
Netët e ftohta të dimrit, kur mblidheshim rreth votrës për të dëgjuar rrëfimet e gjyshërve mbi jetën e tyre të mbushur me sakrifica dhe vështirësi, na ndihmonin të kuptonim dallimin e thellë mes brezave. Jeta jonë ishte ndjeshëm ndryshe nga ajo që kishin përjetuar prindërit tanë, ashtu siç edhe sot koha vazhdon të ndryshojë.
Megjithë sfidat e kohës, prindërit tanë u përpoqën me përkushtim të na siguronin një të ardhme më të mirë. Me ardhjen e teknologjisë së asaj kohe dhe veçanërisht të televizorit, nisi një epokë e re ndikimi për brezin tonë. Që në moshë të vogël u ekspozuam ndaj ideologjive të sistemit përmes ekranit, ndonjëherë në mënyrë të tërthortë e shpesh edhe pa vetëdije.
Filmat ideologjikë të asaj kohe dhe programet kushtuar Luftës Nacionalçlirimtare, si “Sutjeska”, “Neretva” etj. shfaqeshin në mënyrë të organizuar, ku edhe shkollat merrnin pjesë. Pjesëmarrja jonë në këto ngjarje propagandistike kishte qëllim të qartë – të na ushqente me ndjenja lojaliteti ndaj një “populli të ri jugosllav”. Ky ndikim, megjithatë, la gjurmë në vetëdijen e brezit të asaj kohe. Disa, edhe sot ruajnë një lloj nostalgjie për atë sistem, pa e kuptuar se pas fasadës qëndronte një Jugosllavi e fabrikuar, e drejtuar nga Beogradi, që pastaj na tregoi se ishte fallco.
Shqiptarët e Anës së Malit dhe Krajës jetonin në kushte të vështira, shpesh të margjinalizuar dhe të trajtuar si klasë punëtore. Shumë punonin larg familjes, në qytete të tjera, në punë të rënda, ku drejtuesit ishin kryesisht serbo-malazezë. Ata që nuk e përballonin dot këtë realitet, përballeshin me “zgjidhjen” e vetme: pasaporta për të emigruar. Ironikisht, ”largimi shihej si një e mirë”, si liri, ndërkohë që shpesh ishte pjesë e një plani të heshtur për shpërngulje pa kthim.
Megjithatë, kishte edhe përjashtime, familje që e kuptuan rëndësinë e arsimit dhe u shndërruan në shembuj frymëzues. Njëra prej tyre ishte familja e Shaban (Canit) Salajt nga Vlladimiri (Katërkolla). Sa e mbaj në mend unë, si komshiu i tyre, ai ishte ndër të parët që ngriste herë pas here flamurin kombëtar në këndin e shtëpisë së tij, flamurin që ai e quante “flamuri i Kastriotit”, i cili për të simbolizonte lirinë e shqiptarëve.
Shabani besonte thellë se vetëm përmes edukimit dhe dijes mund të arrihej liria e plotë. Fëmijëve e tij ai u krijoi kushte për t’i arsimuar, duke u nisur nga Hasan Salaj – mësues, pastaj folës në Televizionin e Prishtinës, këshilltar në Kuvendin e Krahinës së Kosovës në atë kohë etj.; Hata Salaj – gjenerata e mësueseve të para (femra); Feride Salaj – arsimtare; Ali Salaj – mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, gazetar i Radio Televizionit të Prishtinës, redaktor i “Kohës javore”, korrespondent i “Zërit të Amerikës” dhe i shumë gazetave të tjera. Vetëm vajza e madhe Kija nuk mundi të shkollohej, pasi u martua herët dhe emigroi në SHBA.
Në atë kohë, televizori ishte luks për shumicën e familjeve. Por familja e Shabanit ishte ndër të parat që siguroi një aparat televiziv. Sipas rrëfimit të mësueses Hata Salaj, sot në pension, ajo kujton me emocion se si pas disa kursimesh e bleu televizorin në Kotorr, me ndihmën e një të njohuri që punonte atje. U desh shumë përpjekje për ta sjellë deri në Vlladimir, duke ndërruar disa autobusë. Ajo pajisje nuk ishte vetëm për familjen: shtëpia e tyre u kthye në një lloj “kinemaje” për të gjithë lagjen, ku çdo mbrëmje mblidheshim për të ndjekur programet televizive të kohës.
Në vitet ’70, një ndikim të veçantë në vetëdijen kombëtare pati edhe Televizioni Shqiptar (TVSH), me emisionet muzikore dhe filmat artistikë që transmetonte. Njerëzit nisën të kuptojnë rëndësinë e arsimit. Deri në vitet ’80, pothuajse çdo familje kishte të paktën një anëtar me arsimim e lartë. Hapja e Universitetit të Prishtinës solli mundësi të reja për shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe ndihmoi në ngritjen e një vetëdijeje kolektive për të drejtat dhe identitetin kombëtar. Ky proces nuk ndodhi rastësisht. Ishte rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, sakrificave dhe, pa dyshim, ndikimit të mjeteve të kohës si televizioni. Ai u bë një dritare drejt dijes dhe ndërgjegjësimit kombëtar.
Edhe pse informacioni që transmetohej ishte shpesh i filtruar, shqiptarët arritën të lexojnë mes rreshtave, ta shohin ekranin si një mjet për të mësuar, për të ndryshuar, për të ecur përpara. Brezat që erdhën më pas trashëguan jo vetëm një pajisje në shtëpi, por edhe një mënyrë të re të të menduarit, një bazë të fortë për lirinë mendore dhe arsimore.
