Luftëtarët e lirisë dhe përkujtimi i tyre në pluralizëm

Gjatë Luftës së Dytë Botërore anamalasit u përcaktuan për lirinë kombëtare dhe fuqishëm mbështetën frymimin kombëtar me mbrojtjen e tokës, gjuhës, shkollës dhe identitetin e tyre shqiptar.
Mobilizimi vullnetar në Çetën e komandantit Hasan Isufi, që ndryshe u quajtën edhe “gushëkuqat e Hasanit” për shkak të uniformave karakteristike, ishte tejet i madh. Ata nuk u vunë në mbrojtje të ndonjë ideologjie, por ishin atdhetar që nuk pajtoheshin që territoret shqiptare të copëtoheshin dhe të binin nën pushtuesit sllavo-komunist.
Kjo çetë nga anamalasit përjetohej si ushtri e vet e përbërë nga djemtë më të mirë të kësaj zone të Mbishkodrës.
Çeta e Hasan Isufit në radhët e veta kishte luftëtarë nga të gjitha fshatrat e Anës së Malit: nga Krytha, Katërkolla, Brajsha, Shasi, etj.
Në fshatin Krythë veçohet Muho Pali, i cili ishte një luftëtar i paepur për bashkimin e trojeve shqiptare. Ai luftoi përkrah Hasan Isufit dhe asnjëherë nuk u dorëzua përpara sulmeve të shumta. Për këtë veprimtari ai bëri 18 vjet burg në burgun famëkeq të Spuzhit pranë Podgoricës ku u torturua në mënyrën më të egër. Fatin e tij e përjetuan gati të gjithë bashkëluftëtarët e Hasan Isufit, kurse disa u likuiduan në mënyrën më të dhunshme siç është ngjarja makabër e Çaprajve pranë fshatit Kravar.
Edhe pse sakrifica e këtyre luftëtarëve ende sot cilësohet si veprim kontrovers, megjithatë, do të ishte e udhës që sot në pluralizëm të përkujtohet me pietet dhe si një ngjarje e rëndësishme historike për popullatën e kësaj ane. Autoritetet vendore duhet ta kenë si obligim që në një të ardhme të vendosin ndonjë shenjë në formë të memorialit, përmendore ose të shënohet ndonjë rrugë apo shesh në nder të sakrificës së tyre.

Të fundit

më të lexuarat