Katër periudha në shërbimin shëndetësor

Gani Karamanaga

Periudha 1:
Malaria dhe eradikimi i saj

(Kryeshefat e Stacionit shëndetësor: Dr. Eva Hrastnik, Dr. Marko Popoviq)
Në shumë komuna të Malit të Zi, sidomos në periudhën mes dy luftërave dhe në një masë të konsiderueshme pas Luftës së Dytë Botërore, sëmundjet infektive kanë paraqitur problem të theksuar social dhe mjekësor. Kjo kishte të bënte, pikë së pari, me malarien, tuberkulozin, dizenterinë, tifon e morrit etj. Edhe në qarkun e Komunës së Ulqinit ka qenë një numër i dukshëm i sëmundjeve të sipërpërmendura dhe të atyre infektive.
Nga viti 1950 deri në vitin 1956, vazhdojnë aktivitetet e nisura nga periudhat e mëparshme: sidomos punohet në eradikimin e malaries (me preparatin e ri ddt); shërbimi shëndetësor orientohet në drejtimin e veprimit preventiv (zhdukjen e sëmundjeve infektive dhe të tjera, mundjen e malaries, vaksinimin) e masa të tjera higjienike.
Shërbimi DDD realizon në mënyrë të efektshme aktivitet e planifikuara në zhdukjen e mushkonjave dhe të molestantëve dhe insekteve; shërbimi higjienik-epidemiologjik merr masat e nevojshme sanitare-higjienike dhe aksione të tjera në përmirësimin e mjedisit shoqëror më të mirë se në periudhën paraprake. Në oborr, mu pranë godinës të Stacionit shëndetësor ka qenë një rezervuar me tri vende të ndara për kultivimin dhe ruajtjen e një lloji të peshkut – gambusje. Nga këto rezervuare, gambusjet janë bartur dhe lëshuar në ujërat e ndenjura – bërrakat, moçale dhe ujëra të tjera me rrjedha të vogla në qarkun e komunës së Ulqinit. Këta peshq të vegjël – gambusje, janë kultivuar më shumë vite dhe kanë paraqitur njërën nga metodat të luftës kundër anofelizmit (gambuziet kanë qenë shumë grabitqare dhe janë ushqyer me larvat e mushkonjave).
Përndryshe gambuzia affinis është me prejardhje nga lumi Misisipi. “Nga Amerika gambuziet janë mbartur në Spanjë dhe në Itali”5, ndërsa te ne është sjellë në vitin 1925, më parë në Dalmaci. “Në Mal të Zi, nga Trogiri në vitin 1930, atë e ka prurë Georgije Abramov-i dhe i ka qitur në ujëra në rrethin e Ulqinit dhe të Tivarit”.
Malaria ka qenë një ndër sëmundjet infektive parazitare më e përhapur në tërë botën.
Për arsye se në fillim të dekadave të shekullit XX , konkretisht deri në dekadën e pestë, ka qenë shumë e pranishme edhe në Mal të Zi, si edhe në ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.Ulqini me rrethinën e tij, me fushat dhe kënetën, ka qenë burimi i shkaktarëve të kësaj sëmundjeje. Në dekadën e pestë të shekullit XX, sëmundshmëria (morbiditeti) i malaries në botë ka arritur numrin deri në një miliardë, kurse mortaliteti (vdekshmëria) deri 500.000 mijë njerëz për një vit.
Jugosllavia e atëhershme ka qenë njëra prej shteteve në Evropë që ka vuajtur shumë prej malaries. Me përdorimin e preparatit ddt malaria definitivisht është zhdukur nga komuna e Ulqinit dhe komunat e tjera të Malit të Zi.
Tre rastet e fundit në Mal të Zi janë paraqitur në vitin 1959 nga rrethi i komunës së Ulqinit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë malaria gjendet në: Afrikën Subsahare, Azi, Amerikën Latine, në Lindjen e Mesme dhe në disa pjesë të Evropës.
Në vitin 2008 malaria është regjistruar në 108 shtete të botës. Numri i të sëmurëve: 274.000.000 është morbiditeti, kurse vdekshmëria – mortaliteti – 1.000.000, shumica prej këtyre kanë qenë fëmijë.
Me përdorimin e preparatit ddt malaria në Ulqin definitivisht është zhdukur.
Mjekët e atëhershëm: Dr. Abramov, Dr. Marko Popoviq, Dr. Eva Hrastnik.
Punëtorët e parë të cilët kanë punuar në eradikmin e malaries ishin: Adem Hidri, Vehbi Zejnelaga, Vehbi Hoxha, Ilija Janinoviq.

Periudha 2:
Tërmeti më 15 prill 1979

(Drejtor : Dr. Gani Karamanaga)
Zona e Ulqinit është e njohur historikisht si zonë seizmikisht jostabile. Tërmeti më i parë historikisht në zonën jugore të Adriatikut, i shënuar në kronikat e kohës, është ai i shek. II para erës së re, për të cilin supozohet se ka qenë 12 ballësh të Merkalit, me epiqendër në fundin e detit jo larg Cavtatit të sotëm në Kroaci. Atëherë janë zhdukur shumë qytete bregdetare. Gjatë mesjetës janë ruajtur disa shënime për tërmetet e posaçërisht në shekullin XVI.
Sipas kallëzimeve të moshuarve, tërmeti i madh i parafundit në Ulqin edhe në Shkodër, ka qenë në fillim të shek. XX. Gjithashtu, në vitin 1968 pas një kohe regjistrohet tërmeti në Ulqin edhe në rrethinë i cili ka rezultuar me dëme materiale, por jo me viktima.
Më 15 prill 1979 komunën e Ulqinit, si dhe tërë bregdetin e Malit të Zi e ka goditur një tërmet i fuqishëm, në të cilin ka pasur të lënduar dhe të vdekur, gjegjësisht prej komunës së Ulqinit ka patur 33 të vdekur.
Gjithsej në tërë Malin e Zi ka pasur 133 viktima.
Atë ditë, e dielë, më 15 prill 1979 në orën 7 e 21 minuta pas tërmetit një numër i madh i punëtorëve në shëndetësi janë gjetur në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Mera.
Kjo ndërtesë ka pasur dëmtime shumë të mëdha dhe nuk ka qenë për përdorim.
Ndihma e parë është dhënë në hapësirat para ndërtesës. Pas një kohe të shkurtër në koordinim me pushtetin lokal Shtëpia e Shëndetit zhvendoset në pushimoren e Rozhajës në rrugën për Zall. Më vonë Shtëpia e Shëndetit kalon punën në vilën “Dubrovnik” të hotelit Mediteran.
Në të njëjtin vit, pas tërmetit janë ndërtuar barakat e montuara në Katërkollë dhe në Shtoj për nevojat e shëndetësisë.
Me ndërtimin e Shtëpisë së Shëndetit në Mera (1981), të Stacionit shëndetësor në Katërkollë (1981) dhe të Punktit shëndetësor “Krka” në Ulqin (1982), është kryer puna ndërtimore e objekteve shëndetësore.
E diele, ditë prilli, Pashkët e përbashkëta (katolike dhe ortodokse)… Nga deti erdhi stuhia, dielli u mbyll, toka filloi të dridhet, shtëpitë u rrënuan, rrugët u mbyllën.. Tërmeti më 15 prill 1979 i rrënoi shumë shtëpi në Kala. Pat edhe 6 viktima. Më vonë kam dëgjuar që kanë thënë:
“Kalaja ishte e mbuluar me tym, kemi menduar se askush nuk shpëtoi prej aty…”.
Kështjella shumëshekullore qëndroi në këmbë, tërmeti e dëmtoi por mbijetoi..

  • kalalitë e ruajtën vendlindjen e tyre,
  • nuk lejuan që të mbyllen portat e saj.
    Jeta vazhdonte edhe pas tërmetit, në kampin ku ishin të strehuar dy të rinj u fejuan, pas disa ditëve ishte edhe martesa e parë pas tërmetit..
    Tërmetin e përcolli solidariteti i madh prej të gjithë Malit të Zi si edhe prej republikave të tjera të ish-Jugosllavisë. Në atë ditë, para sëmundjes Josip Broz Tito ishte në rezidencën e tij në Igallo. Menjëherë më helikopter e vizitoi bregdetin e Malit të Zi kishin pasojat dhe rrënimet më të mëdha.. Prej atëherë filluan ndihmat dhe lufta që të tejkalohen pasojat e tërmetit.

Kujtime për viktimat e tërmetit
Jam krenar që isha në krye të shërbimit shëndetësor në atë kohë, respekt për ata punëtorë të shëndetësisë dhe të tjerët që u bashkëngjitën për të ndihmuar të plagosurit, të sëmurët. Ata i patën harruar familjet e tyre, sepse menjëherë erdhën para Shtëpisë së Shëndetit në kushte të vështira të punojnë ditë e natë…

Periudha 3:
Refugjatët nga Kosova

Shpërberja e Jugosllavisë dhe lufta civile
Kriza e refugjatëve
(Drejtor: Dr. Selim Ismaili – radiolog )
Lufta etnike ne Ballkan solli vuajtje të mëdha, vrasje deri në shfarosje gjenocidale si dhe lëvizje të mëdha të popullatave të të gjitha vendeve të përfshira në luftë. Në këto kushte më ra për detyrë të udhehiqja dhe organizoja shërbimin shëndetësor në Ulqin. Më 3 gusht të vitit 1998 u emërova drejtor i këtij institucioni në valën më të madhe të lëvizjeve të refugjatëve dhe grumbullimit të tyre në cakun përfundimtar në Komunën e Ulqinit. Në vitet e mëparshme, Ulqini ishte destinacion i refugjatëve nga viset tjera si:Bosna e Hercegovina, Kroacia dhe në fund nga Kosova që në vitin 1998 erdhi duke u shtuar, për të arritur kulmin në fillimin e vitit 1999, ku numri i refugjatëve arriti në 123.000.
Shtëpia e Shëndetit në Ulqin ishte dhe është një institucion shëndëtsor për sigurimin e mbrojtjes shëndetësore të popullsisë vendore prej 26.000 banorëve. Ky kolektiv duhej të angazhohej edhe për pesë herë më shumë njerëz në kushte ekstreme. Kolektivi i përbërë prej 17 mjekëve dhe 8 stomatologëve dhe 78 punëtorëve shëndetësor dhe të mirëmbajtjes. Ishte punë kolosale. Vëndosja e refugjatëve ishte e përhapur në tërë territorin e komunës së Ulqinit. Përqendrimi ishte më i madh në qytet dhe në kampet turistike. Shumica apsolute në kushte tejet të vështira,që e vështirësonte mbrojtjen shëndetësore edhe më shumë.
Në këto kushte ky kolektiv entuziastë, me përkushtim të pashoq në punë, arritëm të ofrojmë mbrojtjen shëndetsore te të gjithë refugjatëve dhe popullsisë vendore. Në këtë kohë nuk patëm shpërthime epidemishë, apo sëmundje të rënda. Shumica e refugjatëve vinin nga rajoni i Pejës,Istogut dhe Mitrovicës, rajon me nefropati endemike dhe një numër shumë i madh i pacientëve ishte në dializë-rreth 60 të tillë. Krijuam ambulancë lëvizëse, ambulancë në kampe si dhe aktivizuam ambulancën në Shtoj dhe në Plazhin e Madh. Në të njejtën kohë nuk patëm mungesë të medikamentëve, serumeve dhe mjeteve sanitare. Patëm mbështetjen e organizatave ndërkombëtare. Mjekëve dhe të tjerëve që u angazhuan shumë edhe në terren u jemi mirënjohës. Jam krenar që isha bartës i kësaj energie pozitive.
Konkludim: Shtëpia e Shëndetit e Ulqinit ka qenë e hapur për të gjithë refugjatët nga Kosova. Personali ka punuar pa ndalim dhe të gjithë ata kanë pasur një pritje të mirë dhe shërbim mjekësor në nivel të lartë.
(Vijon)


Vijon nga numri 1045

Periudha 4: Covid-19
(Drejtoreshë: Dr. Sadije Hollaj)
Dr. Sadije Hollaj

Puna në Ambulancën Covid-19 në 2021
Të gjithë punëtorët e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin dhe Ambulancës në Katërkollë kanë qenë maksimalisht të angazhuar që nga fillimi i pandemisë, duke mos kursyer kohë dhe duke u përpjekjekur maksimalist për t’i ofruar çdo pacienti kujdes adekuat shëndetësor brenda objektit shëndetësor dhe në terren në formë të shërbimit të patronazhit. Në këtë periudhë të vështirë jo vetëm për instucionin tonë shëndetësor u paraqit nevoja për angazhimin e një numri shtesë të punëtorëve shëndetësor dhe atyre jo shëndetësor në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimit dhe çdo pacienti t’i ofrohet shërbimi në kohën e duhur. Me kërkesën tonë për të punësuar staf shtesë në fillim të vitit 2021 fituam miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe u punësuan edhe 4 mjekë, 14 teknikë medicinalë, 2 shofera dhe 2 punëtore ne higjienë.
Mjekët përdorën ekskluzivisht Protokollin për trajtimin e pacientëve me infeksionin Covid-19, duke ndjekur me përpikëri udhëzimet.
Periudha prej 1.1.2021 deri më 31.12.2021 është edhe periudha më e vështirë pandemike për qytetin e Ulqinit. Në Ambulancën Covid-19 janë ekzaminuar 8.755 pacientë, janë testuar 8.940 nga të cilët 1.990 kanë rezultuar pozitivë.
Gjatë vitit 2022, me kërkesën tonë, morëm miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë për zgjerimin e rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës për 24 punonjës në Shtëpinë e Shëndetit Ulqin.
Me datë 30 nëntor 2022 janë të punësuar 121 punonjës me status të përhershëm dhe me afat të caktuar pune.

Puna në Ambulancën Covid-19 në 2022
Të gjithë punëtorët e Shtëpisë së Shendetit në Ulqin dhe Ambulancës në Katërkollë kanë qenë maksimalisht të angazhuar që nga fillimi i pandemisë, duke mos kursyer kohë dhe mund. Mjekët ekskluzivisht kanë përdorur Protokollin për trajtimin e pacientëve me infeksion Covid-19, duke respektuar rreptësisht udhëzimet.
Për periudhën prej 1.1.2021 deri më 13.12.2022 që është edhe periudha më e vështirë pandemike për qytetin e Ulqinit, në Ambulancën e Covid-it janë ekzaminuar dhe testuar 23.181 persona, prej të cilëve 5.693 kanë rezultuar pozitivë në Covid-19. Njëkohësisht të gjithë pacientët i janë nënshtruar analizave laboratorike të gjakut, RTG inçizimeve, 31.917 shërbime me rreze x, etj.
Për periudhën 1.1.2021 deri më 30.11.2022 nuk kishte ankesa të dorëzuara te Ombudspersoni-mbrojtësi i të drejtave të pacientit.
Dr. Teuta Gjeçbritaj (mjeke në Ambulancën Covid):

Personeli në luftën kundër pandemisë Covid-19
Mjekët: Dr.Sanella Abazoviq, Dr. Kujtim Sella,Dr. Teuta Leskovac- Myrteza, Dr.Olivera Poçek, Dr.Ilirjana Bisha, Dr.Teuta Gjeçbritaj, Dr. Egzona Pali, Dr.Dhurata Kuqi-Hasa, Dr. Synora Salaj, Dr. Selim Ismaili-radiolog, Dr. Rexhep Kraja-pneumoftiziolog ,Dr.Pavle Marnikoviq-pediatër, Dr. Sabahete Çapuni-Paraçki – pediatre.
Infermierët:Valbona Kapllanbegu, Adriana Dollareviq, Albana Pera, Irena Bogojeviq, Feride Hoxha, Suada Hoxha, Vanja Kalugjeroviq, Fatjona Saloviq, Angjela Radinoviq, Besarta Bajraktari, Florinda Myrtoja-Gorana, Arlinda Hajdinaga. Koordinatore: Dila Pekiq-kryeinfermiere, Slavica Gjakonoviq zv/kryeinfermiere.Patronazhi: Lavdrim Kollari, Afrim Imeri, Blerim Avdiu. Laboratoriumi: Dr.Angelina Vraçar, Mensura Kollari, Afërdita Lamoja, Indira Nikeziq, Emina Muratoviq, Sandra Konatar, Nadire Popi, Prena Shkrela, Genta Dragovoja. Rendgen teknikët: Agron Lamoja, Kile Kasneci.
Duhet të përmendet se edhe shërbimet e tjera të Shtëpisë Shëndetit kanë pasur rolin dhe punën e vet në mjekimin e zhdukjen e pandemisë Covid-19.
Stacioni shëndetësor në Katërkollë – mjekët: Dr. Sabrije Taipi, Dr. Adem Mustafa. Infermierët: Sabahete Mustafa, Nail Alaj, Zire Hollaj, Fadile Sulejmani, Bajram Seferi , Kimete Hollaj. Vozitësit e ambulancës : Hysa Seferi, Naser Taipi.

Vështrim
Fundi i gushtit-fillimi i shtatorit 2021. Bashkëshortja edhe unë dolëm pozitiv në Covid-19. Unë kisha dy vaksina të marra dhe sëmundja tek unë ishte shumë e lehtë. Por bashkëshortja pati infektim shumë të rëndë. Pas disa ditëve u komplikua me kallje të mushkërive (pneumoni e dyanshme). Pas konsultimeve filloi terapinë tri herë në ditë të cilën e merrte në Ambulancën Covid të Shtëpisë së Shëndetit. Pas një jave gjendja u përmirësua.
Dy dhoma në përdhese dhe një në katin e parë ishin të përgatitura me shtretër për dhënien e terapisë intravenoze. Kam pasur kohë që të përcjell punën e personelit, posaçërisht të infermiereve: ishin të shpejta, të rregullta. Gjithmonë ishin korrekte me të gjithë të sëmurit, me buzëqeshje, nuk u lodhën kurrë. Edhe mjeket Ambulancën Covid ishin në një nivel korrekt dhe profesional.
Në vitin 2001 humbën jetën nga Covid-19 ish-punonjësit e Shtëpisë së Shëndetit: Dr. Fatmir Resulbegu, Dr. Mervan Haxhibeti, dentisti Bozhidar Boshko Çilingiri dhe Suada Hasanaga.

Në fund
Sipas hulumtimeve dhe dijenisë sime, Komuna e Ulqinit asnjëherë nuk ka ndarë ndonjë mirënjohje ose dekoratë për Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin. Është koha që në ditën e Ulqinit, në fillim të prillit, të kujtohet edhe Shtëpia e Shëndetit e cila me dekada në këta dy shekuj i ka kryer detyrat e saj në nivel të lartë…

Të fundit

më të lexuarat