
Ky mulli i vjetër me ujë dikur ishte vend furnizimi me miell edhe i fshatrave të Malësisë. Në këtë mulli malësorët nga Koja, Trieshi, Gruda dhe Hoti me rrethinë bluanin prodhime të grurit. Ai gjendet në bregun e lumit Ribnicë, në Konik – Podgoricë. Për të shkuar te mulliri ishte e nevojshme të zbresësh rrugës së keqe dhe mjaft të pjerrët me zhavorr. Edhe pse rruga ishte në gjendje të vështirë, pa asfalt, klientët shkonin te mulliri me karroca, me gomarë e kuaj, për të mos i dëmtuar makinat.
Mbaj mend se, para katër dekadash, kur herën e parë dhe të fundit isha me babain tim të ndjerë për të bluar një thes grurë, në shtëpinë e vogël prej guri me çati të ulët, ku ndodhet mulliri me ujë, nuk kishte dritë. Brenda objektit kishte tre mullinj. Për shkak të mungesës së punës, dy prej tyre s’ishin në funksion për një kohë të gjatë.
Mulliri i Pjetër Tokut është i vjetër më se një shekull dhe është në pronësi të pasardhësve të familjes Vujosheviq, kurse familja Popoviq, shtëpia e së cilës ndodhet afro 100 metra larg mullirit, e ka mirëmbajtur atë më shumë se 70 vjet. Familjarët e Vujosheviqëve nuk donin që mulliri të mbyllej, prandaj edhe kërkuan nga familja Popoviq të ruanin traditën e tij.
Myshterinjtë e shumtë malësorë e mbajnë mend kohën kur në këtë mulli punonte mullisja Dragica Popoviq, një grua e sjellshme dhe mikpritëse, e cila e kaloi tërë jetën e saj të punës në të, edhe pas vdekjes së bashkëshortit. Së pari mullirin e mbante vjehrri i saj, nga i cili e mësoi zanatin, pastaj ajo me burrin e ndjerë, dhe për më shumë se 20 vite e ka mbajtur vetë. Ajo filloi ta mësonte zanatin më shumë se pesëdhjetë vjet më parë, kur mulliri po shuhej, para sulmit të mullinjve elektrikë dhe me avull dhe bukës së prodhuar në mënyrë industriale.
Sipas informacioneve që kemi, Dragica Popoviq ishte gruaja e parë dhe e vetme që e bëri këtë punë në Podgoricë. Kjo mendojmë se ishte arsyeja pse ajo e vazhdoi këtë traditë, me siguri më shumë se çdo paraardhës i saj. Për të gjithë të tjerët, një traditë interesante, për të mulliri ishte dhe mbetet burimi i saj i një ndjenje sigurie, vetërespekti dhe lirie personale.
Në bashkëbisedimin e kahershëm që zhvillova me ushtruesen e fundit të kësaj veprimtarie, kujton kohën kur njerëzit rreshtoheshin për të marrë miell.
“Dikur pritej në radhë. Njerëzit sillnin drithëra me gomarë, me kuaj. Kishte turma, karvane. Rrallë kishte dikush makinë atëherë. Kjo ishte një gjysmë shekulli më parë. Ndodhte që vjehrri im i ndjerë të mos kishte kohë të shkonte në shtëpi, sepse kishte shumë punë. Këtu vinin edhe shumë malësorë, për të cilët kemi kujtime të bukura, nderim dhe fjalë të mira”, më tha Dragica.
Ajo më shpjegoi se drithërat vendosen në shportë, e cila kalon nën gur dhe se për bluarjen e drithërave duhet kohë, por kryesisht gjithçka varet nga drithërat.
“Nëse drithërat janë të lagështa, ato mbeten shumë në mulli. Nëse drithërat janë të thata, 30 kilogramë mund të bluhen për një orë. Mielli kur bluhet në mullinj uji është më i shijshëm prej atij që bluhet në mullinj me energji elektrike (në të cilët, siç më tha ajo, kurrë nuk ka punuar). Mielli i bluar me ujë është i cilësisë më të mirë. Energjia elektrike e djeg atë dhe nuk ka të njëjtën shije dhe ëmbëlsi si kur bluhet në ujë”, më shpjegoi ajo.
Deri para disa vitesh, në derën e shtëpisë ku ndodhet mulliri, ishte numri i telefonit të Dragicës – simbolit të mullirit. Ajo, edhe pse nuk kishte punë dhe largohej nga mulliri, në çdo kohë, siç më treguan disa fshatarë, ishte e gatshme të vinte në secilën thirrje të re për ta rinisur rrotën e mullirit. Njerëzit sillnin grurë për të bluar, 20 ose 30 kilogramë, rrallëkush 50 kilogramë. Ndodhte që ajo nuk hynte në mulli për 15 ditë me radhë. Falë saj “Mulliri i Tokajve”, i fundit në Podgoricë me rrethinë, i qëndroi kohës. Kur ajo u “dërëzua”, për shkak të moshës, nuk e zëvendësoi askush.
Rrota e mullirit të fundit me ujë në Podgoricë u ndal. Ajo tani nuk sillet më, nuk bluan drithëra. Atë e ka e mbuluar pluhuri dhe bimësia. Podgorica humbi njërën nga ndërtesat e rralla të mbetura – dëshmitare të historisë dhe kohës së lashtë në këtë qytet.
Vlen të thuhet se më parë kishte 22 mullinj në lumenjtë e Podgoricës, tre prej tyre ishin në lumin Ribnicë. Shuarja e mullinjve të ujit në kryeqytetin e Malit të Zi, ku njerëzit më parë vinin në numër të madh për të bluar drithin e grurin, është një tregues i qartë se gjithçka ka ndryshuar në krahasim me më parë. Pothuajse të rinjtë janë “zotuar” të mos bëjnë asgjë, ndërsa të vjetrit të mbjellin çdo vit e më pak prodhime të grurit.
Qindra mullinj të tjerë para tij janë zhdukur dhe kanë mbetur vetëm në kujtesën e popullatës vendase. Ky objekt me vlera të lashta historike, sikurse edhe të tjerët, do të ishte mirë të restaurohet, të paktën për qëllime turistike.
