Funksionarët mediokër – në gjendje të bëjnë gjithçka

Me të drejtë thuhet se nuk ka kurrgjë më të vështirë sesa kur mediokrit intelektualë dhe politikë “veshin petkun” që nuk u përshtatet ose është joadekuat për “shtatin” e tyre. Ata me kohë bëhen mendjemadh, sepse “petkat e tilla” e bëjnë qenien e tyre

Nikë Gashaj

Supozimet vetjake për rolin e udhëheqësit politik zakonisht përcaktohen si aftësi personale për të ndërmarrë iniciativa në situata shoqërore, për të planifikuar dhe organizuar aksionin dhe siguruar bashkëpunim. Andaj, mund të dallohen disa veti qenësore, të cilat ndikojnë në sjelljet e udhëheqësit, sikurse janë:
1) Bindjet politike. Për t’u kuptuar raporti i udhëheqësit dhe i bashkëpunëtorëve, së pari duhet ditur se cilat janë bindjet politike të udhëheqësit. Bindjet politike i përcaktojnë qëllimet dhe strategjitë. Në pajtim me bindjet e udhëheqësit caktohen dhe prioritetet e veprimit politik.
Rëndësia e bindjeve politike varet drejtpërdrejt nga natyra e shoqërisë politike në të cilën udhëheqësi politik vepron. Në ato shoqëri ku ekziston grindja e madhe e vlerave, përçarjet ideologjike, rëndësia e bindjeve është shumë më e madhe sesa në shoqëritë ku ekziston një konsensus i vlerave.
Krahas njohjes së bindjeve politike është e nevojshme të dihet se sa udhëheqësi rrin në mënyrë të qëndrueshme pas bindjeve të veta politike dhe sa janë ato bindje të rëndësishme për të. Sipas këtij dimensioni mund të dallohen udhëheqës me vlera të paluhatshme. Ata janë udhëheqës të drejtuar nga bindjet e tyre politike, të cilave ua kushtojnë tërë politikën. Ai është një kriter i dëshirueshëm i veprimit dhe i marrëdhënieve politike. Lloji i dytë janë udhëheqësit pragmatikë, të cilët u përshtaten kushteve konkrete dhe janë të gatshëm për t’i ndërruar pikëpamjet fillestare me qëllim të arritjes së qëllimeve të caktuara. Derisa të parët i ndërrojnë (nëse është e nevojshme edhe me dhunë) marrëdhëniet konkrete shoqërore në pajtim me bindjet e tyre, të tjerët e ndërrojnë veten, duke iu përshtatur marrëdhënieve shoqërore konkrete.
2) Stili politik. Derisa bindjet politike të udhëheqësit ndikojnë drejtpërdrejt në bashkëpunëtorë, ndikimi i stilit politik është më tepër i tërthortë. Stili politik shprehet në mënyrë të bashkëveprimit me bashkëpunëtorë. Për shembull, vallë udhëheqësi më tepër preferon një raport të drejtpërdrejtë ”sy në sy” ose më tepër mbështetet në ndërmjetësues? A është më tepër i drejtuar në bashkëpunim me të tjerët apo mbështetet ekskluzivisht në mendimet e veta? Si e përdor retorikën politike dhe propagandën? A i studion çështjet në hollësi apo mbështetet vetëm në informata të përgjithshme? A është procesi i vendimeve transparent apo e mban në fshetësi?
Është me rëndësi të theksohet se stili i udhëheqësit ka një ndikim te njerëzit me të cilët udhëheqësi bashkëpunon drejtpërdrejt. Me fjalë të tjera, nga njëra anë udhëheqësi synon për t’i zgjedhur ata bashkëpunëtorë të cilët i kanë vetitë e njëjta apo të ngjashme me stilin e tij të udhëheqjes, ndërsa në anën tjetër edhe vetë bashkëpunëtorët i përshtasin spontanisht sjelljet e veta kundrejt kërkesave të perceptuara nga udhëheqësi. Andaj, udhëheqësi në rrethin e tij të drejtpërdrejtë e krijon një unitet të caktuar, i cili nga njëra anë ia lehtëson vetë procesin e udhëheqjes, mirëpo, në anën tjetër, e vështirëson praninë e qasjeve të ndryshme dhe trajtimin e shikimin e problemeve përkatëse.

  1. Motivacioni. Parashtrohet pyetja: Cilat janë arsyet që personat e veçantë dëshirojnë të bëhen udhëheqës? Ekzistojnë mjaft përpjekje për sistematizimin e këtyre arsyeve. Duke respektuar sistematizimet e tilla mund të dallohen disa arsye të motivacionit, si vijojnë:
    a) Dominimi primitiv – disa autorë mendojnë se te çdo njeri ekziston synimi për të dominuar dhe kjo është jo si rezultat i veçorive të fituara, por kjo rrjedh si veti natyrore nga lindja.
    b) Pushteti mbi të tjerët – në situatat e caktuara, në pajtim me teorinë psikoanalitike, udhëheqësi është objekt i transmetimit të emocioneve në vazhdimësi të varësisë dhe nënshtrimit të bashkëpunëtorëve. Andaj opinioni duhet ta dijë se ka njerëz në shoqëri të cilët kërkojnë të jenë në pushtet, por shoqëria duhet të vendosi mekanizma kontrollues të sjelljeve të tyre.
    c) Nevoja për status – nevoja për prestigj ose status është e përhapur, ashtu që shumë psikologë e kanë vendosur në regjistrin e instinkteve themelore. Mirëpo, nevoja e tillë duhet të sqarohet si motiv për një status më të lartë. Kjo do të thotë lufta për pushtet dhe mundësi të influencës, por edhe më shumë para. Një status më i lartë i mundëson personit edhe kontakte shoqërore me njerëz me statuse të larta.
    ç) Nevoja për zgjidhjen e problemit – Njerëzit me orientime të fuqishme të vlerave, te të cilët mbizotëron ndjenja e përgjegjësisë ndaj bashkësisë për të bërë çka kanë mundësi për zgjidhjen e ndonjë problemi, shpeshherë hyjnë në politikë dhe e marrin rolin e prijësit politik. Atyre politika ose pozita e udhëheqësit nuk iu është dhënë për qëllim, por si mjet për arritjen e qëllimit.
    d) Nevoja për kompensim – sikurse kaherë (1930) ka shkruar Lasswelli, shpeshherë njeriu politik është ai i cili në sferën politike bën përpjekje për t’i kompensuar mossukseset e frustracionet e jetës së tij të përditshme. Përndryshe, mund të vërehet se me politikë shpesh merren personat politikisht të paarsimuar dhe mediokrit. Mirëpo, është e njohur se zhvillimit e progresit shoqëror nuk i duhen “llomotitësit intelektualë dhe politikë”, sikurse ka thënë Zhan Pol Sartri. Njëkohësisht, kjo paraqet degradimin e politikës kadrovike dhe të përgjegjësisë. Pa dyshim, ajo ka pasojë negative afatgjate në marrëdhëniet e përgjithshme të rrjedhave e qëllimeve të zhvillimit shoqëror, në veçanti në qoftë se kuadrot e tilla gjenden në “pozita të rëndësishme” të shtetit dhe shoqërisë.
    Me fjalë të tjera, kuadrot e tillë nuk kanë kuptim, prirje, energji dhe, çka është më e keqe, ata nuk kanë dije elementare, orientim e informacion për njohjet bashkëkohore shkencore dhe për “novacione”. Prandaj, me të drejtë thuhet se nuk ka kurrgjë më të vështirë sesa kur mediokrit intelektualë dhe politikë “veshin petkun” që nuk u përshtatet ose është joadekuat për “shtatin” e tyre. Ata me kohë bëhen mendjemadh, sepse “petkat e tilla” e bëjnë qenien e tyre – e jo dëshpërimin dhe shkretëtirën e tyre shpirtërore.
    Me të vërtetë kur mediokrit arrijnë te ndonjë funksion, ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka, si dhe shumë punë të pandershme, për t’u mbajtur ose për të shkuar edhe në ndonjë funksion dhe më të lartë dhe më me përgjegjësi. Ata janë të prirur për keqpërdorime, kurdisje intrigash e ngatërresash, ashtu që shpesh janë aktorë kryesorë të marrëdhënieve të këqija ndërnjerëzore. Më në fund, nuk mund të mos i përkujtoj fjalët e një mbreti të Spanjës, i cili para listës së kandidatëve për burgosje ka bërtitur: “Medokrit duhet të parët të futen në burg”.
    (Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)

Të fundit

më të lexuarat