Në qoftë se keni një shpirt aventurieri dhe jeni nga ata që kërkojnë oferta të shumta për të eksploruar sa më shumë vende, atëherë nuk ka rëndësi edhe nëse eksploroni shtetin në të cilin jeni lindur. Oferta të shumta turistike për vendet në Malin e Zi ofrohen edhe nga Shqipëria, kryesisht Tirana dhe Shkodra, madje ofrohen me një çmim minimal sa lind pyetja a më leverdis të udhëtoj nga një qytet në Mal të Zi në një tjetër apo të udhëtoj me një agjenci që i ofron disa vende me të njëjtin çmim, që mund të shohësh vetëm një vend po udhëtove brenda për brenda Malit të Zi. Këtë javë eksploruam me një agjenci nga Tirana vendet : Kotorr, Tivat , Shën Stefan, Budva dhe Perast. Për arsye etike dhe personale nuk do cekim as çmimin e as emrin e agjencisë turistike. Mjafton vetëm të themi që agjencia ishte e Tiranës.
Ora 6:40 e mëngjesit na gjen në një hostel të Shkodrës. Nga aty nisemi drejt urës së re të Bunës, ku agjencia përkatësisht shoferi na merr. Në minibus janë bashkë me ne edhe 16 persona të tjerë, grup të rinjsh që na presin me këngë dhe muzikë shqipe. Atmosfera në minibus është e lezetshme. Vazhdojmë drejt pikës doganore të Muriqanit. Pasi kryejmë procedurat doganore hymë në territorin e Malit të Zi. Bëmë ndalesën e parë 15 minutëshe tek kafe -restorant “Lamiga”.
Vazhdojmë rrugën për në Shën Stefan, përkatësisht te pjesa ku shihet ishulli. Ndalesa ishte 15-20 minuta, sa për foto. Rruga për te ndalesa e radhës kalon me një lojë tek-tuk dhe ca këngë. Kalojmë me tragetin e Tivarit për në Risan për të ndalesa e dytë që është qyteti i bukur i Perastit. Monumente, kisha të shumta, shtëpi që kanë ruajtur antikitetin e tyre. Aty na presin legjenda të shumta e me gjithë atë guida jonë nuk e thotë as edhe një fjalë për këtë qytet. I afrohemi vendit ku marrin një varkë për të shkuar drejt Ishullit të Zojës nga Shkpeli. Gjatë udhëtimit shijuam pamjen që na ofron deti i Perastit. Mbërrijmë në ishull dhe kërkojmë që varka të vijë për ne pas 15 minutash, pasi që sipas guidës aq mjafton ta eksplorosh ishullin. Përsëri nga ana e guidës tonë ose shoqëruesit nuk marrim asnjë i informacion rreth tij, në fakt marrim vetëm një informacion që nuk është aq informativ dhe as që ka lidhje me ishullin , por me disa prona private që supozohet që u përkasin disa personave të famshëm.
Pasi kthehemi nga ishulli vazhdojmë rrugën drejt Kotorrit, ku guida na jep një orë e gjysmë kohë për t’u takuar sërish tek hyrja e Qytetit të Vjetër. Ulemi tek piceri dhe restorant “Sara” për një pushim dhe pije, ku kamarieri na drejtohet me fjalën shqipe “përshëndetje”. Diskutojmë me vajzat krejt guidën, gjërat që do duheshin thënë, diskutua e bërë. Me shoqet eksplorojmë Kotorrin, vetëm për aq sa kohë kemi në dispozicion. Destinacioni i fundit i guidës është qyteti i Budvës. Përsëri si me Kotorrin ndodhë e njëjta gjë, kemi dy orë për ta eksploruar dhe ashtu bëjmë. Nga Budva nisemi në orën 18:30 për të mbërritur në Shqipëri, përkatësisht në Shkodër diku rreth orës 20:00. Ndihemi paska të lodhura nga shëtitja, por secila nga ne ka krijuar përshtypje personale dhe kemi ca fotografi për t’i ruajtur si kujtime.
Mangësitë e kësaj shëtitjeje për ne ishin këto : mungesa e informacionit për vendet që vizituam, mos informimi i pagesave shtesë që për disa mund të ishte edhe problem në atë çast (si çmimi i varkës, pagesa për hyrjen në Kotorr), si dhe vetë shoqëruesi ynë i cili atë ditë veç guidë nuk ka dhënë edhe pse ishte i caktuar nga agjencia për një punë të tillë.
Mund të themi disa anë pozitive nga kjo shëtitje : çmimet e ulta për të vizituar vendet e përmendura. Këtu numërojmë Perastin (vizitë 40 minutash), Kotorin (një orë e gjysmë) dhe Budvën (dy orë), Shën Stefanin dhe Tivarin i kemi kaluar si me shpejtësi mjegulle. Edhe pse i eksploruam vetëm, pa guidën, kjo gjë është edhe pozitive, pasi që disa persona preferojnë t’i eksplorojnë vetë vendet.
Ne nuk themi që të gjitha agjencitë turistike që promovojnë vendet turistike të Malit të Zi mund të jenë të njëjta si kjo që kishim ne, sepse çdo agjenci bën guida në mënyra të ndryshme.
Tek e fundit s’ka rëndësi edhe aq guida, rëndësi ka koha e kaluar mirë me shoqëri.
Donika Lulgjuraj
