
Vojo Çilingiri
Kantieri në Ulqin
Në mesin e plazhit të qytetit ka qenë vendi ku janë nxjerrë në tokë fllugat, sandallat dhe barkat e vogla. Aty ishte edhe kantieri detar, vendi për ndërtimin dhe riparimin e anijeve. Kur Mali i Zi mori Ulqinin në vitin 1880, punimet i udhëhiqte Hysë Amari, i cili ishte proto (usta i ustave, pronar). Ai ka pasur në punishten e vet 25 mjeshtër shkiverre. Në atë kantier detar ata kanë ndërtuar barka të reja të tipit brikut (modele të shekullit XIX) për nevojat e lundruesve ulqinakë.
Në shkiverrë-kantierin e Ulqinit atëherë ndaluan të ndërtojnë briqe, të cilat në rastet më të shpeshta janë meremetuar.
Adem Tivari (1864-1944) ka qenë i pranuar si çirak te Hysë Amari. Ai që nga ditët e para të punës së tij si shegert, e mësoi mjeshtërinë dhe u dëshmua si një talent i një anijendërtuesi të ardhshëm. Kur hyri Mali i Zi në Ulqin, Hysë Amari, si edhe një pjesë e qytetarëve, nuk janë pajtuar që fëmijët e tyre t’i çojnë në shkollë në gjuhën malazeze.
Hysë Amari me grupin e parë ka ikur në Shkodër.
Adem Tivari vazhdon punën në kantierin e Ulqinit. Atij ia ka lënë pjesën e kantierit të deritanishëm, një numër të madh të mjeteve me të cilat ai do të vazhdonte anijendërtimin. Ai, pak nga pak, ka bërë edhe vegla të reja, si edhe dru për ndërtim, me çka ka nisur vetë të ndërtojë anije të vogla prej 5 deri 50 kuintalë dhe ka bërë 40 copë.
Shkiverra ka mbetur në të njëjtin vend, tash dyqani i Bidin Sylejmanit. Adem Tivari ka ndërtuar dhe meremetuar barka, nuk ka pasur vegla të veçanta për të ndërtuar barka me vela të mëdha.
Po shtoj: një Ulqinak i moshuar thotë:
“Kam qenë 10 vjeçar kur Vojo Çilingiri ka ndërtuar sandallin-barkën në Ranë me të cilën kanë lundruar dhe ikur nga Ulqini bashkë me Filip Martinoviqin. Ata më vonë kanë mbërritur në Australi…”.
Kështu Vojo dhe Branko Çilingiri ishin anijendërtuesit e fundit në Ulqin.
Në hyrje të Shtëpisë së Shëndetit të Ulqinit takova Boshko Çilingirin (1951). Ai është teknik dentar në pension, i lindur në Kalanë e Ulqinit.
“Nuk ka mbetur askush prej punëtorëve të vjetër në Shtëpinë e Shëndetit, para disa muajsh edhe Lam Gjeka ka shkuar në pension, ne të tjerët më parë…”.
Foli Boshkoja pas përshëndetjes. Vazhduam bisedën lidhur me jetën e dikurshme në Kala. Më tregoi për nënën e tij, Angjen e cila është 91-vjeçare.
”Ajo tash më shumë flet për kohërat e vjetra, eja një ditë e shihe…”.
Ikja – mërgimi për Australi
“Më kanë treguar të mitë se ai ka qenë anijendërtues, prej tij ka mësuar edhe babai im Brankoja. Në vitin 1950 axha Vojo ka ndërtuar një sanall të madh me dyrek dhe me vel. Më përpara është marrë vesh me Filip Martinoviqin, i cili atëherë ka punuar në administratën e Kriporës, sepse ai ka qenë i shkolluar. Një ditë, heret në mëngjes janë nisur me sanall deri në Valdanos për të bërë dru për shtëpi. Por Vojoja dhe Filipi janë nisur për Itali. Përveç velit kanë pasur edhe një motorr të vogël 2 kuajsh. Më vonë është hapur lajmi se kanë mbërri deri në afërsi të Brindisit në Itali kur u është fikur motorri. Pas një kohe një peshkatore i ka tërheqë deri në Brindisi. Bashkë me Vojon dhe Filipin ka qenë edhe një Poçek nga Limani… Në logor i kanë pyetur se për ku duan të vazhdojnë. Vojoja dhe Filipi kanë shpreh dëshirën që të shkojnë në Australi, kurse Poçeku për Amerikë”.
Në Sidnej fillimisht Vojo Çilingiri ka punuar në fabrikën e duhanit, pastaj në fabrikën e çimentos. Më vonë, Vojoja fillon punën në kantierin e Sidnejit.
Ibrahim Karamanaga me Vojo Çilingirin ishin shokë qysh nga Kalaja. Janë shoqëruar edhe në Australi, ku secili punonte zanatin e vet. Ibrahimi si bojaxhi dhe pastaj organizator në ndërtimtari, kurse Vojoja në Portin e Sidnejit në mirëmbajtjen e anijeve.
Martesa nga Ulqini
Më kujtohet në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit XX, Vojo Çilingiri u martua. Familja e tij nga Meterizi të familjes Gjakonoviq ia sjellin një vajzë, me të cilën u kurorëzua në Australi. Boshko Çilingiri thotë se Vojoja ka jetuar deri në 91 vjeç. Në Australi ka një djalë. Nuk ka ardhur kurrë në Ulqin. Askush prej familjes Çilingiri nuk e di se pse.
Kur Ibrahimi erdhi për herë të parë në Ulqin pas largimit në vitin 1948 e kontaktoi familja e Vojo Çilingirit. Ata nuk kanë pasur asnjë kontakt me të. Për këtë arsye shkruajnë një letër dhe Ibrahimi e mori përsipër që t‘ia jepte Vojos në Australi. Vojo Çilingiri asnjëherë nuk erdhi në Ulqin pas largimit tij në fund të dekadës së katërt të vitit 1920.
Fejzi Hamid Ismajlaga
(1940-2020)
Këto ditë në Çikago (SHBA) ndërroi jetë Fejzi Hamid Ismajlaga. Në vitin 1969 ilegalisht u largua nga vendlindja së bashku me Mehmet Fazlibegun dhe Bahri Hysën. Pas tre muajve në logorin e Italisë në Brindisi mbërriti në Amerikë, Çikago. Aty punoi e jetoi, por asnjëherë nuk ka ardhur në vendlindje. Isha në Kollomzë te Hidajet Kapllanbegu.
Aty ishte edhe moleri Sabri Kasmi. Ai më pyeti:
- Çka e ke Fejzi Ismajlagën?
- Djalë halle, nëna e tij dhe babai im vëlla e motër – iu përgjigja.
- Kur ka ikur nga Ulqini m’i ka falur një palë shkalla për punë. Unë kam qenë atëherë nxënësi i tij. Ka qenë mjeshtër dhe shok i mirë. E di se nuk ka ardhur asnjëherë në Ulqin. Kam dëgjuar se ka ardhur njëherë deri në Itali.
Para 20 vjetëve isha duke pritur trenin në stacionin e hekurudhës në Beograd. M’u afrua një ulqinak. Ai vinte nga Çikago dhe vazhdonte për Ulqin. Biseduam për Fejziun të cilin e njihte mirë. Edhe ky më tha se Fejzia ka ardhur deri në Itali, por në Ulqin asnjëherë pas largimit të tij nga Ulqini në vitin 1969.
Ky ishte vazhdimi im në këtë bisedë.
Fejzi Hamid Ismajlaga (1940) është djali i gjashtë i Hamid dhe Hajlije Ismajlagës. Gjithmonë i qeshur, punëtor i mirë, i shoqërueshëm.
Nga Ulqini largohet në vitin 1969, së bashku me disa të tjerë: Bahri Hysën, Mehmet Fazlibegun…
Në Bari (Itali) më së pari kanë qenë në kamp për refugjatë e pastaj kanë shkuar për Amerikë.
Motrës time, Hyrijes i kujtohet kur halla e niste t’ia çonte bukën Fejzos, kur punonte në rregullimin e hotelit “Jadran”.
Arsimtarja e gjuhës frënge, Dana Vujanoviq e thirrte Fejzon me emrin “Fenzi” (ishte një emër nga një roman), por ai nuk përgjigjej asnjëherë në këtë emër.
Më kujtohet: atë vit diplomova në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd dhe fillova stazhin në Spitalin e Tivarit.
Në vjeshtë vdiq Hajlije Ismajlaga (halla ime), disa muaj pas largimit të Fejzisë nga Ulqini.
Fejzi Hamid Ismajlaga nuk u kthye asnjëherë në Ulqin, por ata që e kanë njohur në Kalanë e Ulqinit, nuk e harruan.
Në fund
Prej familjarëve të tij dëgjova se dëshira e tij ishte që të varroset në vendlindje:
“Më varrosni në vorrin e babës tim, Hamid Ismajlagës…”.
Kjo ishte dëshira e tij e fundit.
Fejzi Hamid Ismajlaga do të kthehet në vendlindje pas gjysmë shekulli.