Shoqëria jonë nën ndikimin e paragjykimeve dhe stereotipeve

Semira Gjelosheviq: Vlerësimi i njeriut ditët e sotme bëhet në varësi të bukurisë dhe pasurisë. Kjo është gjëja e parë çfarë ne shohim tek personi, nuk mund ta lexojmë mendimin e tij e as të dimë më shumë rreth diturisë së tij. Mençurisë nuk i nevojitet paraja e bukuria. Teoritë më të rëndësishme si për shkencën ashtu edhe për njerëzimin, janë thënë nga njerëz të thjeshtë, as nuk kanë qenë mbretër e as pasanikë. Mençuria mund të gjendet në çdo person, në fëmijë e të rritur, të zi apo të bardhë e ngjashëm. Të gjithë mund të shohim se shoqëria jonë po shkon drejt humnerës dhe askush nuk po bën asgjë për përmirësimin e saj. Përse zezakët nuk i kanë të drejtat e njëjta si të tjerët?! Përse njerëzit në botë mendojnë se të gjithë myslimanët janë terroristë?! Përse popullata e Amerikës Latine konsiderohet e rrezikshme?! Përgjigjja është e thjeshtë: këtë e sjellin stereotipet. Ato e bëjnë shoqërinë të ketë frikë nga e ndryshmja. Por, përkundrazi, ndyshimet na bëjnë të veçantë. Përse ngjyra e lëkurës dhe pasuria ime duhet kushtimisht ta paracaktojë edukatën time!? Fjalë të mira mund të ta ndryshojnë ditën, nga goja e cilitdo njeri që ato dalin. Çdo person ka të mira dhe të këqija që janë pjesë e personalitetit të tij. Nuk është puna jonë që të gjykojmë asnjë person, sepse në këtë botë erdhëm vetëm dhe do të shkojmë vetëm, kurse njerëzit që takojmë këtu janë vetëm pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët. Njerëzit, sidomos fëmijët, duhet mësuar të mos paragjykojnë. Po ta mendonte secili veten në këpucët e tjetrit, po ashtu do të mendonte dy herë para se të fliste. Sepse ndjenjat gjenden në shpirtin e çdo personi. Ato janë aq të brishta, saqë një fjalë goje mund t’i copëtojë në mijëra pjesë. Shumë të rinj, në vendin tonë, kanë frikë të tregojnë personalitetin e tyre, kanë frikë se nuk janë të denjë për shoqërinë e tyre. Kështu ata ndryshojnë për t’u përshtatur, për t’u pranuar.
Dituria është virtyti më i rëndësishëm për njeriun, por fatkeqsisht, tek ne të mençurit vlerësohen vetëm kur na nevojiten. Në atë moment nuk na bën përshtypje as pamja e tyre, as prejardhja apo e kaluara, kombësia, gjinia etj., sepse interesi personal është mbi të gjitha. Në kushte të tjera, mund të jesh më i dituri në botë, po nuk iu deshe njeriu je i papërfillshëm.
Shoqërinë tonë e përbën një larmishmëri njerëzish: i bardhë, i zi, mysliman e i krishterë… të gjithë duhet të funksionojmë si një familje e madhe, sepse ne jetojmë në një shtëpi të përbashkët, në planetin tonë, Tokën. Funksionimi i përbashkët bëhet me marrëveshje dhe ndërgjegjësim, respekt dhe përfillje, sepse sot më shumë se kurrë kemi nevojë për njëri-tjetrin. T’i lëmë gjykimet dhe ndryshimet pas, sepse në fund të ditës gjëja, e cila e ka ndihmuar njeriun më së shumti është mençuria.

Mervana Muçoviq: Paragjykimet, një temë e përhershme e së shkuarës dhe e së tashmes. Ky term e ky ‘’ves’’ sikur është ngulitur në gjuhët e mendjet e njerëzve dhe dita-ditës po bëhet edhe më i padurueshëm e acarues.
Shpesh pyes veten se si do të ishte ta jetojmë jetën pa paragjykime? Si do të ishte jeta jonë nëse do ta jetonim sipas mënyrës e shijeve tona? Por, jo! Nganjëherë nuk mund të gjej një përgjigje të saktë dhe bindëse. Nuk mund të arrij në këtë përfundim, sepse nuk po na e lejon rrethi e shoqëria ku jetojmë e ku po rritemi. E kam përshtypjen sikur ky ves fillon e rrënjoset që në moshë të re, mos të them që në fëmijëri, sikur të imponohet pa dashje dhe pastaj është e vështirë të ndahesh prej tij, nuk e dëbon dot. Duket sikur është më e lehtë të thyesh atome sesa paragjykime. Por, edhe mundet! Sidomos NE, MUNDEMI! Ne, pra unë me moshatarët e mi e bashkë me njerëz të tjerë të kësaj kohe, mundemi. Duhet të kuptojmë se ashtu siç një libër nuk mund të paragjykohet nga kopertina para se ta shfletojmë e ta lexojmë, ashtu edhe një njeri nuk paragjykohet nga veshja apo paraqitja para se të flasim me të e ta njohim. Duhet të kuptojmë e të bindemi se njerëzit janë të ndryshëm, kanë qëllime të ndryshme, shije të ndryshme, pastaj edhe çojnë jetë nga më të ndryshmet, për të cilat ne nuk jemi në dijeni. Duhet shpesh që të vendosim veten në vendin e tjetrit, të ecim me këpucët e tjetrit e të kalojmë rrugët e tij në mënyrë që të mos paragjykojmë. Të gjithë ne gabojmë, por edhe mësojmë duke gabuar, rritemi.
Prandaj kush nuk ka gabuar kurrë, le të paragjykojë i pari!
Por, unë nuk e ndjek!
Ky shkrim publikohet në kuadër te trajnimit për të rinj „Sapere aude – guxo të jesh i mençur“, i mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.

Të fundit

më të lexuarat