Tuz – Në përkujtim të 53-vjetorit të Besëlidhjes së Malësisë të vitit 1970, u mbajt tryezë shkencore e cila u organizua të mërkurën mbrëma (28 qershor 2023) në QKI “Malësia” nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Rapsha” në bashkëpunim me Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”.
Në prani të një numri të konsiderueshëm të personaliteteve fetare, politike e publike në vend, fillimisht u shfaq një film i shkurtër dokumentar nga arkivi i RTK-së i vitit 1970, i cili pasqyronte këtë ngjarje të rëndësishme dhe historike për Malësinë.
Në emër të organizatorit përshëndeti David Junçaj, kryetar i SHKA “Rapsha”, i cili tha se shoqata që ai drejton, përveç aktiviteteve kulturore e folklorike, në programin e saj ka edhe shënimin e ngjarjeve të rëndësishme për Malësinë dhe në përgjithësi për popullin shqiptar.
“Pa dyshim se në mesin e tyre bën pjesë edhe Besëlidhja e Malësisë. Njëra ndër dukuritë më negative dhe plagë e rëndë e kombit tonë, duke mos kursyer as Malësinë e cila kishte pasoja shumë të rënda shoqërore, ka qenë edhe gjakëmarrja”, tha në mes tjerash Junçaj.
Ai shtoi se për të ndalur këtë dukuri me përmasa të gjera negative 53 vjet më parë, pikërisht më 28 qershor të vitit 1970 në Tuz, klerikë, krerë të Malësisë, intelektualë dhe banorë të zgjuar, vendosën që njëherë e përgjithmonë të ndalohet vëllavrasja.
Mbi rëndësinë dhe jehonën që bëri kjo ngjarje sot e 53 vjet më parë, panelistët e kësaj tryeze shkencore u paraqitën me kumtesat e tyre.
Pater Pashko Gojçaj, njëherësh përfaqësues i klerit katolik në këtë tryezë me kumtesën “Besëlidhja e Malësisë, bazë e ndryshimit të mentalitetit në Malësi”, theksoi se Besëlidhja e Malësisë si vepër e urtësisë, largpamësisë, pjekurisë, e vetëdijes për ndyshime të vullnetit të lirë të njeriut, u paraprin të gjitha ndryshimeve pozitive në mesin tonë që prej vitit 1970 e deri më sot.
“Malësia hapin e parë drejt qytetërimit evropian e bëri me Besëlidhjen e Malësisë para 53 vjetësh”, u shpreh në mes tjerash Gojçaj.
Ndërkohë, përfaqësuesi i klerit islam, Imam Rexhep Lika, njëherazi edhe pjesëmarrës në Kuvendin e Besëlidhjes së Malësisë të vitit 1970, në kumtesën e tij “Disa kujtime rreth Besëlidhjes së Malësisë”, tha se kjo besëlidhje është fryt i nismëtarëve, aktivistëve e vullnetarëve të shumtë që u bënë pjesë e këtij aksioni dhe misioni të shenjtë.
“Lidhur me këtë nisëm më ka njoftuar i ndjeri Gjergj Gjokaj, i cili më tregoi se në këtë nismë është i kyçur edhe i ndjeri Patër Gjergji, duke kërkuar nga unë që të punoj me besimtarët në mënyrë që t’i bind ata për të ardhur drejt Besëlidhjes. Me kënaqësi e kam pranuar ftesën, duke pasur besim në mbështetjen e popullit. Kam folur me krerët e fiseve dhe falë punës së palodhur të këtyre krerëve dhe të kryefamiljarëve, është arritur në përfundimin se populli do ta përqafojë mendimin për ndërrimin e gjakmarrjes, që ishte edhe synimi i Besëlidhjes së Malësisë”, u shpreh Lika.
Ai më tej tha se 28 qershori i vitit 1970 është një datë që duhet të shënohet dhe kujtohet pasi, siç tha, ajo ka sjellë një vendim historik për të shëruar një plagë shekullore.
Ndërkohë, akademiku dhe anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Dr. Anton Kolë Berishaj në kumtesën e tij “Malësia tradicionalisht vijolente prin me paqen”, tha se rasti i Malësisë mbase mund të shërbejë si model interesant për analizën e fenomenit të gjakmarrjes por edhe të pushimit të asaj.
“Meqenëse pikërisht Malësia në të kaluarën është ballafaquar ndoshta më shumë se ambientet e tjera në rajon me shkaqet dhe pasojat e plagëve dhe gjaqeve, e bën atë edhe me interesante”, u shpreh Berishaj.
Ai tha se ne sot që po e përjetojmë, po e respektojmë dhe po krenohemi me këtë Besëlidhje, duhet të përkulemi me respekt para veprës së madhe të të gjithë ideatorëve e njerëzve vullnetmirë që na e lanë trashëgimi këtë krijesë të shenjtë.
“Përfundimisht iu vu pikë qasjes tradicionale dhe përgjegjësisë kolektive për veprën individuale. Këtu para jush përkulem para të gjithë atyre që kontribuan, e përkrahen dhe e respektuan Besëlidhjen e 28 qershorit të vitit 1970, e këta të gjithë që po ju drejtohem, është e tërë Malësia. Mirëpo, me këtë rast duhet veçuar moderatorin e aktit finalizues të kësaj Besëlidhjeje të madhe, Gjergj Dakun Gjokaj që dëshmoi sens dhe takt të veçantë për përmbylljen e këtij procesi të veçantë në kohë dhe ambient tepër të veçantë”, u shpreh akademik Anton Kolë Berishaj.
Ndërkaq, Anton Vukpalaj, doktor i shkencave politike, ligjërues në Universitetin e Prishtinës e autor i disa librave e punimeve të shumta shkencore u paraqit me kumtesën “Besëlidhja e Malësisë, ndalimi i gjakmarrjes dhe sfida për ligjin dhe shtetin”.
Ai tha se Besëlidhja e Malësisë shikuar nga aspekti shkencor ka qenë marrëveshje e cila i përket fushës së studimit të zgjidhjes së konflikteve brenda komuniteteve.
“Këto lloj marrëveshjesh që ndodhin brenda komuniteteve inicohen zakonisht nga brenda dhe përfshijnë angazhimin e udhëheqësve të respektuar të komunitetit; kryetarët e fiseve, ndërmjetësuesit e ndryshëm, përfaqësuesit e fesë, etj, të cilët kanë arritur marrëveshje në fund”, u shpreh Vukpalaj.
Ai tha se fenomeni i gjakmarrjes është i lidhur ngusht me mungesën e shtetit.
“Këtë e tregon mbijetesa e saj në vende të largëta nga qendrat politike apo rajone që kanë qenë të izoluara nga distanca të mëdha nga qendrat politike. Nuk është vetëm Veriu i Shqipërisë, Malësia në përgjithësi në Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë, por kemi edhe vende të tjera që janë ishuj si për shembull në Korzikë, Sardenia, në Kretë ose në Kaukazin Verior që janë rajone që zakonisht kanë një mungesë të shtetit dhe kjo tregon se pse ligji tradicional ka vazhduar që të mbijetojë në këto zona”, theksoi ndër të tjera Vukpalaj.
Ai potencoi ato që kanë qenë përfitimet shoqërore të Besëlidhjes së vitit 1970.
“Interesi i parë dhe më i rëndësishëm ka qenë ndalimi i gjakderdhjes së brendshme të shoqërisë. Një tjetër interes ishte ndalimi i ndëshkimit të dyfishtë, sepse personat që kanë kryer vrasjen kanë qenë edhe në shënjestër të drejtësisë shtetërore që i dënonte autorët me burgime shumë të rënda. Në shumë raste me burgosjen e këtyre personave, familjet dobësoheshin edhe më shumë, sepse duhet të mbylleshin duke humbur kështu sigurinë dhe duke u varfëruar edhe më shumë. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, Besëlidhja do të jetë një hap i madh i daljes së Malësisë nga izolimi”, u shpreh Vukpalaj.
Profesori i historisë, Mark Junçaj në kumtesën “Besëlidhja e Malësisë, hap vendimtar për zhdukjen e gjakmarrjes”, duke treguar në dataje pasojat e kësaj dukurie negative ndër shekuj dhe në tërësi rrjedhat e procesit deri tek realizimi i ndalimit të gjakmarrjes në Malësi, shpalosi vendimet lidhur me hakmarrjen të cilat i kishin sjellë pjesëmarrësit e kuvendit në krye me Gjergj Dakun Gjokaj.
“1. Akti i vrasjes për hakmarrje dënohet si vepër që prish e shqetëson marrëdhëniet midis njerëzve. 2. Për vëllavrasje, vrasje ose për një vepër tjetër që ka të bëjë me hakmarrjen, të dënohet, qitet në gjak, ndjeket, etj vetëm fajtori. Fajtor mund të jetë një ose më shumë persona. 3. Pjesëtarët e tjerë të familjes së ngushtë, më të gjerë, apo të vëllazërisë a të fisit, pa marrë parasysh në çfarë marrëdhëniesh gjaku janë me fajtorin e veprës, janë të lirë dhe nuk ka të drejtë askush t’i ndjek, t’i qes në gjak ose t’i dënojë për veprën që ka kryer aktori i veprës së bashkësisë së më të afërmve të tyre”, u shpreh në mes tjerash Junçaj.
Besëlidhja e Malësisë duhet të shërbejë si model i qytetërimit dhe civilizimit shoqëror për avancim dhe dalje nga patriarkalizmi. Sot, 53 vjet më vonë, falë Besëlidhjes së Malësisë që e jetësuan iluministët malësorë, mori fund një epokë e errët dhe shkatërrimtare e cila e ndryshoi qasjen ndaj gjakmarrjes dhe me këtë Besëlidhje u vendos që në rast vrasjeje të ndiqet vetëm vrasësi dhe askush tjetër. Ky ishte një vendim historik për Malësinë, ngjarje kjo që bëri jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare.
t. u.
