
Shpërbërja e federatave socialiste evropiane, luftërat ndëretnike të viteve ‘90 në ish-Jugosllavi, tensionet ndëretnike në një numër vendesh të Evropës Perëndimore, ngriten pyetjen se si të dallohen lëvizjet nacional-emancipuese nga secesionizmi, ndjenjat kombëtare dhe respektimi i vlerave kombëtare nga shovinizmi, domethënë nga shfaqja e jotolerancës dhe urrejtjes ndaj kombeve të tjera. Me një fjalë, si të dallojmë parimin kombëtar si një formë (moderne) e formimit (organizimit) të bashkësisë njerëzore nga nacionalizmi si një ideologji e ”gjakut dhe tokës”?
Kjo çështje nuk është plotësisht e thjeshtë pasi në literaturë ekzistojnë dy mësime të plota të nacionalizmit. Disa autorë, veçanërisht nga ish-Jugosllavia, e kuptojnë termin nacionalizëm ekskluzivisht në konotacionin negativ, siç janë shovinizmi, hegjemonia, unitarizmi nacional.
Megjithatë, në vendet e Evropës Prëndimore, termi nacionalizëm përdoret në kuptimin negativ dhe pozitiv. Ajo që kuptohet në Ballkan si një ndjenjë kombëtare, në Perëndim konsiderohet si nacionalizëm në një kuptim pozitiv.
Filozofi i mirënjohur kroat Millan Kangrga i gjen rrënjët epistemologjike të nacionalizmit etnik në “ngritjen e veçorive në nivelin e përgjithësisë”. Këtu, vetëm individualiteti dhe veçoritë rriten si vlera të vetme. Ndërgjegjja nacionaliste, thotë ai, këmbëngul në veçoritë kundër gjeneralitetit si universaliteti i njerëzimit, i drejtuar vetëm nga ajo e vetja (thjesht e lindur, klanore dhe fisnore dhe e mbyllur në vetvete), dhe kundër gjithçkaje tjetër dhe të ndryshme. Me anë të kësaj, njeriu është më afër llojeve të kafshëve sesa racës njerëzore.
Dy llojet e nacionalizmit rrjedhin nga natyra e dyfishtë e vetë kombit. Është një formë e emancipimit dhe një formë e tjetërsimit. Që kombi nuk është a priori prodhues i shovinizmit dhe hegjemonisë konfirmohet nga shembuj të sjelljeve të ndryshme të Italisë dhe Gjermanisë në situata të ndryshme historike. Këto dy vende, midis dy luftërave botërore, kishin sisteme totalitare, ndoqën një politikë të nacionalizmit agresiv dhe racizmit. Ndërsa sot ato janë në majën e vendeve demokratike.
Nacionalizmi, pra, nuk është a priori, as i mirë as i keq. Domethënë mund të jetë edhe i mirë dhe i keq. Ai nuk është gjithmonë vetëm pozitiv dhe as nuk është gjithmonë negativ. Për shembull, kemi nacionalizmin ekstrem, shovinist në fushatën koloniale të luftës së Ushtrisë së Jugosllavisë apo të Serbisë në sulmin e armatosur në Kosovë në vitet 1998-1999, si dhe krimet masive dhe spastrimi etnik i popullatës shqiptare në Kosovë. Ajo ka të bëjë me një katastrofë humanitare të rrezikimit masiv të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë, për çka ka ndërhyrë dhe NATO-ja. Ajo paraqet një nacionalizëm si ideologji fashiste dhe ideologji okupuese “e gjakut dhe tokës”.
Në anën tjetër kemi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ka përfaqësuar një luftë mbrojtëse, d.m.th. mbrojtjen e mbijetesës së popullit shqiptar në Kosovë, si dhe mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë kombëtare dhe territoriale të Kosovës. Andaj, nacionalizmi i shqiptarëve në Kosovë ka kuptim të nacionalizmit mbrojtës të jetës, lirisë, pavarësisë nga lufta dhe politika imperialiste serbe. Pra, nacionalizmi në Kosovë ka rol çlirimtar, i cili i ka shërbyer qëllimit të barazisë kombëtare dhe fitimit të lirisë dhe demokracisë.
Më tej, nacionalizmi nuk ka të njëjtin kuptim për anglezët dhe për komunitetin katolik të Irlandës së Veriut. Për popujt e Amerikës së Jugut nacionalizmi ka një kuptim mbrojtës, ndërsa nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ai mund të interpretohet si anti-amerikanizëm, anti-globalizëm, madje edhe si anti-demokraci.
Prandaj, nacionalizmi nuk është i njëanshëm, i thjeshtë dhe gjithmonë i njëjtë, pavarësisht nga hohërat e ndryshme dhe rrethanat historike. Sipas disa autorëve, proceset e modernizimit e dërgojnë nacionalizmin në histori. Sipas autorëve të tjerë (Karl Deutsh, Ernest Gelner), janë pikërisht proceset e modernizimit ato që inkurajojnë ringjalljen e nacionalizmit.
Teoricieni i njohur Will Kimllika argumentoi se proceset e institucionalizmit dhe konsolidimit të normave liberal-demokratike nuk e zvogëlojnë rëndësinë e identiteteve etnokulturore në shoqëri. Përkundrazi, ato madje janë intensifikuar në Perëndim, pavarësisht nga efektet e demokracisë (Kuebek në Kanada, flamanët në Belgjikë, baskët dhe katalonasit në Spanjë etj.).
Prandaj, shkaqet e nacionalizmit të orientimit shovinist (etnonacionalizmit) nuk duhet të kërkohen te kombi në vetvete, por te rrethanat e ndryshme brenda shteteve të veçanta kombëtare. Së pari, në pabarazinë e kolektiviteteve kombëtare, d.m.th. në shtypjen e identitetit të kombësive individuale brenda shteteve të përbëra nacionale. Por mund të supozohet me siguri të konsiderueshme se në vendet me zhvillim të vonuar kombëtar, në të cilat klasa qytetare (civile) dhe vetëdija qytetare janë në fillimet e tyre, ka theks më të madh etnik sesa në demokraci, dhe se ka mundësi më të mëdha që çëshja kombëtare të shndërrohet në një nacionalizëm agresiv dhe shovinizëm (shembuj janë luftërat etnike të vitit 1992 në territorin e ish-Jugosllavisë).
Përfundim
Në teorinë politike ka pajtim për dallimin midis nacionalizmit etnik (shovinizmit) dhe parimit kombëtar emancipues. Nacionalizmi kuptohet në dy mënyra themelore: si ideologji e emancipimit kombëtar dhe e barazisë së popujve në një anë, dhe si ideologji e “gjakut dhe tokës”, si shovinizëm dhe racizëm, në anën tjetër.
Domethënë, të gjitha ato përmbajtje, sikurse janë jotoleranca etnike, spastrimi etnik, shovinizmi dhe të ngjashme, janë shënuar si etnonacionalizëm në mjediset e Evropës Perëndimore ose nacionalizmi në vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore. Na duket racionale, për arsye kategorike dhe historike, që varësisht nga qëllimet kombëtare dhe cilat metoda të realizimit të tyre janë në përdorim, dallohen nacionalizmi nacional-emancipues dhe nacionalizmi etnik (etnonacionalizmi). Këtë lloj të dytë të nacionalizmit Habermas e quan fundamentalizëm, i cili, meqenëse çon në jotolerancë, është në mospajtim me kushtetutën e një shteti demokratik.
Shtrohet pyetja: Cilat mund të jenë karakteristikat themelore të nacionalizmit të prejardhjes emancipuese?
Ato janë: dashuria për vlerat kombëtare të popullit të vet dhe respekti për vlerat e popujve të tjerë; hapja ndaj botës dhe hyrja në asociacione integruese; hapja ndaj proceseve të modernizimit dhe demokratizimit; pavarësia dhe barazia në marrëdhëniet midis popujve dhe gatishmëria për të zgjidhur mosmarrëveshjet me kombet e tjera ekskluzivisht me mjete paqësore, duke lidhur liritë e brendshme të qytetarëve me liritë e jashtme të kombit; hapja për bashkëjetesë me nacionalitete të ndryshme (multikulturalizmi).
Ndërkaq, karakteristikat e etnonacionalizmit mund të jenë: madhërimi i vetvetes dhe poshtërimi i popujve të tjerë; gjuha e urrejtjes – fajësimi i kombeve të tjera dhe botës së jashtme për të gjitha fatkeqësitë e popullit të tij (teoria e komplotit); lufta për territoret; spastrim etnik; “hapësirën e jetesës së kombit të vet e kërkon në varrezat e një kombi tjetër”; identiteti i individit zvogëlohet në një dimension të vetëm, në origjinë etnike; neveri ndaj demokracisë, prirje për tirani; të drejat kolektive mbi të drejtat dhe liritë individuale etj.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)
