Pishtarë të dritës dhe përparimit që kujtohen me respekt

“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë.” (Konfuci)

Hajrullah Koliqi

Sa të ëmbla dhe nostalgjike janë çastet e kujtimit! Kujtoj mësuesit e parë krajanë të cilët, bashkë me kolegët e tyre të mëvonshëm vendas dhe me ata nga Ana e Malit, Ulqini, Malësia dhe Kosova, kontribuuan në masivizimin e arsimit shqip, emancipimin dhe zhvillimin kulturor në Krajë. Ata i vunë themelet e arsimimit të shumë intelektualëve e veprimtarëve krajanë (mësues, arsimtarë, mjekë, profesorë, doktorë shkencash, akademikë etj.). Në këtë grup të mësuesve pararendës krajanë bëjnë pjesë:
IBRAHIM REXHA (1918-1956). Lindi në Ostrosin e Vogël. Shkollën fillore katërvjeçare e kreu në Koplik. Kreu disa kurse pedagogjike (Ulqin, Tivar dhe Kosovë). Ishte mësues në Ftjan, Kështenjë dhe Arbnesh. Kujtoj kur isha në klasë në shkollën fillore në Kështenjë, në një dhomë përdhese, pa dritare. Mësues Ibrahimi, gjithnjë në këmbë, fliste e këshillonte… Ne nxënësit dëgjonim me vëmendje mësuesin tonë të dashur dhe pedant. Vdiq i ri, por kujtimi i tij mbeti i paharruar. Respekt deri në përjetësi! T’falem nderit Mësuesi im / Unë Ty nuk t’harroj kurrë / E ke vendin n’zemrën time / Si Shqiponja në Flamur.
REXHEP GJEÇBRITAJ (Rexhep Lani, 1922-1998). Lindi në Arbnesh. Më 1934 kreu shkollën fillore në gjuhën serbe, në Maxhuraj. Në vitin 1947 kreu kursin pedagogjik në Ulqin, më pas edhe në Prizren e Pejë. Në vitin 1960 kreu edhe shkollën normale në Nikshiq. Në vitin 1947 u emërua mësues në shkollën fillore në Maxhuraj. Mësimdhënien e ushtroi gjatë gjithë jetës. Tetë vite ishte drejtor i shkollës tetëvjeçare në Ostros, pastaj mësues në Arbnesh dhe zëvendësdrejtor i shkollës në Ostros. Ka drejtuar edhe kurse kundër analfabetizmit etj. Ky krajan i urtë dhe i arsimuar tërë jetën ia kushtoi arsimit dhe emancipimit në Krajën e tij. Në kujtesën e popullit Rexhep Lani njihet me respekt si drejtor shkolle.
HYSEN CUKU (Hysë Hasani, 1925-2004). Lindi ne Ostrosin e Madh. Në vitin 1940 kreu shkollën fillore katërklasore në gjuhën serbe në Maxhuraj. Nga viti 1947-1951 ndoqi pesë kurse pedagogjike, dy në Ulqin dhe tre në Kosovë. Gjysmëmaturën e kreu në Pejë. Diplomoi për mësues më 1966 në shkollën normale në Shkup. Kreu edhe provimin profesional në Prishtinë. Në vitin shkollor 1947/1948 emërohet mësues në shkollën fillore në Vuthaj (Guci), ndërsa në vitin 1949 emërohet mësues në shkollën fillore në Ftjan, ku punoi nëntë muaj, pastaj në shkollën fillore në Kështenjë, ku punoi disa vjet. Punoi edhe në paralelen e ndarë në Arbnesh. Për shumë vite punoi në ciklin e ulët të shkollës tetëvjeçare në Ostros, ku punoi deri në pension. Një jetë në arsim. Mësues Hysi ishte model për sjellje, rregull dhe korrektësi në punë.
JANKO PERKOLA (Perkoliq, 1926-1995). Lindi në Nënmal (Karanikiq) të Shestanit. Pas shkollës fillore katërklasore në gjuhën serbe në Gjuraç, kreu tri klasë të gjimnazit të ulët në Shkodër. Kreu disa kurse pedagogjike dhe shkollën normale në Kosovë. Në vitin shkollor 1947/1948 u emërua mësues në shkollën fillore në Arbnesh. Kur në shkollën tetëvjeçare të Ostrosit u hap klasa e pestë, ai u bë drejtori i parë i saj. Aty mbante edhe disa lëndë mësimore dhe udhëhiqte një paralele të mësimit klasor. Ishte mësues edhe në shkollën fillore shqipe në Muriq të Poshtëm, më pas në shkollën e Gjuraçit në gjuhën serbe, ku punoi deri në vitin 1986. U shqua si mësues i përkushtuar dhe oganizator i mirë i mësimit dhe arsimit.
ALI CUKU (Ali Dani, 1923-?). Lindi në Ostros të Madh. Klasën përgatitore dhe klasën e parë të shkollës fillore në gjuhën serbe i kreu në shkollën fillore në Maxhuraj. Në vitin shkollor 1934/1935 regjistrohet në shkollën fillore në Vrakë, të cilën e kryen për katër vite. Në vitin 1947 vijoi kursin e parë pedagogjik në Ulqin, pastaj edhe kurse të tjera. Po në atë vit (1947) emërohet mësues në shkollën fillore në Bobosht, ku punonte me katër klasë. Aty punoi gjashtë vite, pastaj në Ostros dy vite, në Arbnesh tre vite, më pas edhe në Ftjan, prej nga sërish transferohet në Arbnesh, ku punoi dy vite dhe doli në pension. Ali Cuku ishte mësues i dashur dhe i respektuar nga të gjithë.
HASAN GJEÇBRITAJ (Hasan Hoxha, 1929-1979). Lindi në Arbnesh. Shkollën fillore e kreu në Maxhuraj në gjuhën serbe. Ndoqi disa kurse pedagogjike në Ulqin, Tivar etj. Në vitin shkollor 1947/1948 u emërua mësues në shkollën fillore në Martiq, ku punoi deri në vitin 1952, kur u arratis në Shqipëri. Edhe atje ishte mësues në Llakatund të Fierit e më pas në Fier. Ndonëse në Krajë punoi për një kohë të shkurtër, Hasan Hoxha njihet si mësues i guximshëm.
PJETËR PALI (Pavlloviq, 1928-?). Lindi në Ljare. Shkollën fillore katërklasore në gjuhën serbe e kreu në vendlindje dhe në Tivar, tri klasët e gjimnazit të ulët i kreu në Shkodër, ndërsa klasën e katërt e kreu në Prizren. Në vitin 1950 kreu shkollën normale në Gjakovë. Dy vjet ishte mësues në Katërkollë, pastaj u emërua mësues në shkollën tetëvjeçare në Ostros, ku vite me radhë ishte mësimdhënës i matematikës dhe fizikës. Pati edhe një paralele të ciklit të ulët në Ostros. Për shume vite ishte mësues dhe arsimtar në shkollën tetëvjeçare të Shestanit (Gjuraç). Mësues Pjetri ishte një njeri i qetë dhe korrekt në punë.
MYRTA CURA (1921-1994). Lindi në Ostros të Madh. Kreu shkollën fillore katërklasore në gjuhën serbe në Maxhuraj. Kreu edhe disa kurse pedagogjike. Në vitin 1966 u diplomua në shkollën normale në Shkup. Fillimisht u emërua mësues në shkollën fillore në Kravar, Ana e Malit, e pastaj u transferua në Krajë. Ishte mësues në shkollën fillore në Ftjan, përkatësisht në Arbnesh, Skje dhe së fundmi në ciklin e ulët të shkollës tetëvjeçare në Ostros. Për dallim nga të tjerët, ai ishte edhe aktivist politik.
Këta pararendës të arsimit shqip dhe emancipimit në Krajë, fillimisht nuk kishin përgatitje të rregullt profesionale. Ata kishin vetëm katër klasë të shkollës fillore dhe kurse pedagogjike. Ishin edhe mësues edhe nxënës, njëkohësisht.
Mësuesit në fjalë punuan në rrethana të jashtëzakonshme, pa kushte elementare për punë, në objekte private e të papërshtatshme, pa mjete e pajisje themelore mësimore, me klasa të kombinuara, pa kushte higjenike, pa ujë, pa rrymë elektrike, pa rrugë automobilistike. Shumë prej tyre udhëtonin nga disa kilometra në ditë nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.
Problem i veçantë ishte edhe fanatizmi i disa krajanëve, të cilët ngurronin t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkollë, sidomos vajzat etj. Edhe në këto kushte, ata punuan me përkushtim, vullnet e privacione të mëdha, jo vetëm me nxënësit në shkollë, por edhe jashtë saj në aktivitete e kurse për emancipimin e grave dhe vajzave etj. Në ato kushte, përkundër vështirësive dhe privacioneve të shumta, ata bënë më të mirën e mundshme. Ndaj, pishtarët e tillë të dritës dhe përparimit kujtohen dhe duhet të kujtohen me respekt dhe pietet të lartë, sidomos nga ish-nxënësit dhe bashkëvendësit e tyre. “Profesioni i mësuesit është i ngjashëm me misionin e profetëve”, thotë Muhamed Gazaliu.

Të fundit

më të lexuarat