
Multikulturalizmi është bashkekzistencë brenda një shteti, i cili ka më shumë se një komb. Nocioni “komb” do të thotë një bashkësi historike, më pak ose më shumë institucionalisht e përkryer, e cila shtrihet në territorin përkatës dhe ka gjuhën dhe kulturën e vet. Andaj, shteti i cili ka më shumë se një komb, nuk është komb-shtet, por shtet multinacional në të cilin kulturat më të vogla formojnë “pakicat kombëtare“.
Numri më i madh i shteteve të sotme janë në pikëpamje kulturore heterogjene. Sipas disa vlerësimeve, në botë ekzistojnë rreth 600 grupe gjuhësore dhe 5000 grupe etnike. Vetëm për disa vende mund të thuhet se kanë një gjuhë dhe i takojnë një grupi etnonacional.
Shumëllojshmëria e tillë etnonacionale imponon një seri çështjesh, sikurse janë të drejtat gjuhësore, autonomitë territoriale, vetëqeverisjet e pakicave, pjesëmarrja politike, përfaqësimi propocional në institucionet e sistemit politik, planprogramet mësimore, simbolet kombëtare, zgjedhja e himnit shtetëror, si dhe festat kombëtare etj.
Gjetja e përgjigjeve të drejta dhe adekuate, si dhe politikisht mbijetësuese mbi këto çështje, paraqet sfidë të madhe me të cilën ndeshen demokracitë bashkëkohore, andaj multikulturalizmi paraqet një luftë për barazinë ndëretnike.
Mirëpo, sot, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje, gjithnjë e më tepër bëhet e qartë se shkelja e të drejtave të pakicave kombëtare ka qenë dhe është gabim, si nga arsyet empirike, ashtu dhe nga shkaqet normative.
Presioni ndaj pakicave kombëtare me qëllim të integrimit të tyre në kombin shumicë, nuk mund të jetë i suksesshëm. Sulmi i shtetit në ndjenjat e pakicave mbi identitetin kombëtar, shpeshherë bëhet shkak për rritjen e kërcënimit të lojalitetit të tyre ndaj shtetit përkatës.
Mali i Zi është shtet heterogjen, shumëkombësh, shumëkulturor dhe shumëkonfesional. Kjo shumëllojshëmeri paraqet një potencial qytetërues për vendosjen e urave ndërmjet popujve dhe rajoneve të ndryshme, si dhe për integrime të gjera në Evropë dhe botë. Gjithashtu, një diversitet i tillë paraqet dhe realitetitin objektiv të shtetit, i cili duhet të respektohet. Andaj, shoqëria plurale shtetit ia imponon një imperativ për të vendosur dhe ndërtuar zgjidhjet adekuate e të vërteta demokratike normative dhe institucionale, të cilat do t’i siguronin barazinë të gjithë qytetarëve të Malit të Zi për realizimin e të drejtave të tyre njerëzore, ndërsa pakicave kombëtare dhe të drejtat tyre individuale dhe kolektive sipas standardeve ndërkombëtare. Me standarde nënkuptojmë të drejtat juridike ndërkombëtare dhe praktikën pozitive të demokracive bashkëkohore.
Për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare në Mal të Zi nuk do të duhej të ketë dilemë, sepse njohuritë nga shtetet bashkëkohore shumetnike tregojnë se të drejtat e pakicave kombëtare janë një dimension i rëndësishëm i vendosjes dhe ndërtimit të shoqërisë së drejtë, demokratike, paqedashëse dhe të qëndrueshme. Nuk mund të flitet për demokraci, liri dhe drejtësi, në qoftë se nuk respektohen dallimet, kurse njerëzit si individë dhe si kolektivitet në shumë aspekte dallohen. Por, dallimet kryesore kur bëhet fjalë për të drejtat dhe liritë e njeriut janë veçoritë nacionale, etnike, kulturore, gjuhësore dhe fetare të grupeve përkatëse, të cilat mund të jenë, por fatkeqësisht më së shpeshti dhe janë bazë për diskriminim. Pikërisht për këtë arsye, shteteve shumënacionale të botës bashkëkohore shpesh u duhet të marrin dhe vendime të veçanta për mbrojtjen e pakicave, sikurse është aksioni afirmativ. Sepse pa barazi kombëtare në shoqëritë shumetnike dhe shumënacionale, siç është Mali i Zi – nuk ka barazi qytetare (civile), as barazi njerëzore, as demokraci dhe shtet juridik.
Në qoftë se dëshirojmë demokratizimin e shoqërisë, nëse duam barazinë e qytetarëve dhe të gjitha kombeve, atëherë duhet të ndërtojmë një sistem të tillë politik, ku do të ekzistojë një mekanizëm sistemor i vendosur dhe i organizuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Është e pamundur të krijohen marrëdhëniet e reja demokratike dhe të bëhet integrimi në rrjedhat evropiane dhe euroatlantike, ndërsa në anën tjetër të ruhen zgjidhjet e vjetra anakrone normative dhe institucionale, si dhe vetëdija politike konservatore. Gjithsesi, shoqëria shumënacionale ndeshet me çështjet thelbësore të strukturës së vet.
Çështja e pakicave nuk është porsi një çështje në kuadër të problemeve të tjera, që mund të përmirësohet dhe zgjidhet në mënyrë teknike, por çështja e pakicave kombëtare është gur themeli i demokracisë dhe i tejkalimit të vetëdijes dhe kulturës politike autoritare, si trashëgimi e së kaluarës, çka pengon dhe ngadalëson perspektivën e zhvillimit demokratik të shoqërisë në Mal të Zi.
Shteti shumënacional duhet që në pikëpamje juridike dhe institucionale t’i rregullojë në mënyrë të drejtë dhe demokratike mbrojtjen e pakicave kombëtare. Spektri i zgjidhjeve mund të jetë shumë i gjerë dhe varet nga një seri kushtesh, supozimesh dhe rrethanash. Gjithsesi politika shtetërore për pakicat kombëtare duhet të aplikojë një metodë të përshtatshmërisë ndaj realitetit shoqëror. Parimisht, mund të thuhet se për demokracinë është karakteristike metoda e akomodimit. Ajo është dhe njëheri mënyra më e mirë për ta siguruar dhe forcuar lojalitetin e pakicave ndaj bashkësisë së gjerë politike në të cilën jetojnë. Sepse, kurrfarë koncepti i rendit shoqëror nuk mund të bëjë tejkalimin e njëmendësisë shumënacionale. Njeriu – qytetari, vështirë që sot mund të bëjë transcendimin e realitetit në fjalë.
Tezat teorike mbi shuarjen e kombit janë vërtetuar si të pabaza meqenëse u mungon një mbështetje e gjerë, konsistenciale dhe koherente. Me fjalë të tjera, multikulturalizmi do të jetë aktual derisa të ekzistojnë kombet, respektivisht bashkësitë nacionale, dhe në këtë mënyrë dhe roli i tyre, pozita dhe barazia. Në lidhje me këtë çështje, teoricieni njohur Horace Kallen, do të thoshte: “Njerëzit munden, në një masë më të madhe apo më të vogël, t’i ndërrojnë veshjet e veta, politikën, gratë e veta, religjionin, filozofinë, por nuk mund t’i ndërrojnë gjyshërit e vet…”
Botëkuptimet bashkëkohore tregojnë se shteti duhet të ketë një rol aktiv dhe nëpërmjet masave të ndryshme të krijojë kushte për promovimin e pakicave si kolektivitete në ato situata në të cilat të drejtat individuale të pjesëtarëve të pakicave mund të sendërtohen vetëm nëpërmjet emancipimit kolektiv të grupit. Përkundrazi, nëse të drejtat kolektive injorohen ose mohohen në praktikën politike, ekonomike dhe kulturore, atëherë gjithmonë do të triumfojë parimi i shumicës, i cili në mënyrë automatike i siguron monopol dhe privilegje shumicës etnike. Në qoftë se parimi i shumicës zbatohet pa korrektues në raport me pakicat, atëherë ka të bëjë me funksionimin ekskluziv të shtetit nacional.
Autorët e rregullimit shtetëror të një bashkësie shumënacionale duhet të respektojnë përcaktimin e konceptit/nocionit të njeriut/qytetarit si poli-identik, d.m.th. të njeriut si qenie e familjes, kombit, konfesionit, kulturës, traditës, regjionit etj. Të gjitha ato forma janë të rëndësishme për shfaqjen e aftësive të njeriut. Këtë teoricienia Edgora Morena do ta përcaktonte si unitas multipleks. Në të vërtetë, ato janë qelitë themelore të pluralizmit dhe të shoqërisë shumetnike dhe shumëkulturore. Natyrisht, ligjvënësi mund ta injorojë atë dhe të miratojë një opsion joadekuat, por atëherë sistemi politik si mekanizëm i pazëvendësueshëm rregullativ bëhet gjenerator i tensioneve permanente politike, i konflikteve dhe i demokracisë së paqëndrueshme.
Në shoqëritë e ashtuquajtura pluraliste, të ndara me thikë mbi baza konfesionale, ideologjike, gjuhësore, kulturore, etnonacionale, sikurse është Mali i Zi, qeverisja e shumicës nuk është mekanizëm adekuat i sistemit politik, sepse grupet e lartpërmendura mund ta ndiejnë veten të përjashtuara e të diskriminuara dhe ta humbin lojalitetin ndaj shtetit. Pra, demokracia e shumicës dhe qeverisja e gjatë e shumicës në shoqëritë të cilat janë thellësisht të ndara, shpie deri te diktatura e shumicës dhe përçarjet qytetare. E tërë kjo nuk është në harmoni me demokracinë dhe me të drejtat etnokulturore.
I pari Aristoteli e ka parashtruar problemin e “Tiranisë së shumicës”, i cili është me rëndësi për temën tonë. Kështu pra, edhe mendimtarët antikë e kanë konsideruar se nëse shumica vendos duke pasur parasysh vetëm interesat e shumicës, por jo dhe të pakicave, atëherë ajo është një formë e prishur e pushtetit.
Që nga shekulli XVIII fillohet gjithnjë e më tepër të tregohet për rrezikun e tiranisë së shumicës, dhe në lidhje me të, për të drejtat e pakicave – politike, fetare, etnike etj. Mbi të drejtat e pakicave si mjet për pengimin e “tiranisë së shumicës”, tashmë ka folur Xhejms Medison (James Madison), i cili dhe ka parashtruar çështjen: A do të thotë se vendimi i shumicës gjithmonë është i drejtë, apo arsyeja është se me shumicën gjithherë shkon forca? Meqenëse nuk është pranuar që forca e përbën drejtësinë, atëherë dhe ajo për çka bën përpjekje shumica nuk është e thënë që në mënyrë automatike të jetë e drejtë. Franc Nojman në një vend shkruan se e keqja të cilën e përkrah shumica nuk bëhet me atë e mirë, por një e keqe edhe më e madhe.
Multikulturalizmi kërkon një skemë të tillë të shoqërisë politike, e cila njeh apo pranon vlerën e njëjtë të të gjitha bashkësive të qëndrueshme dhe jetike, të cilat ekzistojnë në një shoqëri. Pra, në shoqërinë shumëkulturore, asnjëra prej bashkësive etnonacionale dhe etnokulturore nuk ka të drejtë që shtetin dhe shoqërinë politike t’i quajë ekskluzivisht si të veten.
Rregullimi shtetëror i Malit të Zi e ka paraparë që ai të organizohet mbi parimin e barazisë së qytetarëve para ligjit. Mirëpo, duhet më tutje në mënyrë normative të përpunohet dhe saktësohet perceptimi i shoqërisë dhe i shtetit në raport ndaj multikulturalizmit si realitet të cilin duhet rregulluar. Fjala është për integrimin e pakicave kombëtare në kuadrin shoqëror, i cili duhet të jetë mjaft i gjerë dhe fleksibël, jo vetëm për t’i pranuar identitetet e pakicave në mënyrë të barabartë me shumicën etnike, por ajo duhet të bëhet me një konsekuencë të qëndrueshme, atraktive dhe të hapur në drejtim të krijimit të kushteve shoqërore për tejkalimin e konceptit etnocentrik të sistemit politik. Ajo do të nënkuptojë krijimin e kuadrit normativ dhe institucional të drejtë dhe adekuat për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave individuale dhe kolektive të pakicave kombëtare dhe etnike.
Praktika e shteteve në pjesët e ndryshme të botës tregon se shoqëritë bashkëkohore i kushtojnë një kujdes të duhur sistemit shumëkulturor. Për shembull, në Kanada dhe Australi, si shtete të njohura multikulturore, janë të zhvilluara format e ndryshme institucionale multikulturore. Spanja, Italia, Belgjika, Zvicra, Holanda, sistemet e veta politke dhe shoqërore ia kanë përshtatur natyrës dhe strukturës së vet të multikulturalizmit si realitet shoqëror.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe përkundër insistimit të tyre për postulatin klasik liberal mbi shtetin neutral, si dhe tentimit që ta relativizojnë rëndësinë e etnicitetit, gjithnjë e më tepër i marrin parasysh marrëdhëniet reale ndëretnike shoqërore. Lëvizjet gjithnjë e më të forta të hispano-amerikanëve dhe të afro-amerikanëve, të cilat i kanë formuar gjeneratat e para dhe u takojnë grupeve të fuqishme shoqërore dhe ekonomke, i kanë parashtruar në rend të ditës çështjet politike dhe çështjet tjera me rëndësi për integrimin e tyre shoqëror.
Qëndrueshmëria e rajonit dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhshme të Bashkimit Evropian, varet, ndër të tjera, dhe prej pozitës së pakicave kombëtare në të cilat jetojnë.
Mund të konstatohet se gjendja e tanishme e vetëdijes demokratike dhe e kulturës politike dhe juridike në Mal të Zi është e pakënaqshme dhe larg thelbit të konceptit të shtetit juridik ndaj multikulturalizmit.
Pas fitimit të pavarësisë shtetërore dhe sovranitetit, si dhe nxjerrjes së Kushtetutës së re, Mali i Zi është proklamuar si shtet qytetar (civil), çka është mirë. Mirëpo, janë të pranishme botëkuptimet e ndryshme të konceptit të shtetit qytetar (civil). Ata të cilët dëshirojnë për të pasur, respektivisht për ta ruajtur monopolin dhe privilegjet në të gjithë sektorët shoqërorë si dhe të diskriminojnë të tjerët, paraqesin tezën se sipas konceptit të shtetit qytetar (civil) nuk duhet t’i kushtohet kujdes origjinës etnike, përkatësisë kombëtare dhe fetare, sepse gjoja sipas tyre të gjithë qytetarët i kanë të drejtat dhe liritë e barabarta. Pra, ata janë ithtarë të konceptit uniform, d.m.th. të shtetit të qytetarëve abstraktë përpara popujve, çka shpie deri te mospranimi dhe diskriminimi i diversitetit, respektivisht i vë në një pozitë të pabarabartë pjesëtarët e pakicave kombëtare, si për shembull, pjesëtarët e pakicës shqiptare. Në të vërtetë, akoma është i pranishëm recidivi i kohës së kaluar mbi ndarjen në popuj të vegjël dhe të mëdhenj, të vjetër e të rinj, historikë dhe johistorikë, të merituar dhe më pak të merituar, si dhe përpjekjet për favorizimin e njërës palë dhe diskriminimin dhe margjinalizimin e të tjerëve. Akoma te disa rrethe politike dhe intelektuale ngadalë bëhet ndarja nga vazhdimësia e politikës dhe ideologjisë së vjetër nga koha e regjimit politik të Millosheviqit, të cilën e ka karakterizuar etnocentrizmi, etnonacionalizmi dhe fundamentalizmi fetar.
Malit të Zi si shtet multinacional dhe multikulturor i duhet të aplikojë demokracinë konsensuale dhe mekanizmin e baraspeshës. Andaj, modeli i baraspeshës në një masë të madhe është bërë domosdoshmëri e politikës multikulturore. Për shoqëritë heterogjene, shumëkulturore dhe të polarizuara, sikurse është Mali i Zi, më i përshtatshmi është tipi i sistemit politik, i ashtuquajtur liberalo-komunitar, i cili nënkupton respektimin e dy parimeve: autonominë e qytetarit dhe barazinë absolute të të gjithë popujve në Mal të Zi si realitet shoqëror. Një përcaktim i tillë është i domosdoshëm të reflektohet në tërë sistemin politiko-juridik të Malit të Zi.
Përfundim
Është e qartë se Mali i Zi ka ardhmëri vetëm në qoftë se do të jetë shtet demokratik dhe juridik, dhe nëse të gjithë qytetarët dhe popujt e Malit të Zi do të jenë të barabartë dhe të lirë, kjo jo vetëm në pikëpamje formale-juridike, por dhe në realitet, fakticitet dhe nëse normat juridike jetësohen në praktikë, meqenëse respektimi i të drejtave të të tjerëve, sendërtimi i të drejtave të pakicave kombëtare, njohja e diversiteteve, paraqet një supozim thelbësor për sigurimin e demokracisë së qëndrueshme, tolerancën ndëretnike dhe përfshirjen e Malit të Zi në integrime evropiane dhe transatlantike.
Thelbi i zgjidhjes së drejtë të çështjes së pakicave kombëtare qëndron në atë pikëpamje dhe praktikë, që askush mos të ndiejë presion nga më i madhi dhe më i forti, por çdo popull, pavarësisht nga madhësia e tij numerike, ta ndiejë veten të barabartë dhe të lirë. Sepse, siç do të thoshte Gandi: ”Për qytetërimin tonë do të gjykohet sipas asaj se çfarë trajtimit u ka bërë pakicave”.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)
