Me rrema nga Shibeniku

Gani Karamanaga

Selatin – Tino Vogliqi është fëmija i tretë i Nurijes dhe Qazim Vogliqit. Ata kanë jetuar në shtëpinë në pjesën jugore të Kalasë e cila ishte njëqind metra larg nga deti. Selatini nuk u bë detar, por mbaroi zanatin për marangoz (zdrukthëtar) dhe që në vogëli u ndihmonte prindërve. Kur e përfundoi shërbimin ushtarak, ai me ndihmën e kushëririt Xhavit Vogliqit dhe dhëndrit të tyre, Ali Suloviqit i cili ishte kapidan në anien “Koromaçno” bleu një sandall të ri në Shibenik. E kishte planifikuar që të vinte nëpër bregdetin e Malit të Zi, me anijen ku Aliu ishte kapiten duke e tërhequr pas. Por ata morën urdhrin që të shkojnë për Itali.
Dhe kështu, filloi lundrimi nëpër Adriatik, i cili zgjati 3 javë. Selatini kishte vetëm rremat dhe krahët e veta. Mbërriti në Split ku takoi Zuhdi Demën, i cili punonte si detar në një barkë dalmatine. Zuhdiu i tha se do të shkonte për Rijekë. Aty ishte edhe Enver Nimanbegu me anijen “Petrovac”, pronësia e “Lovqen”-it nga Kotorr, por edhe këta shkuan sipër Adriatikut.
Ditën Selatini rremonte, nganjëherë kur frynte maistrali i çonte rremat dhe era e shtynte. Natën pushonte në ndonjë port ose gjir të bregdetit.
Pas dy javësh mbërriti deri në Budvë, ku gjeti një anije për transportin e turistëve. Punonin aty edhe dy ulqinakë, por ata nuk patën mirëkuptim për ta tërhequr Tinin me sandall deri në Ulqin. Kur mbërriti te Sveti Stefan, filloi një jug i rëndë dhe aty Tini pushoi tri ditë. Pastaj edhe dy ditë të tjera vazhdoi deri te Kepi i Bashbylykut. Aty i doli para syve Kalaja e Ulqinit. Pas tri javësh, Selatini hyri dhe e lidhi sandallin në molin e vogël, në Jalli. Njerëzit që rastisën aty nuk besonin se prej nga ka ardhur ky djalë i ri me rrema. Selatini më tha: “Kam ndërtuar së bashku me vëllezër barkën “Marco Polo” në Molen e Madhe, kam tash leutin “Liamra”, por sanallin e parë e ruaj shumë. Çdo vit ndërroj në të ndonjë send, dhe ai do të jetojë së bashku me mua…”.
Sot më 20 mars 2017, në kafenenë “Timoni” këtë tregim ma vërtetoi Xhavit Jusuf Vogliqi.
Zuvdija Hoxhiq thotë:
“Sidoqoftë, ky është tregim i bukur”.
( Nga libri “Në derë
të oborrit”, 2017)

Të fundit

më të lexuarat