
Në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, e cila shënohet çdo vit më 5 shtator, bota kujton një figurë të madhe, të njohur globalisht, shenjtën Nënë Terezë.
Kjo datë është zgjedhur pasi përkon me ditën e ndarjes së saj nga jeta, më 5 shtator 1997, e njohur botërisht për jetën dhe veprën në shërbim të më të varfërve.
Ajo mbetet simbol i humanizmit dhe i veprave bamirëse në botë dhe për këtë, në vitin 1979 u nderua me Çmimin Nobel për Paqe.
Edhe pse e vogël u largua nga vendlindja e saj (Shkupi i Maqedonisë së Veriut) dhe jetoi gati shtatë dekada në Indi, Nënë Tereza asnjëherë nuk e mohoi origjinën shqiptare. Kombi shqiptar, kudo që ndodhet, duhet të ndjehet krenar për një figurë të tillë, të cilën e karakterizojnë një model i virtyteve më të larta njerëzore dhe morale që mund të personifikojë një njeri.
Por në këtë Ditë Ndërkombëtare të Bamirësisë, secili prej nesh duhet të ndalet dhe të reflektojë: A po e ndjekim ne shembullin e Nënë Terezës, duke bërë mirë pa interes, pa pritur shpërblim dhe pa reklamë?
Dikur, ndihma mes njerëzve ishte pjesë e natyrshme e jetës, edhe pse pothuajse të gjithë jetonin në kushte të vështira sociale dhe ekonomike. Ishte sensibiliteti, solidariteti dhe dashuria e parezervë ajo që mbizotëronte në çdo familje dhe shtëpi shqiptare. Sot, ndonjëherë ndodh e njëjta gjë, por janë raste shumë të rralla.
Përtej kësaj, dukuria e bamirësisë sot nuk ka humbur, por shpesh ka marrë një dimension tjetër – marketingun, lëvdatën dhe vetëreklamën.
Shpesh shohim raste ku individë të fuqishëm, afaristë apo shqiptarë të njohur, bëjnë kontribute dhe këto bëhen lajme për të tërhequr vëmendjen, qoftë në rrethe të ngushta, në rrjete sociale apo media dhe nuk bëhet gjithmonë për të vlerësuar mirësinë në vetvete, por për t’i dhënë jehonë aktit.
Sërish, janë për t’u përshëndetur dhe përgëzuar të gjithë ata që ndihmojnë përherë në raste të ndryshme, por pyetja mbetet: Pse duhet që çdo akt bamirësie të dihet nga e gjithë bota? A nuk mund të bëhet mirë edhe në heshtje, vetëm për të mirën e tjetrit?
Nënë Tereza na ka mësuar se mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ajo jetoi thjesht, pa luks, ndau të njëjtat kushte me ata që ndihmonte, dhe asnjëherë nuk kërkoi famë. Mirësia e saj rrezatonte nga veprat konkrete, duke shmangur përherë vëmendjen personale.
Prandaj, kjo ditë duhet të jetë një moment reflektimi për secilin prej nesh: A jemi duke bërë mirë nga thellësia e zemrës, apo vetëm për t’u dukur? Është koha të ndryshojmë qasjen ndaj të bërit mirë, të ndjekim rrugën e Nënë Terezës – të japim dashuri, paqe, harmoni, bujari dhe humanizëm, pa kushte dhe pa pritur kthim.
Çdo çmim, titull apo nderim që ajo mori gjatë jetës së saj nuk ishte për dukje, por pasqyronte dashurinë e thellë dhe të pastër për njeriun. Nënë Tereza tregoi se bamirësia kërkon vetëm zemër të hapur dhe veprime konkrete e jo famë.
Le të shërbejë 5 shtatori i çdo viti si një rast për të reflektuar se, a po e ndjekim rrugën e duhur? A jemi duke dhënë vërtet dashuri dhe ndihmë, apo e bëjmë për të rënë në sy?
Vetëm duke bërë mirë nga zemra, pa reklamë dhe pa interes personal, mund të ndjekim shembullin e Nënë Terezës.
Të gjithë ne mund të bëhemi pjesë e një mirësie të vërtetë, duke i ndihmuar ata në nevojë, duke vepruar me zemërgjerësi, pa u dukur dhe pa kërkuar kthim.
Ky është udhërrëfyesi më i mirë për bamirësinë – të japim dashuri dhe të shërbejmë njeriun në mënyrë të pastër dhe të sinqertë.
