Në Kuvendin e Malit të Zi janë dorëzuar katër inciativa nga forcat politike parlamentare si dhe nga qeveria e Malit të Zi për rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi, shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq, shkurtimin e mandatit të Kuvendit dhe shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq.
Iniciativat kanë pasuar njëra-tjetrën.
Më 19 janar, në Kuvendin e Malit të Zi u dorëzua nisma për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë malazeze të kryeministrit Zdravko Krivokapiq.
Kjo nismë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Qytetare “Ura” dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës, si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar “Bashkë një za” dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
“Kjo nismë do të tregojë nëse Qeveria aktuale e ka mbështetjen e shumicës së deputetëve, por edhe për modelin e propozuar për krijimin e një qeverie të pakicës”, kanë thënë nga Lëvizja “Ura”.
Mocioni i mosbesimit u parapri nga propozimi i Koalicionit “E zeza mbi të bardhë” për formimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike disamujore.
Ndaj kësaj nisme, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, është përgjigjur me kërkesën për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq.
Këtë kërkesë ai e ka dorëzuar më 19 janar në Kuvendin e Malit të Zi dhe ka propozuar që ministri i Financave dhe Kujdesit Social, Millojko Spajiq, të emërohet në postin e zëvendëskryeministrit.
Vetëm një ditë më vonë, kryeministri Krivokapiq ka ndërmarrë një nismë tjetër. Më 20 janar ai i ka dorëzuar Kuvendit propozimin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, duke shpjeguar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme demokratike për tejkalimin e krizës ekzistuese politike.
Krivokapiq më pas vlerësoi se Qeveria dhe përbërja aktuale e Kuvendit nuk mund t’i ushtrojnë kompetencat e marra me Kushtetutë, për shkak të inicimit të procedurës për rrëzimin e Qeverisë.
Nisma e fundit dorëzuar Kuvendit të Malit të Zi është ajo e opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Aleksa Beçiq, e cila është mbështetur nga të gjithë deputetët e opozitës, me përjashtim të deputetit të Listës Shqiptare, Genci Nimanbegu.
Lidhur me nismat e parashtruara, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi ka thirrur katër seanca të jashtëzakonshme në fillim të muajit shkurt.
Deputetët do të diskutojnë së pari, më 3 shkurt 2022, për nismën e kryeministrit Krivokapiq për shkarkimin e Dritan Abazoviqit nga posti i zëvendëskryeministrit.
Seanca e dytë e jashtëzakonshme e Kuvendit, me kërkesë të Qeverisë, për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, do të mbahet më 4 shkurt, në orën 10.00, kurse e treta, me kërkesë të 31 deputetëve, për shkarkimin e qeverisë, është caktuar të njëjtën ditë, më 4 shkurt, në orën 11.00.
Seanca e katërt e jashtëzakonshme për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi do të mbahet më 7 shkurt 2022.
Vendimi për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, rrëzimin e Qeverisë dhe shkarkimin nga detyra të kryetarit të Kuvendit dhe zëvendëskryeministrit merret me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Nismat vijnë si pasojë e krizës politike që ka përfshirë shumicën qeverisëse. Ditëve të fundit përfaqësuesit e këtyre forcave politike kanë akuzuar njëri-tjetrin për mashtrim dhe tradhti. Dy koalicionet që përbëjnë shumicën, të prirë nga Fronti Demokratik dhe Demokratët, kanë filluar protestat kundër krijimit të qeverisë së pakicës, duke e akuzuar Lëvizjen Qytetare “Ura” dhe Partinë Popullore të Socialistëve për mashtrimin e votuesve dhe përmbysjen e vullnetit politik të shprehur në zgjedhjet parlamentare, më 30 gusht 2020, dhe se me këtë duan të risjellin në pushtet Partinë Demokratike të Socialistëve.
Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u zgjodh më 4 dhjetor 2020, me votat e Frontit Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare “Ura” si qeveri e ekspertëve, kurse i vetmi politikan në të është kreu i Lëvizjes “Ura”, Dritan Abazoviq, që mban postin e zëvendëskryeministrit.
Që nga fillimi i punës së Qeverisë, deputetët e shumicës parlamentare ishin kryesisht të pakënaqur me punën e saj, e cila nuk kishte ministra nga këto parti politike. Partitë e shumicës parlamentare kanë tentuar dy herë rikonstruktimin e Qeverisë, por për shkak të konflikteve të ndërsjella, asnjë nga propozimet nuk është pranuar.
(Kohapress/REL)
