
Ajo çfarë kam tentuar të shpjegoj (në artikullin tim në numrin e kaluar të gazetës “Koha javore”) lidhur me atakun mbi heroin kombëtar Dedë Gjo’ Luli si shëmbëlltyrën e etosit, ka qenë të alarmoj se me fundosjen e etosit (atë që ndiejmë) dhe shndërrimin apo transformimin tonë, rrezikojmë edhe etnosin (atë që ne përfaqësojmë), dhe ne si shqiptarë kombin e kemi të bazuar në etnos.
Në shkencat shoqërore, veçanërisht në antropologji dhe sociologji, koncepti i etnosit zë një vend qendror në studimin e identitetit kolektiv. Ai lidhet ngushtë me mënyrën se si një grup njerëzish e percepton veten dhe trashëgiminë e tij historike, kulturore dhe gjuhësore.
Termi “etnos” rrjedh nga greqishtja ethnos, që do të thotë “popull” ose “bashkësi”. Sipas sociologut Max Weber, etnosi përkufizohet si një grup njerëzish që ndajnë besimin në një prejardhje të përbashkët, pavarësisht nëse kjo është objektivisht e vërtetë apo jo, kurse antropologu Fredrik Barth thekson se etnosi nuk përcaktohet vetëm nga përmbajtja kulturore, por edhe nga kufijtë socialë që e dallojnë një grup nga të tjerët. Në mënyrë më të përgjithshme, etnosi përfaqëson një bashkësi njerëzish që ndajnë gjuhën, traditat dhe zakonet, historinë e përbashkët, vetëdijen për përkatësi, sepse etnosi është bartës i identitetit kulturor dhe historik i cili përfaqëson një sistem simbolesh dhe vlerash që i japin kuptim jetës së individit brenda një komuniteti.
Ne si shqiptarë e kemi të rëndësishme që kombin ta bazojmë mbi etnosin, sepse sipas studiuesit Benedict Anderson, kombet (dhe në mënyrë të ngjashme etnoset) janë “bashkësi të imagjinuara” që ekzistojnë, sepse njerëzit besojnë në përkatësinë e tyre të përbashkët. Në këtë kuptim, etnosi nuk është vetëm një realitet biologjik apo gjeografik, por një konstrukt social dhe kulturor që ndërtohet dhe riprodhohet vazhdimisht. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm shumëfish, sepse etnosi na paraqitet i dobët dhe si rrjedhojë, nëse dëshirojmë ta ruajmë, kërkon që t’i mbrohet me fanatizëm struktura që e mbështjellë atë e që është etosi; nëse nuk e mbështjellë – atëherë le të jetë bërthama e tij.
Ruajtja e etnosit s’do mend se realizohet përmes disa mekanizmave dhe përbërësve kryesorë etnologjikë, si gjuha, e cila është elementi themelor i transmetimit kulturor, pastaj traditave dhe zakoneve të cilat përfshijnë ritualet, festat dhe mënyrën e jetesës, arsimit dhe socializimit ku brezat e rinj mësojnë historinë dhe kulturën e tyre. Etnosi ruhet edhe përmes kujtesës historike, e cila arrihet përmes rrëfimeve, miteve dhe figurave historike. Për këtë arsye atakohet Dedë Gjo’ Luli, që të asgjësohet dhe neutralizohet te ne mbrojtja e etnosit, i cili është një proces aktiv që përfshin rezistencën ndaj asimilimit kulturor, ruajtjen e gjuhës amtare, mbrojtjen e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore, forcimin e identitetit përmes institucioneve dhe kulturës si dhe asgjësimin e intuitës së fortë që kemi për vetëqeverisje dhe autonomi. Në këtë aspekt, rolin më të rëndësishëm historik e ka luajtur heroi kombëtar Dedë Gjo’ Luli, sepse simbolizon rezistencën ndaj rrezikut të humbjes së etnosit.
Krijimi i etnosit shqiptar është një proces i gjatë historik dhe kompleks që lidhet me zhvillime demografike, kulturore, gjuhësore dhe politike. Ai nuk ka ndodhur në një moment të vetëm, por është formuar gradualisht përmes ndërveprimit të popujve të ndryshëm gjatë mijëra viteve, që nga periudhat parahistorike dhe antike, ku territori ilirik banohej nga fise dhe grupe që formonin bashkësi të bazuara në lidhje gjaku, gjuhë dhe zakone të përbashkëta – elemente që përbëjnë bazën e etnosit, ku me kalimin e kohës këto fise filluan të ndërveprojnë dhe të transformohen. Një rol shumë të rëndësishëm në formimin e etnosit tonë kanë pasur perandoritë e mëdha, si Perandoria Romake, Bullgare, Serbe dhe më vonë Perandoria Bizantine e Osmane. Këto struktura politike bashkuan popuj të ndryshëm nën një administratë të përbashkët, duke ndikuar në përhapjen e gjuhëve dhe interferuar në gjuhën tonë, përhapjen e feve, standardizimin e ligjeve dhe kulturës në simbiozë me atë vendase etj. Megjithatë, edhe pse perandoritë krijuan njëfarë uniteti të tyre të brendshëm, ato nuk i zhdukën dallimet etnike – ato u rezistuan asimilimeve.
Gjatë periudhës së njohur si Migrimet e Mëdha të Popujve (shek. IV-VI), shumë popuj si gotët, vandalët, sllavët dhe hunët u zhvendosën nëpër Evropë, por edhe në territore të banuara nga etnosi ende ilir dhe pa dyshim këto lëvizje sollën përzierje të popullsive, krijimin e identiteteve të reja, ndryshime në strukturat kulturore dhe gjuhësore, por ky proces ishte vendimtar edhe në formimin e etnosit tonë.
Në Mesjetë, me krijimin e mbretërive dhe principatave, etnosi filloi të lidhej më shumë me territorin dhe pushtetin politik. Feja, sidomos krishterimi, luajti një rol të madh në unifikimin kulturor, ndërsa gjuha si element etnik filloi të forcohet. Në këtë periudhë lind identiteti që sot njihet si kombi, kurse në shekujt XVIII-XIX, me lindjen e nacionalizmit, etnosi mori një dimension të ri. Shqiptarët filluan të kërkonin shtet kombëtar, të bazuar në gjuhë dhe kulturë të përbashkët.
Studiuesit si Ernest Gellner theksojnë se kombet moderne janë produkt i zhvillimeve industriale dhe politike të kësaj periudhe. Natyrisht kjo vlen për Evropën, kurse ne jemi produkt i vullnetit të rilindësve tanë. Në këtë fazë u standardizua gjuha si element përbashkues kombëtar, u shkrua historia kombëtare, u promovuan figurat heroike si ajo e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut si personazh kyç për bashkimin e shqiptarëve rreth një ideali të përbashkët, po ashtu traditat u vunë në pah si element diferencues me të tjerët.
Tani t’i kthehemi pak nivelit lokal, 24 marsit të vitit 1911, kur shpërtheu Kryengritja e Malësisë së Madhe, sepse aty zuri fill dinamika për realizimin definitiv të Shqipërisë së ëndrrave të shqiptarëve, që vazhdon të evoluojë edhe sot por edhe të vlojë.
Ka shumë arsye se pse na duhet Dedë Gjo’ Luli, si në rrafshin kombëtar që të përforcojmë idenë se kombi i bazuar në gjuhë dhe etni ka lidhje të forta me Prizrenin e Lidhjes, Pejën e Kuvendeve, Manastirin e Alfabetit, Korçën e Elbasanin e shkollave, Janinën e Shkodrën e shkëndijave të kombit që do shtet, së bashku me këtë cep të flamurit, që Vlora e kurorëzoi në kokën e shtetit shqiptar. Na duhet fort Dedë Gjo’ Luli, sepse ka mbajtur flamurin mbi të cilin u përbetua Isa Boletini, Shaban Polluzha, Adem Jashari. Me atë flamur u frymëzua Kosova sa herë kërkonte republikë, në krye të çdo demonstrate, mbi trupin e çdo çlirimtari. Sepse flamuri i Dedë Gjo’ Lulit nuk është madhështi por modesti që na duhet, se ai vendoset mbi çdo rrënojë të shkaktuar nga ata që deshën të na shfarosin e sa herë ngrihet kulmi i ri.
Heronjtë kombëtarë, në rastin tonë Dedë Gjo’ Luli, përfaqësojnë identitetin shqiptar të malësorit, vlerat dhe historinë tonë, duke krijuar një lidhje të fortë mes brezave dhe kujtesës kolektive, për etninë tonë. Heroi i tillë simbolizon unitetin, guximin, lirinë dhe drejtësinë, duke shërbyer si model morali dhe pikë referimi për përpjekjet si pakicë kombëtare.
Dedë Gjo’ Luli nuk ishte vetëm strateg dhe personalitet i pranishëm në çështjet kombëtare. Ai pa dyshim u bë edhe fryma e Rilindjes Kombëtare, duke bashkuar një popull të fragmentuar në një vizion të përbashkët, duke u vendosur në funksion e simbole të identitetit kombëtar, duke materializuar në një emër krejt përpjekjet shekullore të një populli të pushtuar. Përmes tregimeve mbi guximin, sakrificat dhe veprat e tij, brezat e rinj mund të kuptojnë origjinën dhe rrugën historike të kombit, duke u bashkuar përpjekjeve për shtet shqiptar. Një figurë e tillë krijon kohezion social, duke kujtuar heronjtë individët ndihen pjesë e një grupi më të madh dhe përjetojnë një ndjenjë “ne”, e cila forcon unitetin dhe solidaritetin brenda komunitetit.
Megjithatë, dashakeqët e dinë se kur heronjtë sulmohen ose diskutohet roli i tyre, kjo mund të shkaktojë konflikte brenda shoqërisë dhe paraqet kërcënim ndaj identitetit kombëtar, pa ofruar diskutim si një mundësi për të rishikuar dhe kuptuar më mirë të kaluarën, pa metodologji shkencore se si duhet të vlerësohet e kaluara, por paraqesin një shembull flagrant të rrezikshëm të përplasjes mes traditës dhe ndryshimit, pa gjetur ekuilibrin midis respektit për historinë dhe krijuar kushte me hapa të kujdesshëm që çojnë drejt hapjes ndaj kritikës konstruktive dhe argumenteve me bazë shkencore, duke rrezikuar kohezionin e brendshëm.
Filozofë të njohur si Herder dhe Fichte e kanë konsideruar etninë si bërthamën e identitetit dhe kulturës kombëtare, e ky është parametri i kombit shqiptar, sepse këto mendime nuk janë absolute e që kanë të bëjnë me kombin. Nga ana tjetër, mendimtarë si Renan, Mill, Anderson, Gellner dhe Habermas sugjerojnë se një komb i fortë nuk duhet të mbështetet vetëm në etni, por në vlera të përbashkëta, ligje dhe qytetari aktive, duke promovuar një identitet më përfshirës dhe më të qëndrueshëm. Këto ide sot kanë marrë epërsi në mendimet bashkëkohore dhe po këto ide mund t’i trazojnë shqiptarët në themel, si për shembull tendencat e dëmshme për kombin kosovar.
Reagimi ndaj sulmit të koordinuar mbi Dedë Gjo’ Lulin nuk duhet të jetë emocional dhe instinktiv, as të shprehet me ndjenjë indinjate ose zemërim, pavarësisht se kjo perceptohet si një sulm ndaj vetë identitetit kombëtar e në veçanti etosit malësor në rastin e tij, por çdo sulm duhet të analizohet nga vjen dhe më cilin qëllim, e besa duke pritur fushata të tjera edhe më të egra dhe të zhbalancuara që nuk kanë për qëllim zbardhjen e së vërtetës dhe dialogun konstruktiv. Sepse sa dashakeqëse janë sulmet, më së miri vërehet kur hidhet në qarkullim një fotografi e kontestueshme, bile pa kontekstualizimin historik apo shpjegimin e kohës dhe kushteve në të cilat veproi Dedë Gjo’ Luli, pastaj pa rivlerësimin e meritave dhe eventualisht kufizimeve, duke pranuar mangësitë pa u minimizuar roli i tyre, duke injoruar në anën tjetër theksimin e vlerës simbolike të heroit, për të treguar rëndësinë e veprave të tij në krijimin e identitetit kombëtar. Sulmi vjen duke mos përdorur burime të besueshme, dokumente, letra, studime historike dhe natyrisht, edhe ajo që nuk pritej nga sulmuesit, kjo fushatë kundër Dedë Gjo’ Lulit nuk promovon kulturën e dialogut, duke veçuar e dalluar kritikën konstruktive nga ofendimi i pavend që shkaktohet. Ndërsa ne që Dedë Gjo’ Lulin e kemi hero duhet dhënë kontributin konstruktiv se një shoqëri e matur dhe e pjekur intelektualisht mund të përballojë diskutimet mbi heroin pa humbur unitetin kombëtar. Çdo promotor i qarqeve të dyshimta e di se kur kritikat bëhen me qëllim për propagandë ose përçarje, ato mund të shkaktojnë polarizim, krizë identitare ose radikalizim. Po ashtu dashamirësit duhet ta dinë se kritika e balancuar është një shenjë e rritjes kulturore dhe demokratike. Ajo e ndihmon kombin të kuptojë më mirë të kaluarën, të rishikojë vlerat dhe të zhvillojë mendim kritik te brezat e rinj dhe po s’u veprua kësisoj, si hjekësi, si gërgasi qëllimin e kanë padiskutim në krijimin e përçarjes dhe uljen e figurës së heroit.
Dedë Gjo’ Luli na është mohuar ne shqiptarëve në Malin e Zi. Ai pengohet që të ketë bust, institucion apo shesh dhe rrugë me emrin e tij. Qarqet shtetërore e kanë shpallur si figurë armiqësore dhe të padëshirueshme, nuk është pjesë e planprogrameve shkollore të detyrueshme dhe brenda nesh por larg mundësisë që të shërbejë me jetën dhe veprën e vet si model i frymëzimit. 6 Prilli si ngjarja më e madhe që ka zhvilluar Malësia dhe ndër të paktat që ka kombi, nuk është datë që mund të shënohet zyrtarisht nga shqiptarët autoktonë.
Malësia e di dhe e ka të vështirë të ballafaqohet me realitetin, e unë po e shkruaj me boçë në fyt se me vrasjen e Dedë Gjo’ Lulit u vra edhe Shqipëria e ëndrrave të malësorëve, duke lëvizur përjetësisht drejt së panjohurës.
