
Në zonën e Cërmnicës (Cërmica, Cermeniza), aktualisht me popullsi serbo-malazeze, në një kodër mbi qytezën e Virpazarit, gjendet një nga kështjellat më të njohura në Malin e Zi. Zyrtarisht quhet “Tvrđava Besac” (Besac Fortress). Njegoshi e quan edhe “grad Besac”. Ka mundësi që ajo të jetë një kështjellë shumë e hershme, por për këtë mungojnë të dhënat relevante. Dihet me saktësi se atë kështjellë ushtarake e ndërtuan turko-osmanët, pas pushtimit të Zetës së Poshtme (1478). Luftëtarët e nahisë së Cërmnicës e pushtuan dhe e shkatërruan atë në vitin 1702 (Natën e Krishtlindjes). Për këtë ngjarje, Njegoshi në “Kurorën e Maleve” (1847), ndër të tjera, shkruan: “Po Crmnici Turke isjekosmo / i grad Besac s zemljom izravnismo” (“Nëpër Cërmnicë i kemi prerë turqit / dhe qytetin Besac e kemi bërë rrafsh me tokë”). Historia e saj vazhdon. Në vitin 1847 thuhet se e rindërtoi Njegoshi, ndërsa në vitin 1957, autoritetet malazeze e shpallën monument të trashëgimisë kulturore.
Studiuesi Petrit Latifi konsideron se origjina e emrit “Besac” është në lashtësi dhe lidhet me emrin e fisit ilir të BESËVE (Beasus, Beusantis). Ai shkruan se “në Krajë ne kemi fshatin (vendbanim, H. K.), Besa/Besi, siç duket me origjinë në lashtësi. Po ashtu me këtë emër është edhe kështjella Besac në Virpazar etj.” Kjo mbështetet edhe në faktin se në lashtësi, viset përreth liqenit të Shkodrës ishin të banuara nga labeatët (Labeates locus). Gjithashtu, jo vetëm Kështjella, por edhe kodra ku gjendet ajo quhet “Besac”.
Nga ana tjetër, është pothuaj i gjithëpranuar mendimi se emri “Besac” është më i vonshëm dhe rrjedh nga fjala shqipe “besë/a”.
Në funksion të argumentimit të toponimit “Besac” me prejardhje shqipe në Cërmnicë, e cila ishte njëra nga katër nahitë e para të kazasë së Malit të Zi (Karadag), i cili ishte bashkuar në sanxhakun e Shkodrës në mes të shek. XVI. Dihet se gjatë shekujve edhe në Cërmnicë, fillimisht pjesë e Ilirikut të lashtë, kanë ndodhur migrime të vazhdueshme demografike dhe ndryshime etnike të popullsisë së saj. Veç elementeve të popullsisë së lashtë autoktone, asaj mesjetare sllave etj., në nahinë e Cërmnicës, sidomos nga shek. XV, u vendosën familje nga krahina të tjera, duke përfshirë edhe familje nga Dukagjini, Mirdita, Kuçi, Shkodra etj., por që me kalimin e kohës u sllavizuan. Për praninë e dikurshme të shqiptarëve dhe ndikimin e tyre në Cërmnicë dëshmojnë edhe mikrotoponimet shqipe që ekzistojnë edhe aktualisht, si dhe pasqyra gjenetike e popullsisë së Malit të Zi, ku haplogrupet shqiptare (E, J2b dhe R1b) janë shumë të pranishme.
Në këtë kontekst, natyrshëm shtrohet pyetja: Për çfarë BESE në Cërmnicë bëhet fjalë ose ku e ka origjinën ajo? Përgjigjja mund të lidhet edhe me ndonjë ngjarje historike të veçantë, që ka të bëjë me Kështjellën në fjalë. Disa atë e lidhin me pushtimin dhe shkatërrimin e saj në vitin 1702. Ka të ngjarë se mbrojtësit e Kështjellës e kishin dhënë besën se atë nuk do ta lëshonin për së gjalli. Nga ana tjetër, ka mundësi se pushtuesit vendës të saj të jenë besatua se atë do ta pushtonin me çdo kusht?! Në çdo rast, fjala është për BESËN SHQIPTARE.
Dihet se në vitin 1785, ushtria turko-osmane e udhëhequr nga veziri i Shkodrës, Kara Mahmud Bushati, sulmoi dhe pushtoi Cetinën, asokohe kryeqendra e kazasë së Malit të Zi. Nga Shkodra, nëpër Krajë, Kara Mahmudi mbërriti në Cërmnicë dhe ka të ngjarë se pikërisht në këtë Kështjellë, ai (Kara Mahmudi), para se të pushtonte Cetinën, i dha BESËN parisë së nahisë së Cërmnicës se ushtarët e tij nuk do t’i plaçkisin e djegin fshatrat e saj, nëse do t’i bindeshin atij dhe do të merrnin pjesë në ekspeditën ushtarake për pushtimin e Cetinës. Historia dëshmon se vërtet shumë luftëtarë nga Cërmnica morën pjesë në këtë ekspeditë ushtarake turko-osmane, me ç’rast ata pushtuan Cetinën, dogjën qytetin dhe Manastirin e Cetinës (23 qershor 1785).
Sidoqoftë, rrënja e emrit “Besac” është me origjinë të lashtë ilire ose shqipe, e cila lidhet me BESËN SHQIPTARE, tipar dallues i shqiptarit dhe kult i popullit shqiptar, dëshmuar gjatë historisë. Prandaj, emërtimi sllav “Tvrđava Besac”, në shqip duhet të përkthehet Kështjella e Besës, e jo “Kështjella Besac”.
Kjo kështjellë, pra KËSHTJELLA E BESËS pranë Virpazarit, gjendet rreth 7 km larg gërmadhave të Kështjellës, përkatësisht KULLËS SË OSO BAROTIT në Vraninë. Dëshmi emblematike janë këto, por fatkeqësisht të serbizuara dhe të tjetërsuara, ashtu siç po legalizohet edhe serbizimi i Malit të Rumisë (Mali i Shenjtë, Malicha), në funksion të jetësimit të projektit famëkeq “Bota Serbe” (Serbia e Madhe).
