
Basriu kishte njohuri të gjithanshme me të cilat koordinonte me intuitë si një erudit dhe ëndërrues pra, nga ky kënd – çdo varg i poezisë së tij është varg, por edhe një nëntitull apo titull me të cilët ai si një mikrokozmos zbulon kodet e Universit që ndikojnë tek fatet njerëzore. Shih se si ai që në vitet e 80-ta fliste për eksperimente gjenetike në gjakun tonë – ADN-në, për të krijuar zbutjen “e njeriut shqiptar” që lind gjarpër në folklorin e Rumisë dhe i cili edhe kur vdes bëhet roje e shtëpisë apo fisit. Këtë simbolikë bazë e përmbyll te libri “Zbutja e Gjarprit”. Thjesht ai sikur paralajmëron viruse që do të vinin sot?! Mos të harrojmë këtu se edhe vetë Shën Gjon Vladimiri ishte i vijës arbërore ilire që trashëgonte misteret e zbutjes së gjarpërinjve në luftrat e veta. Thuhet se Shën Gjoni komandonte me bashkësinë e tyre si vëllai me vëllezër në beteja kundër atyre që suleshin kundër Mbretërisë së Gjarprit. Basriu poezinë simbol te cikli për njeriun gjarpër (1980) e përmbyll te “Zbutja e Gjarprit . Ndërsa kur themi cikël, në këtë situatë duhet të nënkuptojmë një rreth në të cilin gjarpri detyrimisht piqet – pikëtakohet aty kah fundi i jetës. Ai i i cili nuk i takon linjës së gjakut arbëror – pra nuk e ka besën me Krijuesin, të cilën shqiptarët besojnë se e kanë mision – qëllim të ekzistencës, duke krijuar koalicion me djallin e shitur shpirtin atij në këmbim të famës e pasurisë, në këto anë njihet si dështuesi më i madh në ditën e GJYKIMIT TË MADH, kur ai që e bëri këtë në fund të jetës i kapitulluar do të thotë:“ U bana me hagër veten!” Kurse këtë shprehje simbolike edhe sot e kemi në Anë të Malit.
Mendojmë që ajo që do ta shqetësonte poetin sot, pikërisht në këtë ditë, do të ishte dita e festimit të Shën Gjon Vladimirit si i shenjtë i serbëve, shqiptarëve dhe malazezëve që u festua sivjet në Elbasan si shenjtor ekumenik, paçka se u soll në një gjeografi edhe sot ende shqiptare. Serbët, sllavët e grekët të gjithë së bashku e luftuan në koalicion dhe që e mundën duke i prerë kokën vetëm me shpatën e tij, sepse ai e kuptoi se duhesh të vritej nga vetë shpata e tij. Ndërsa më vonë ishte vetë xhaxhai i tij i cili i mundi të gjithë bashkë duke formuar Mbretërinë e Gjarprit me seli Ruminë e Shenjtë si mal.
Kodi i fotografisë së parë është gjarpri që ha veten dhe po duket se emri Malësi u bë Mali Zi dhe degjeneroi në përkthim serb – Crna Gora. Po dhe Kokarda Serbe , në fakt është një fjalë shqipe –KOKËARTA …?! Sepse emri kokarta në gjuhën serbe nuk ka etimon. E shqip kokë-arta, që me kurorë të artë ishte çdo mbretëreshë. Po ç’është gjarpri si kafshë totemike – i pari fisit dhe si mbijeton nga folklori që Çapriqi e njeh si studiues i folklorit të Rumisë; Shih poezinë e titulluar “Lëkura e Gjarprit”- Në Bellevue hospital / mjekësia bie në hall / në sallën e maternitetit nr. 80/ lindje e çuditshme Djali gjarpër / e ëma i jep gji/ në sallën e kirurgjisë nr. 80/ zhvishet djali nga lëkurë e gjarprit / djali pa lëkurë vdes/ në institutin eksperimental në Nju Jork / mjekësia / vesh e zhvesh / djalin me lëkurë gjarpri / ruhet nga djali njeri”. Dhe ky njeri jetoi e jeton në Anë të Malit -Ulqin..?!
Po përse ky shkrim sot në këtë ditë? Sepse para pak javësh në Ulqin u dha filmi dokumentar “Në teh të erës” për poetin Basri Çapriqi realizuar nga Haxhi Shabani, si projekt i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. Ajo që më ra në sy ishte fakti që u tha se me Basriun në grup për letërsi shqipe nga Ulqini, si nxënës të Bajram Rexhës në vitin 1980 “ata ishin katër”. Prandaj po e nisi rrëfimin si “i katërti” që tash jam i ftuar brenda verbit të metaforës simbolike të cekur të zbuloj diçka që pa dashje nuk kapet në “Tehun e erës”. Po zbuloj këtu se me Basriun pata fatin që të jemi shokë nga fillorja, klasa e 5-të (5-I), dhe kështu vazhduam të ishim e njëjta paralele edhe në gjimnaz dhe pastaj në fakultet deri në vitin e tretë. Duke qenë që na pëlqente të rrinim në ”tehun e erës” si pjesëmarrës në lëvizjen studentore të vitit 1981, më rastisi të më zbulojnë disa herë si njeri antikomunist në shkrime dhe pjesëmarrës aktiv në demonstrata dhe kështu dënohem me 2 vite burg.
Duke e pasur shok të sinqertë i kemi disa situata tejet interesante, bile i ra ta kem edhe profesor timin pasi u vonova në diplomim pas burgut kur ai si student i diplomuar dhe i dalluar ishte asistent në provimin Letërsi e sotme shqipe. Këtu po veçoj vetëm disa nga rastet kur ai gjendej në teh të erës, kuptohet me të gjithë njerëzit përgjegjës para kombit.
Tehu i erës nr.1 ndodhi kur ky i vuri mision vetes të bëjë pasurimin e filozofisë poetike të urtësisë popullore anamalase duke futur brenda mendimin e ri artistik të vetin që nuk njihej në Kosovë deri atëherë. Basriut i takoi që të hyjë i pari në livadhin poetik të krijimtarisë folklorike të këtyre anëve dhe duke e zbuluar atë, me gjithë bukurinë dhe urtësinë e shprehjes së saj në simbolikë. Kjo ishte energjia e re atraktive që e bëri të njohur në botën shqiptare. Madje edhe pse nuk thuhet, të tjerët nga këto anë vetëm se përdornin metaforën e tij – të Anës së Malit dhe u bënë poetë të kësaj ane – Malësisë së Rumisë. Ndodhte kështu, sepse livadhi poetik i Anës së Malit – Rumisë ka aq shumë kolorit sa nga ai mund të dalin disa poetë.
Si i “katërti” po veçoj gjithashtu edhe një moment të rëndësishëm kur Basriu kishte konkurruar në një konkurs letrar për revistën studentore “Jeta e re” pa e ditur neve me poezinë: “Gur për kullë dhe urë” – me shifrën GJELI. Kjo ishte poezia e tij e parë që mori çmim nga kryeredaktori i revistës Hasan Mekuli. Po cila ishte risia e tij me këtë poezi të cilën nuk e kam parë ta ketë futur në përmbledhjet e veta? Risia ishte që ky metaforën e kohës “Kullat tona me barot” e pasuroi me mendimin që kulla nuk bënte pa një urë?! Ky që atëherë nuk kënaqej vetëm me kullë e pa urë dhe kjo mësohet me intuitë vetëm nga kodet folklorike të Rumisë nga poetët.
Tehu i erës nr.2. Këtu jam i bindur se hyn guximi intelektual kur në një moment ngriti zërin kundër një praktike të keqe të përkthimit të Kuranit nga arabishtja në shqip kur përkthyesi e niste për së mbrapshti përkthimin – faqja e fundit ishte e para. Askush nuk reagoi nga intelektualët, për çka edhe u damkos si armik i islamit. Falë këtij guximi, tri përkthimet e tjera të Kuranit u bënë normalisht si të gjithë librat e tjerë. Nuk e di se si do kishte vajtur puna sot nëse përkthimet nga arabishtja të ishin bërë të gjitha mbrapsht.
Tehu i erës nr.3. I pëlqente të merrte mësime nga profesorët e dalluar të Institutit Albanologjik, andaj u zgjodh edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës të Ibrahim Rugovës. Pasi ky ishte nga Ulqini, kjo bëri që ai të ndikonte të na hidhte neve si shqiptarë në Mal të Zi shumë më afër në raporte partiake me subjektin e Rugovës, se sa shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Luginës së Preshevës që regjistruan parti me emra tjerë. Thjesht krijoi terren që Lidhja Demokratike në Mal të Zi të regjistrohej si një degë e Lidhjes Demokrtatike të Kosovës?! Pra LD në MZ nuk është e regjistruar në regjistrin e partive në Mal të Zi, por të federatës jugosllave.
Tehu i erës nr.4. Nga pozitat e këtilla, Basriu bashkë me kryetarin e Forumit Demokratik që e kishte themeluar i ndjeri Gjergj Gjokaj, pasi 1/3 e shqiptarëve në Mal të Zi ashtu si sot kishin kaluar në partitë qytetare dhe votonin PDS-në, 1/3 votonin opozitën malazeze dhe 1/3 partitë nacionale. Këta të dy nuk pritën dhe nuk i lanë të ndarë, por u kujtuan të ndërtonin strategjinë e një trupi mbipartiak dhe i thërrisnin të gjithë në mbledhje të Forumit Demokratik duke futur pluralizmin brenda vetes dhe duke i bashkuar ata politikisht, sidomos në hartimin e Memorandumit për status special të shqiptarëve në Mal të Zi. Këtë punë me ligj i takon ta bëjë Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, por nuk funksionon në këtë drejtim. Sipas ligjit aktual, liderët e partive nacionale, deputetët, kryetarët e komunave dhe të kuvendeve komunale, duhet të jenë anëtarë me funksion të Këshillit Kombëtar i cili duhet të japë dhe jep pëlqimin për zgjedhje të drejtorëve të shkollave shqipe. Edhe këtë të drejtë ia lamë partisë në pushtet! E Gjergji me Basriun – kanë vdekur!
Tehu i erës nr.5 . Më kujtohet që në mbledhjen e Forumit Demokratik të Shqiptarëve, B. Çapriqi merr fjalën i pari dhe hedh idenë e formimit të një dokumenti unik politik të shqiptarëve që më vonë u quajt Memorandumi për status special të shqiptarëve në Mal të Zi, për çka u formua po në këtë mbledhje edhe grupi punues në të cilin përveç Gjergj Gjokës, në përbërjen e tij hynë me funksion edhe Mehmet Bardhi si kryetar partie dhe i Komunës së Ulqinit, pastaj Mustafë Çapuni si deputet federativ, Nail Draga si intelektual, etj. Ky dokument u shtyp në zyrën time si përkthyes i komunës dhe u miratua edhe nga Lidhja Demokratike në organin e kryesisë. Me këtë, delegacioni i shqiptarëve arriti të shkojë edhe në Konferenca të Paqes në Londër, për dallim nga shqiptarët e Maqedonisë dhe Preshevës.
Tehu i erës nr.6. Basriu përkrahi themelimin e shoqatës së parë joqeveritare të shqiptarëve në Mal ë Zi të njohur si “Art Club” që bashkonte intelektualët dhe artistët shqiptarë në Mal të Zi, duke ndikuar që ajo t’i përmbahet statutit të vet – lirisë së fjalës në kuptimin e plotë të saj dhe e cila rregullisht i ka mbajtur kuvendet zgjedhore duke mos krijuar fraksione, ose duke mos ndërruar kryetarët e vet siç vepronin partitë nacionale që kanë degjeneruar plotësisht, bile gati të njëjtat i kanë privatizuar.
Tehu i erës nr.7. Ka ndihmuar në organizimin e dy simpoziumeve shkencore më të rëndësishmme, punime të cilat edhe janë botuar duke qenë si një pikënisje për studime të reja për Ulqinin.
Tehu i erës nr.8. Bashkë me intelektualët ulqinakë, Basriu ka organizuar Panairin e Librit në Ulqin dhe ka pasur mirëkuptim që ky panair si manifestim kulturor të i besohet për organizim Art Club-it. Kjo traditë vazhdon edhe sot.
Tehu i erës nr.9 Ka qenë shumë personalisht mirënjohës ndaj idesë së tij që Ulqini gjatë stinës së verës të shndërrohet në metropol kulturor shqiptar nga ana ime. Pra, më ka përkrahur tejmase si drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Ulqin duke siguruar logjistikën e tillë, të elitës kulturore dhe artistike të krijuesve, aktorëve të skenës nga Kosova. Për ato 4 vite si drejtor i Shtëpisë së Kulturës pata fatin ta mbarojmë Shtëpinë e Kulturës – pas 20 viteve. Unë vendosa marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Bibliotekën e Kosovës, që atje ishte Sali Bashota, përndryshe shok grupi i imi dhe i Basriut. Ai më furnizonte gratis me libra të rinj dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Popujve Pakicë, që e drejtonte ministri Gëzim Hajdinaga, u sigurua një donacion falas prej botuesve shqiptarë me rreth 7 mijë libra për Bibliotekën e Ulqinit. Kurse, bashkë edhe me ndihmën e ekonomisë ulqinake për nevojat e kësaj elite kulturore kombëtare gjatë verës kemi siguruar mbi 1.000 fjetje në vit në kuadër të festivalit veror për shkrimtarë, poetë, artistë dhe piktorë shqiptarë, për ata më në zë si për shembull poeti Ali Podrimja ishte tradicionalisht mysafir i Ulqinit, por jo vetëm.
Tehu i erës nr.10. Nuk pata ndonjë kriter në radhitjen e këtyre fakteve, por pasi në numerologji nga 10-ta çdo gjë është një përsëritje, për të përfunduar me demontimin e akuzave ndaj tij, si njeri që u shpif se gjoja ishte kundër islamit këtu rrëfejmë krejt të kundërtën. Ai kombin dhe fenë i shikonte si dy gjëra të njëjta. Ideja për Zotin thoshte se ka lindur bashkë me njeriun. Për këtë dimë që Basriu kishte vizituar Qabën si mik i Mbretit të Arabisë Saudite dhe dime se i ka vizituar dhe është lutur në të gjitha xhamitë më të mëdha të botës nga Arabia Saudite e deri në Indi. Thonë se Zoti këtë shans ua jep vetëm mysafirëve që ai i do?! Njëherë më pat treguar se si kishte vizituar Xhaminë Al Aksa në Jerusalem bashkë me bashkëshorten Sazana, apo siç njihet edhe si xhamija e profetit Sylejman – Tempulli i Sollomonit dhe ku nuk lejohet hyrja në të për vizitorët nëse nuk e di “shehadetin” dhe se roja ishte një hebre. Ai më pat folur edhe për “një ndjesi disi të çuditshme brenda saj e cila si një rryme e kënaqshme sikur më merrte me vete, duke të krijuar ndjesinë se dëshiron të ngjitësh lart në qiell. Nuk ke dëshirë të ikësh nga ai vend”. Kjo ndjesi u takon vetëm besimtarëve të devotshëm.