Diskutim mbi projektet konkrete që pritet të realizohen

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia në takimin e radhës së “Ballkanit të Hapur” që u mbajt më 7 dhe 8 qershor në Ohër, nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume.
Përmes këtyre marrëveshjeve, kryeministrat Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski, si dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, u zotuan të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin në sferën ekonomike, atë të arsimit, kulturës dhe turizmit.
Marrëveshjet, sipas tyre, do ta forcojnë edhe paqen dhe stabilitetin në rajon, pas agresionit rus në Ukrainë, për shkak të frikës nga ndikimi i ndonjë shteti tjetër, duke aluduar në Rusinë.
Marrëveshja e parë ka të bëjë me luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht shmangies së pagesës së tatimit. Në tekstin e marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Memorandumi për bashkëpunim kulturor promovon shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, shtetet parashikojnë formimin e një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”.
Drejtuesit e nismës “Ballkani i Hapur” po ashtu kanë theksuar se do të përballen bashkërisht kundër krizës ekonomike dhe ushqimore, si pasojë e luftës në Ukrainë. Sipas tyre, kjo krizë bile e bën domosdoshmëri “Ballkanin e Hapur”.
Në takimin e Ohrit, në cilësinë e vëzhguesve kanë marrë pjesë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tageltija.
Sipas kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shtetet e rajonit duhet t’i lënë pas politikat e konfrontimeve dhe të shohin drejt së ardhmes. Ai ka thënë se pjesëmarrja e tij në takimin e Ohrit është një akt simbolik në mbështetje të nismave rajonale që promovojnë bashkëpunimin ekonomik dhe pajtimin, pavarësisht se në vendin e tij, siç është shprehur, ka forca që nuk pajtohen apo kundërshtojnë nisma të tilla rajonale.
“Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, vetëm të ardhmen mund ta ndryshojmë. Çdo gjë që ka për qëllim pajtimin do ta ketë mbështetjen tonë. Dialogu rrit besimin mes nesh dhe të mos frikësohemi prej njëri-tjetrit. Shpresoj se radhën tjetër do të jemi bashkë të gjitha gjashtë shtetet, pavarësisht skepticizmit që mund të kemi”, ka deklaruar Abazoviq.
Së fundmi, nisma “Ballkani i Hapur” ka marrë mbështetje edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I pranishëm në samitin e Ohrit, komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i BE-së, Oliver Varhelyi, ka thënë se Brukseli e mbështet nismën, si mundësi, që sipas tij do t’i ndryshojë sfidat me të cilat është përballur rajoni, por edhe si mundësi për përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit.
Përmes një videolidhjeje, pjesëmarrësve në samitin e Ohrit iu është drejtuar edhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar, duke i dhënë mbështetje nismës “Ballkani i Hapur”.
Edhe ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christohpher Hill, i cili mori pjesë në takimin e Ohrit, ka thënë se Amerika e përkrah iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, sepse ajo krijon model të bashkëpunimit në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa jashtë saj janë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e Ohrit, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.
Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat