
Ndërkohë që shumica e kastës socialiste prisnin me ankth dhe zemërdridhje mësimin e emrave të të preferuarve të Ramës në qeverinë e re, kryeministri i ka surprizuar të gjithë duke krijuar një lajm më të madh – fundin e Erion Veliajt.
Duke u shtirur si zemërthyer nga vendimet e padrejta të drejtësisë, duke përmendur sa për të larë gojën izolimin pa dënim të kryebashkiakut të zgjedhur tri herë, Rama ka shpallur përfundimin e mandatit të tij.
Për këdo që i ka pasur sytë hapur, kjo që ngjau mund të përbëjë një surprizë për kohën se kur ndodhi, por jo për fatin e paracaktuar. Prej kohësh Veliaj po trajtohej si lebroz nga shefi i tij. Ministria e Drejtësisë e ka privuar atë nga të drejtat si i burgosur i zakonshëm, njerëzit e tij u shkarkuan nga bashkia, mbështetësit e tij u përjashtuan nga grupi i ri parlamentar i PS-së.
Pra, tani, kur Rama shpalli se Këshilli Bashkiak do të fillojë procedurat për shkarkimin e kryebashkiakut të burgosur, madje kur shkoi edhe më larg, kur paratha ndryshime ligjore për të bërë të mundur këtë shkarkim, nuk ka më dyshime se në rastin më të mirë (pra, edhe nëse s’duam të besojmë se e ka urdhëruar vetë) ai ka qenë i sinkronizuar me SPAK-un në goditjen ndaj Veliajt.
Në këtë kuptim, hedhja e Lalit si limon i shtrydhur, pikërisht në ditën e emërimit të ekipit Rama 4, tregon shumë për ata që po marrin detyrat e reja. Për një pjesë ministrash që ndryshuan dikaster, por sidomos për gjashtë rishtarët e kabinetit, nuk ka asnjë pikë reference se si duhet të sillen për të pasur fat në të ardhmen e tyre. Besfort Lamallari te drejtësia, Evis Sala te shëndetësia, Sofian Jaupaj te mjedisi, Ervin Demo te pushteti lokal, Toni Gogu te marrëdhëniet me Parlamentin dhe Andis Salla te bujqësia, nuk kanë asnjë eksperiencë ku të mbështeten. Rasti i Erion Veliajt i lë ata pa busull.
Kryebashkiaku i burgosur konsiderohet ende si shembull suksesi nga partia e tij. Ai qëndron në memorie si njeriu që i mundi kundërshtarët tri herë në zgjedhje, që transformoi e modernizoi Tiranën, që pati mbështetjen më të madhe që ka pasur ndonjë politikan në mjediset artistiko-sportive të kryeqytetit.
Nga ana tjetër, ai diti të tregohej servili par excellence i shefit. Edhe duke ulur kokën për të pranuar urdhra për të bojatisur muret e shkallëve, apo për të ndjekur nga pas lopën e një fshatari, ai nuk thoshte kurrë jo. Nuk e bënte këtë as kur, kundër dëshirës së tij, merrte përsipër kostot e shembjes së teatrit të dëshiruar nga shefi apo kur, ndonëse nuk kishte lidhje, përzihej me zgjedhjet në Federatën e Futbollit.
Por as suksesi sipas parametrave rilindase, as aftësia prej bythëlëpirësi ndaj të madhit, nuk e shpëtoi atë nga rrokullisja më dramatike që ndonjë politikan i këtyre tri dekadave ka pësuar ndonjëherë.
Atëherë duke parë këtë fat tragjik, epilogu i të cilit u shkrua pikërisht në ditën e emërimit të tyre të parë, ç’duhet të mendojnë ministrat e rinj? Kush e përcakton fatin dhe të ardhmen e tyre politike? A ka më rëndësi puna, bindja e verbër, apo edhe këto së bashku, mund të zerohen papritmas, thjesht për teka apo kalkulime perverse të kryeministrit?
Natyrisht nuk ka dyshim se ashtu si Veliaj, ministrat rishtarë do të kenë mundësi të vënë dhjamë, të pasurohen shpejt, të krijojnë privilegje për veten dhe rrethin e tyre, por përpos kësaj ata nuk do të kenë asgjë më tepër në dorë. Për ta nuk do të ketë asnjë njësi matëse për të krahasuar suksesin apo dështimin dhe mbi të gjitha kohën kur do të ikin apo do të bëhen “koka turku”. Prandaj në këtë rast, në vend të urimit është mirë t’u thuhet: mirë se hytë në aventurën e atij që pranon me ndërgjegje të mos e ketë më veten në dorë. Ky është stereotipi i një anëtari tipik të kabinetit Rama 4.
(Lapsi.al)
