Me rastin e 40-vjetorit të tërmetit më 15.4.1979

Gani Karamanaga

E dielë, ditë prilli, Pashkët e përbashkëta… Nga deti erdh stuhia, dielli u mbyll, toka filloi të dridhej, shtëpitë u rrënuan, rrugët u mbyllën… Tërmeti më 15 prill 1979 rrënoi shumë shtëpi në Kala.
Shkaktoi edhe 6 viktima. Më vonë kam dëgjuar që kanë thënë:
“Kalaja ishte e mbuluar me tym, kemi menduar se askush nuk shpëtoi nga aty…”.
Kështjella shumëshekullore qëndroi në këmbë, tërmeti e dëmtoi, por mbijetoi…

  • kalalitë e ruajtën vendlindjen e tyre,
  • nuk lejuan që të mbyllen portat e saj…
    Jeta vazhdonte edhe pas tërmetit. Në kampin ku ishin të strehuar, dy të rinj u fejuan. Pas disa ditëve ndodhi edhe martesa e parë pas tërmetit…
    Tërmetin e përcolli solidariteti i madh nga i gjithë Mali i Zi si dhe republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
    Në atë ditë, para sëmundjes, Josip Broz Tito ishte në rezidencën e tij në Igallo. Menjëherë më helikopter e vizitoi bregdetin e Malit të Zi, ku ishin pasojat dhe rrënimet më të mëdha… Që atëherë nisi ndihma dhe lufta që të tejkalohen pasojat e tërmetit.

“K-1“
Tërmeti i rrënoi gati të gjitha shtëpitë në Kala.
Jeta aty një vit ka qenë e pamundshme.
Ka pasur mendime që Kalaja të mbyllej fare për banorët e saj.
Por pat rezistencë të madhe.
Këtu më tepër u angazhuan: Jakup Nimanbegu, Ismail Bushati, Ruzhdi Karamanaga, Hajro Nimanbegu, Ismet Karamanaga.
Banorët e Kalasë kanë qenë të strehuar në kampin “Milena”, të Lidhjes Feriale në vilat e hotel “Albatrosit” dhe hotel “Jadranit”, si edhe te miqtë e të afërmit e tyre.
Organizata qendrore e Sindikatave të Kosovës më herët nisi ndërtimin e një kompleksi të madh me vila të tipit montazh, komfore, në Zall (Plazhi i Madh).
Përkohësisht aty kanë banuar edhe shumë qytetarë të cilëve u ishin rrënuar shtëpitë, si pasojë e tërmetit të 15 prillit 1979. Më kujtohen këto familje nga Kalaja të cilat qëndruan disa muaj në objektet e Sindikatës së Kosovës, ose siç e quanin “K-1”: Raif Truma, Zade Nimanbegu, Ali Peshku.
Ali Peshku ishte daja i Fitnetes dhe në maj më 1982 e martoi vajzën nga kjo banese në Kampin “K-1“.
Por pas disa muajve, me vendimet e organeve republikane nga Podgorica, si edhe ato të Ulqinit, u aprovua vendimi për rrënimin e këtyre shtëpizave!
Një gjë e pakuptueshme, e pakapshme… U rrënuan shtëpizat e reja, të ndërtuara me kushte bashkëkohore.

Martesa
Ditët e para pas tërmetit ishin të vështira.
Banorët e Kalasë u strehuan përkohësisht në Kampin i Lidhjes për Pushime, në autokampin “Milena”, disa te miqtë dhe të afërmit.
Por, shumica kemi qenë në kampin e parë. Aty u bë si një mëhallë e re. Filluan vizitat ndërmjet njëri-tjetrit. Jeta vazhdonte.
Unë punoja si drejtor në Shtëpinë e Shëndetit, e cila fillimisht disa muaj ka qenë në pushimoren “Gornji Ibar” të Rozhajës.
Çdo mëngjes me mua në punë, me veturën time “Lada 1200” vinin: Olga Vukçeviq, Njegosava Qetkoviq dhe Hidajet Kapllanbegu, punëtorët e administratës.
Ditë pas dite njerëzit filluan edhe një jetë tjetër…
Në kampin tonë ndodhi edhe një gjë e re: u martuan Sytki Nimanbegu me Munibe Abazin.
Pas disa ditëve në komunën e improvizuar, në disa baraka, u bë edhe kurorëzimi i parë pas tërmetit: Shyqyri – Çylo Shabani u martua.
Kumbar ishte vëllai im, Ismeti.

Jeta në kamp
Në kampin tonë ku kemi qenë të vendosur pas tërmetit, ka pasur disa shtëpiza komfore, me një dhomë, banjë, tarracë të vogël.
Disa të tjera kanë qenë vetëm shtëpiza me banjo të përbashkët.
Shtëpiza jonë ishte e bukur me tre kravate.
Ka pasur shumë probleme pas tërmetit. Përkohësisht ishim me shërbimin shëndetësor në pushimoren “Gornji Ibar”, në rrugë e cila shkon për Zallin e Madh. Në kamp kemi organizuar një ambulancë.
Isha i ulur në tarracën e vogël, para shtëpisë së vogël.
Mu afrua kushëriri, Nail Karamanaga (1925-1986). Më pyeti se pse jam i padisponuar. Naili vazhdoi:

  • Shiko, problemet e punës lëri atje! Këtu je në shtëpinë tonë…
    Mendova: “Naili ka të drejtë”.
    Afër shtëpizës sonë ishte edhe familja e Havasë dhe Sulltane – Tane Karamanaga.
    Pas disa ditëve ndërroi jetë Tanja, motra më e vogël. Ka qenë një grua komunikative. Nga martesa me Selimin, kushëririn e babait, nuk kanë pasur fëmijë.
    Si ishte adeti atëherë (po edhe sot), gratë më të afërta kanë vënë në krye shaminë – beshbezin.
    Sadetja (nusja e Basriut), beshbezin e vendoste vetëm kur ishte te plaka, Havaja. Sa shkonte për qytet, beshbezin e hiqte.
    Për të qeshur, kur isha një ditë te Havaja, iu drejtova Sadetes – Detes:
  • Ti, Dete, beshbezin o hiqe o vëre, se jo kur je këtu e ke në krye, e kur del jashtë kampit je pa të!
    Havaja ka qenë gjithmonë autoritet dhe e kanë dëgjuar.
    E shikoi pak Deten.
    Kjo s’bëri zë.

Saranxha
Në shtëpinë e parë kemi pasur një bahçe të vogël.
Në skaj, sipër bedenit, ka qenë saranxha (rezervuar uji).
Nën saranxhë ishte qemeri (nënkalimi).
Saranxha ka pasur murinjet në tri anët, kurse sipër – hardhinë.
Kjo ndërtesë interesante ka pasur dy penxhere – dritare të vogla, me parmakë.
Saranxha ka qenë vend i këndshëm për pushim dhe meditim.
Aty gjithmonë frynte era maestrale.
Në kopsht – bahçe, nëna ka mbjellë një portokall, i cili gjendet aty edhe sot.
Tërmeti i vitit 1979 e rrënoi qemerin edhe saranxhën tonë.
Ata mbërritën poshtë, në kopshtin e Ilija Miliqit, deri te bregu i detit.
Kjo pamje në fotografinë poshtë, nuk ekziston më.

Rezistenca dhe fitorja
Tri ditë pas tërmetit në hotelin “Bellevue” në Zall, u organizua një tubim me banorët e Kalasë. Udhëheqësia e Komunës së Ulqinit, në krye me Marko Kallugjeroviqin, kishte marrë vendimin që të mos lejohej jeta në Kala.
Kalalive u premtuan nga një shumë të hollash për ndërtimin e shtëpive jashtë Kalasë. Propozuan lokalitetin e Limanit, në afërsi të Çinarit të Vjetër. Por, banorët e Kalasë nuk u pajtuan më këtë vendim. Një pjesë e madhe kundërshtoi, një pjesë e vogël ishte indiferente.
Në Kala atëherë nuk ka pasur as rrymë, as ujë.
Pushteti deshi edhe ta mbyllte Kalanë me derë hekuri te Porta e Madhe dhe te Jallia. Shërbimi i “Elektrodistribucionit” i preu edhe shtyllat për energji brenda Kalasë.
Kryetari i Malit të Zi, Veljko Millatoviq pati mirëkuptim për banorët e Kalasë. Së shpejti në Kala për të jetuar u kthyen Ismail Bushati dhe Jakup Nimanbegu.
Këta e instaluan gjeneratorin për rrymë elektrike dhe e rifilluan jetën në shtëpitë e tyre.
Pak më vonë, këtyre iu bashkëngjitet edhe Ruzhdi Karamanaga, i cili gjithashtu u kthye në shtëpi në Kala. Ai më vonë e mori të jetonte në shtëpinë e tij Zejnel Ismajlagën me familje. Aty qëndroi derisa e rindërtoi shtëpinë e vet.
Këta ishin tre mbrojtësit e Kalasë.

Të fundit

më të lexuarat