
Në fillim të verës, pikërisht gjatë muajit kur rritën temperaturat, “peshkatarët e egër” vijnë natën, peshkojnë me mjete të ndryshme të palejuara, sidomos me rrymë elektrike në ujdhesat e liqenit të Shkodrës në Krajë. Nuk i lajmëroi askush kontrollorët e peshkut, prandaj ata peshkuan lirshëm. Thonë se ishin nga jashtë Krajës, bile vinin nga Zeta, rrethi i Podgoricës, të organizuar bukur mirë. Peshkuan kryesisht krap, i cili është shumë i kërkuar si specialitet në kuzhinat e restoranteve të kësaj ane – Ulqinit, Tivarit, Podgoricës dhe Shkodrës.
Çmimi i krapit, por edhe i llojeve të tjera të peshkut është rritur bukur shumë tani gjatë sezonit turistik. Pronarët e restoranteve nuk pyesin shumë për çmimin, i cili është i lartë. Sepse peshku kërkohet, konsumohet shumë këndej dhe andej kufirit.
Tava e krapit është specialitet i Anës së Malit, Shkodrës dhe Ulqinit. Tani në sezonin turistik ndihet dhe vërehet mungesë e peshkut në restorante. Sezoni i verës dhe kërkesa e madhe e shumë mysafirëve për të konsumuar peshk vërehet në çdo anë.
Sidomos gjatë sezonit të shumimit të peshkut nuk ka mbikëqyrje, peshkohet pa kontroll, saqë Buna që dikur ishte e pasur me peshq të llojeve të ndryshme tani është shndërruar në lumë të vdekur
Në treg të Ulqinit rrallëherë tani në verë mund të gjesh peshk të freskët. Edhe peshku i detit mungon, sidomos levreku ose qefulli dhe llojet e tjera të peshkut të detit pothuajse vështirë mund të gjenden në treg. Në restorantet në Bunë kërkojnë dhe konsumohet shumë peshku.
Mungesa e peshkut vërehet edhe në lumin Buna, që dikur kishte gjashtë lloje të qefullit edhe gjatë verës. Peshkohej qefulli veshar, sidomos gjatë qershorit e korrikut, por edhe lloje të tjera të qefullit si cumrra, gurçaku etj.. Kishte edhe levrek, shojza deti, por ato ka disa vjet që peshkohen më rrallë në Bunë, në sasi të vogla, ndërsa shojza e lumit gati është shuar dhe peshkohet rrallë. Ambienti nuk po mbrohet nga “peshkatarët e papërgjegjshëm” as në liqenin e Shkodrës, në liqenin e Shasit, por as në Bunë. Sidomos Ulqini, i njohur për peshkim të llojeve të peshqve të ujit të njelmët të detit me Port Milenën – liqeni i Zogajve, edhe me peshq të ujërave të ëmbla – Gryka e Bunës, pothuajse mungon sasia e peshkut. Mbikëqyrja e ujërave të Bunës, të liqenit të Shkodrës, Shasit është lënë pas dore, peshkohet pa kontroll, pothuajse pa mbikëqyrje. Sidomos gjatë sezonit të shumimit të peshkut nuk ka mbikëqyrje, peshkohet pa kontroll, saqë Buna që dikur ishte e pasur me peshq të llojeve të ndryshme tani është shndërruar në lumë të vdekur.
Dikur Mali i Zi ishte i njohur sidomos për shitjen e ngjalave, duke zënë vendin e dytë në Evropë. Tani Ulqini nuk e konsumon ngjalën, sepse ajo pothuajse është shfarosur. Pavarësisht kësaj gjendjeje të vështirë, për çudi, askush nuk merr masa. Ka përpjekje për t’u ruajtur liqeni i Shkodrës, por masat nuk janë të mjaftueshme. Në Bunë disa lloje të peshqve nuk ekzistojnë më fare, sepse janë shfarosur si edhe nga ana tjetër e lumit. As Shqipëria s’po i kushton rëndësi të duhur peshkimit – as në liqenin e Shkodrës, as në Bunë, as në det. Mungon bashkëpunimi dhe kjo degë me leverdi për të dy shtetet bën që të dy anët po e shfarosin peshkun. Nuk merren masat e duhura, as mbikëqyrja e liqenit.
Para disa ditësh dëgjova në Televizionin e Malit të Zi se për të parën herë u hodh rasat peshku të blinjve në liqenin e Shkodrës. Është një lajm i mirë. Si duket, po kthehet blini në liqenin e Shkodrës pas 50 vitesh. Nëse ruhet dhe kultivohet, por edhe kontrollohet rasati i hedhur në liqenin e Shkodrës ngjallet shpresa se blini i harruar që jetonte në liqenin e Shkodrës do të ngjallet dhe do të depërtojë edhe në Bunë, në Dri, por edhe në liqenin e Shasit. Do të duhej që komuna jonë t’i kushtojë kujdes detit, Bunës dhe liqenit të Shasit, që është në kompetencë të saj, të marrë masa mbrojtëse, por edhe shtimin e peshkut në det, në Bunë dhe liqenin e Shasit. Mungesa e peshkut do të kushtojë shumë, sidomos në ushqimin e banorëve por edhe të mysafirëve tanë që mburreshin dikur me peshq. Duhen marrë masa në bashkëpunim me Komunën e Tivarit, Qeverinë e Malit të Zi, por edhe me Shqipërinë fqinje, sepse është në interes të të dy popujve, të dy shteteve, por duhen hartuar edhe projekte të përbashkëta në të mirën e të dy palëve. Komuna e Ulqinit duhet të veprojë, sepse peshkimi në këtë anë është në rrezik. Është momenti i fundit të merren masa.
