Në territorin e Shqipërisë do të ngrihet baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Vendimi është marrë nga Këshilli i Atlantikut Verior, organi kryesor për vendimmarrjen politike të NATO-s.
Fjala është për shndërrimin e bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të Aleancës Atlantike. Lajmin e ka bërë të ditur të shtunën kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, përmes medias sociale.
“NATO do të investojë më shumë se 50 milionë euro vetëm për pjesën e parë të projektit për bazën ajrore të Kuçovës”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, realizimi i këtij projekti, që pritet të fillojë sivjet, do ta kthejë Kuçovën, “në një bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror, mbështetje logjistike, mbështetje për policimin ajror, trajnime dhe stërvitje të Aleancës Atlantike.”
Vendimi vjen pas ofertës së Shqipërisë, pa kaluar katër muaj nga vizita zyrtare e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në SHBA, dhe oferta që ajo i bëri sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, në emër të qeverisë së Tiranës, “për eksplorimin e mundësive për një footprint të NATO-s apo të SHBA-së në Shqipëri”.
Vetë ministrja Xhaçka e cilësoi të shtunën vendimin si “një vlerësim të madh të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”.
Vlerësimi mbështetet në plotësimin e detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, që nga pjesëmarrja e forcave të saj të armatosura në strukturat e NATO-s në të gjitha angazhimet që lidhen me sigurinë, me trupa në misione në Afganistan, Letoni, Kosovë, Detin Egje, në misionet e BE-së në Mali dhe Bosnjë-Hercegovinë deri në angazhimin në luftën globale kundër terrorizmit. Përtej detyrimeve të saj si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është sot një vend që prodhon siguri në rajon dhe më gjerë.
Vendimi për ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Shqipëri vlerësohet të ketë përfitime shumëplanëshe. Shqipëria në territorin e saj ka tri baza ajrore operacionale: Baza Ajrore e Tiranës, ku ndodhet edhe Qendra Kombëtare e Kontrollit dhe Raportimit për NATO-n. Ajo i raporton Qendrës së Sistemit të Integruar të Mbrojtjes Ajrore të NATOs, e njohur si Combined Air Operation Centre (CAOC); Baza Ajrore e Laprakës, në periferi të Tiranës, që përbëhet nga helikopterë që përdoren për transport qeveritar dhe emergjenca; dhe Baza Ajrore e Kuçovës. Avionët luftarakë sovjetikë dhe kinezë që trashëguan bazat ajrore të Tiranës dhe Kuçovës ishin kaq të vjetra dhe jashtë përdorimit, sa vetëm para pak vitesh u bë e mundur të shiten ose për skrap ose muzeumeve.
Shndërrimi i bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të NATO-s është një mundësi që Shqipëria të këtë një bazë ajrore moderne. Kjo pasi kjo bazë do të ketë dy funksione: do të jetë bazë për forcat ajrore të Shqipërisë dhe bazë ajrore për NATO-n. Investimi strategjik prej 50 milionë euro vetëm për fazën e parë të projektit, flet vetë për teknologjinë dhe avionët që do përdoren.
Përpos kësaj, kryemnistri Rama e sheh përfitimin edhe më tej kur shkruan se “një investim i këtyre përmasave krijon mundësi për zhvillim ekonomik dhe social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze ajrore me teknologjinë e fundit”.
Përfitime ka edhe rajoni, për të cilin shndërrimi i bazës ajrore të Kuçovës në një bazë ajrore të NATO-s tregon një vëmendje të shtuar ndaj rajonit, përballlimit të rreziqeve të mundshme nga përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin e saj, destabilizuar dhe nxitur konflikte.
Përfitime pritet të ketë edhe Bashkimi Evropian në synimin e tij për një rajon pranë tij, si Ballkani Perëndimor, që të jetë në siguri, paqe dhe stabilitet. (DW/Kohapress)
