhë u mbajt Festivali Bird-Salt-Nature. Është ky një festival që e organizon MSJA – Dr Martin Schneider-Jacoby me qendër në Ulqin dhe ky Festival i kushtohet natyrës dhe ambientit ku jetojmë. Ishin këto tri ditë të mbushura me aktivitete të ndryshme duke filluar me ato ambientale si Bird watching, pastaj aktivitet si pastrimi i disa vendeve kyçe të fabrikës së dikurshme për përpunimin e kripës, edukative ligjërata lidhur me shfrytëzimin e mbetjeve ushqimore por edhe ruajtjen e ambientit si dhe në fund dy mini-koncerte me muzikë klasike nën ekzekutimin e dy instrumenteve si harpa dhe harmonika elektrike.
Nata e parë si zakonisht në hapjen zyrtare përveç udhëheqëses së organizatës MSJA zonjushës Zenepe Lika e cila mbajti fjalën hyrëse të pranishmit i përshëndeten edhe nënkryetari i Komunës së Ulqinit z. Beqir Sella si dhe kryetari i OT së Ulqinit z.Qazim Hoxha. Në ambientin arkaik para rrënojave të ndërtesës së kripores nën tingujt magjik të harpës një instrumentit po aqë arkaik i cili mbijetoi që nga antikiteti dhe nën ekzekutimin briliant të profesoreshës Milica Kankarash Berber të pranishmit patën fatin të kënaqen me ndihmën e këtyre tingujve magjik të bëjnë lidhje direkte mes muzikës që prodhonte harpa dhe natyrës e cila imitohej në mënyrë të përkryer nga ekzekutimi i profsoreshës. Pas këtyre pikave muzikore aktiviteti zhvendoset në lokalet e Muzeut natyror të Kripores ku programi vazhdoi me “Salina cinamatography” me çrast u shfaqen tre filma të shkurtër që kishin të bënin me ambientin dhe të prodhuar nga Shoqata e Ekologëve të Malit të Zi (CDE). Filmi i parë fliste për fatin e Kërrnjës – një lloj i peshkut të detit tonë e që është në rrezik të zhduket. Pasoi filmi për rrjedhën e lumit Cem dhe kanjonit me po të njejtin emër dhe në fund filmi lidhur me Komarnicën dhe luftën për mbrojtjen e saj.
Në vazhdim Paneli diskutues preku temën e Ujërave të Malit të Zi si dhe Legjislacionin ndërkombëtar lidhur me mbrojtjen e ambientit dhe sfidat që e presin Malin e Zi në përmbushjen e obligimeve si nënshkruese e shumë marrëveshjeve lidhur me ambientin si dhe pretendente kryesore për të hyrë në BE. Ky panel përbëhej nga: prof.dr. Maja Kostiq-Mandiq, Jellena Popoviq dhe Andrijana Miqanoviq nën drejtimin e Zenepe Likës. Në fund të diskutimit harpa erdhi sërish në vëmendje dhe relaksoi të gjithë të pranishmit për të cilët tashmë ishte shtruar edhe banketi me pije dhe ushqime tradicionale.
Dita e dytë që ishte parashikuar për shumë aktivitete të ndryshme mirëpo për shkak të motit të keq ishte e mundur që vetëm në orët e paradites të bëhej e mundur aksioni pastrues i disa pjesëve të ish fabrikës së përpunimi të kripës. Me këtë rast të rinjtë vullnetarë nga qyteti i Ulqinit, me ndihmën e bashkëmoshatarëve nga Podgorica pastruan disa pika të zeza ekologjike brenda Kripores. Ata me ndihmën e makinerive të rënda, e bënë të mundur që disa tonë mbeturina të largohen nga hangari, ndërsa një ekip tjetër me pasion pastroi panelet e çatisë dhe mbeturinat e shpërndara gjithandej. Të rinjtë tanë treguan fuqinë e veprimit të përbashkët. Kjo ishte më shumë se një pastrim – ishte fillimi i krijimit të një ndryshimi, hap pas hapi.
Dita e tretë e Festivalit vie fuqishëm dhe moti i përmirësuar premton një aktiviet sa të ndyshëm aqë edhe shumë interesant. Pas aktiviteteve ditore, mbrëmja hapet me Foto ekspozitën “Ludis in sale” me të cilën studentët e Fakultetit të arkitekturës së UMZ u prezantuan në Ekspozitën ndërkombëtare të hortikulturës “Floralis Internationale, 2024” në Nant të Francës e që kripa nga Kriporja e Ulqinit kishte një rol kyç në krijimin e një hapësire inovative – kopshte të mbushura me ullinj, agrume dhe fiq. Ky pavijon minimalist dhe interaktiv tregoi se si materialet tradicionale si kripa mund të përdoren në dizajnin modern, duke bashkuar përgjegjësinë ekologjike dhe sociale.
Gjithashtu u prezantua edhe tema e magjistraturës së studentes Angjella Bubanja me titullin: “Perspektivat e zhvillimit të shtigjeve panoramike: Zgjidhjet arkitektonike të synuara për të afirmuar identitetin e peizazhit të Malit të Zi”. Një punë e shkëlqyer që duhet parë dhe ne duhet do të bëjmë çmos për ta prezantuar atë një audience më të gjerë në të ardhmen.
Pastaj mbrëmja vazhdon me minikoncertin briliant të profesor Jozo Jankoviqit i cili përmes harmonikës ekzekutoi disa pika nga opusi i muzikës klasike.
Pason prezantimi jo i zakontë dhe i pakdëgjuar lidhur me “Arkitekturën nga mbetjet ushqimore” dhe prezantimin shumë inovativ të dr.Ema Alihoxhiq-Jashareviq. Ajo të pranishmit i përfaroi me këtë lloj arkitekture bashkëkohore dhe prezantoi inovacionet që kishin ndodhur në botë në laminë e arkitekturës së qëndrueshme, me fokus të veçantë në zvogëlimin e mbetjeve ushqimore dhe përdorimin e tyre në dizajn, arkitekturë e veçanërisht në materiale ndërtimore të së ardhmes.
Mbrëmja dhe i gjithë Festivali mbyllet me tingujt e harmonikës së virtuozit Jozo Jankoviqit dhe mund të themi me shumë kompetencë se ky Festival ishte shumë inovativ, bashkëkohor, relaksues, informativ dhe mbi të gjitha hapi disa tema shumë të rëndësishme ambientale e që janë shumë të rëndësishme dhe aktuale.
Vlerësim i lartë për të gjithë ata që u angazhuan dhe mundësuan mbajtjen e BirdSaltPeople:FEST-it të katërt. Ata me angazhimin e tyre dhe me këtë festival Ulqinin e vendosin në hartën e madhe botërore të aktiviteteve inovative dhe bashkëkohore lidhur me problematikën ambientale dhe arkitekturën peizazhore e kulturore si trend botëror shumë bashkëkohor dhe aktual.

Të fundit

më të lexuarat