
“Mjedisi nuk është pronë e askujt për ta shkatërruar, është përgjegjësi e të gjithëve për ta mbrojtur”.
Por ku jemi ne si individë, shoqëri?! Sa e kemi të zhvilluar vetëdijen në këtë aspekt? Si po i edukojmë, rrisim dhe çfarë mjedisi po ua lëmë trashëgim brezave të ardhshëm?
Mali i Zi shtet ekologjik?! Ulqini vend turistik?
Ulqini ka një bukuri të rrallë që ia ka dhuruar natyra, njerëz të mrekullueshëm, bujarë e mikpritës. Por edhe njerëz që nuk dinë ta duan vendin e vet! Çdo gjë që nuk është brenda oborrit të tyre, është e huaja. Aty mund të bësh ç’të duash, t’i gjuash mbeturinat vend e pa vend, mundesh edhe ta uzurposh, shkatërrosh. Askush nuk mban përgjegjësi, askush nuk të dënon, askush nuk të denoncon. E qyteti ynë po rënkon.
Mjaft ore njerëz se e tepruat! Në çdo pëllëmbë të tokës, rrugëve e rrugicave, lagjeve, fushë, mal e kodrinë të zë syri letra, shishe, kanoçe… mbeturinat nuk kanë fund.
Po të dalësh bregut të detit sheh mbeturina pa fund, të cilat dallgët i kthejnë e na i përplasin fytyrës për të na treguar se ato nuk e kanë vendin aty.
Në vendin më të bukur, pasurinë më të çmuar që kemi trashëguar nga stërgjyshërit tanë – ullishtën shekullore, perlën e Ulqinit, me çka mburreshim se e kemi të paprekur, të ruajtur, dikur të pastër e të sistemuar bukur, me mure guri, pa beton e tela me gjemba, rrjeta e ndërtime, ku çdokush e dinte pronën e vet, pa rrethime e kufizime e ruante të veten, po edhe të fqinjit e trajtonte njëjtë si pronë që duhet ruajtur. Sot me beton e ndërtime vend e pa vend, me leje e pa leje po ndërtojmë, kurse përgjegjësi nuk mban askush. Po lulëzon ndërtimi informal që po e shkatërron këtë mjedis hyjnor.
Popullata nuk e respekton orarin për deponim të mbeturinave. Ne edhe kolltukët, televizorët, gurët, degëzat nga bahçet, çdo gjë në kazana të mbeturinave i gjuajmë. Edhe nëse nuk i zë kazani (koshi), i zë rruga. Qëllimi ynë i vetëm është që t’i largojmë prej oborrit tonë.
Më kot apelojnë nga Ndërmarrja “Veprimtaritë Komunale” që qytetarët t’i deponojnë mbeturinat në vendet e duhura, në veçanti mbeturinat inerte. Shërbimet komunale presin nga ne qytetarët që të jemi më të përgjegjshëm, që mbeturinat shtëpiake t’i hedhim në kazana me thasë plastmasi, kurse për mbeturinat inerte dhe ato bujqësore t’i kontaktojmë shërbimet komunale për sigurim të kazanave shtesë. Megjithatë, ne vazhdojmë me avazin tonë.
Ndërmarrja “Veprimtaritë Komunale” nuk na dënon. Ata i transportojnë plehrat, punojnë, punojnë ditë e natë, por gjë nuk shihet sepse ne jemi “më të fortë”.
Shkollat punojnë me fëmijë për ruajtjen e mjedisit, për domosdoshmërinë e riciklimit të mbetjeve, për kultivimin e shprehive te fëmijët për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit.
Jeni ju prindër që me veprime konkrete, me biseda dhe këshillime të shumta mund të na ndihmoni t’i edukojmë fëmijët tanë për rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit.
Pushteti vendor është ai që i pari duhet t’ua mundësojë qytetarëve deponimin e mbetjeve të ndara në pikat ricikluese të letrës, qelqit, plastikës, kanoçeve… Ka ardhur koha, mbase edhe jemi vonuar, që Ulqini të ndërtojë pika për riciklimin e mbeturinave, të orientohet në rrugë të mbarë si çdo vend perëndimor që mbrojtjen e mjedisit e ka prioritet.
E sot duhet t’i themi vetes: Stop o njerëz se kështu po ngulfasim veten në mbeturina, të ndërgjegjësohemi edhe ne.
Të ngremë zërin,
Të denoncojmë rastet,
Të ruajmë qytetin,
Të mbrojmë mjedisin,
Të zhvillojmë turizmin,
Të përmendet Ulqini si qytet i pastër që ia vlen të vizitohet,
Të fitojnë turistët përshtypje të bukura,
T’i gëzojmë këto bukuri që na i ka falur nëna natyrë,
Të na kujtojnë fëmijët se baballarët kanë ditur ta mbrojnë mjedisin dhe na kanë edukuar në frymën ekologjike.
