Në muajin shtator, nga datat 22-24 shtator me nxënësit gjysmëmaturantë të shkollës fillore “Bedri Elezaga” u organizua ekskursioni treditor me nxënësit në fjalë. Për shkollën tonë, vizita e gjysmëmaturantëve në këtë destinacion ishte risi sepse ishte hera e pare që gjysmëmaturantët nga shkolla jonë zgjodhën një destinacion të tillë.
Bosnja dhe Hercegovina shtrihet në Gadishullin Ballkanik, në pjesën perëndimore të Evropës. Rajoni më i madh i Bosnjës shtrihet në pjesën veriore dhe qendrore të vendit ndërsa Hercegovina shtrihet në jug dhe jugperëndimin. Këto rajone historike nuk korrespondojnë me dy entitetet politike autonome që u krijuan nga Marrëveshja e Dejtonit e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht në vitin 1995: Republika Srpska (Republika Serbe e Bosnjës), e vendosur në veri dhe lindje, dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, që përfshinte zonat perëndimore dhe qendrore. Kryeqyteti i vendit është Sarajeva; qytete të rëndësishme rajonale përfshijnë Mostarin dhe Banja Lukën.
Vendi ka qenë shpesh nën ndikimet e fuqive më të forta rajonale që kanë luftuar të kenë kontroll mbi të dhe këto ndikime kanë ndihmuar në krijimin e përzierjes karakteristike të pasur etnike dhe fetare të Bosnjës dhe Hercegovinës. Islami, krishterimi ortodoksizmi dhe katolicizmi romak janë të gjithë të pranishëm, me tre besimet që në përgjithësi korrespondojnë me tre grupe kryesore etnike: respektivisht boshnjakët, serbët dhe kroatët. Kjo popullsi multietnike, si dhe pozicioni historik dhe gjeografik i vendit midis Serbisë dhe Kroacisë, e ka bërë prej kohësh Bosnjën dhe Hercegovinën të pambrojtur ndaj aspiratave territoriale nacionaliste.
Vendi ishte nën sundim nga Perandoria Osmane që nga shekulli i 15-të.Më pas ra nën kontrollin e Austro-Hungarisë në 1878 dhe më pas luajti një rol kyç në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1918 ai u inkorporua në Mbretërinë e sapokrijuar të Serbëve, Kroatëve , dhe sllovenëve, ku nuk kishte status të vetin formal. Pas Luftës së Dytë Botërore u bë një republikë përbërëse e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Pas shpërbërjes së atij shteti në vitin 1991, shumica e popullsisë së Bosnje dhe Hercegovinës votoi për pavarësinë në një referendum të vitit 1992. Por, pjesa më e madhe e popullsisë serbe të vendit kundërshtoi pavarësinë dhe bojkotoi referendumin.
Lufta shpejt e përpiu rajonin, pasi nacionalistët etnikë brenda Bosnjë-Hercegovinës, me mbështetjen e Serbisë dhe Kroacisë në disa raste, u përpoqën të merrnin kontrollin e territoreve që ata i pretendonin si të tyret. Fushatat e tmerrshme të spastrimit etnik midis 1992 dhe fundit të 1995 vranë mijëra dhe shpërngulën dhunshëm më shumë se dy milionë njerëz në pjesën më të madhe të Bosnje dhe Hercegovinës. Ndërhyrja ndërkombëtare në konfliktin e Bosnjës çoi përfundimisht në një marrëveshje paqeje, Marrëveshjen e Dejtonit, në fund të vitit 1995. Marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, por gjithashtu e krijoi vendin si një shtet të brishtë, tejet të decentralizuar dhe të ndarë etnikisht në të cilin një përfaqësues civil ndërkombëtar mbetet i autorizuar për të vendosur legjislacionin dhe për të larguar zyrtarët vendas me qëllim të mbrojtjes së paqes.
Bosnja dhe Hercegovina në formë afërsisht trekëndore kufizohet në veri, perëndim dhe jug me Kroacinë, në lindje me Serbinë, në juglindje me Malin e Zi dhe në jugperëndim me detin Adriatik.
E premte, datë 22 shtator
Ndarja e nxënësve nga prindërit ndodhi te pompa e benzinës Lukoil afër shkollës. Më pas autobusi me nxënësit e tri klasave të nënta dhe tre kujdestarëve Luljeta Avdiu Cura, Jetmir Çobaj dhe Ardit Nika, të shoqëruar edhe nga profesorët Rita Avdiu dhe Izet Kasnecoviq mori rrugën drejt Sarajevës. Udhëtimi i nxënësve u realizua me agjencinë “Llolla Tours” me pjesëmarrjen fizike të Mislim LLollës. Mislimi ka një përvojë të gjatë bashkëpunimi me shkollën tonë dhe çdoherë bashkëpunimi ka qenë korrekt dhe në nivelin e duhur.
Derisa mbërritëm në destinacion gjatë rrugës patëm disa ndalesa për t’u çlodhur, por dëshira që të vazhdonim udhëtimin ishte më e madhe se sa dëshira për të pushuar.
Në hotel Hollywood arritëm në ora 5 të pasdites. Më pas në mbrëmje ajri i Sarajevës të kënaqte shpirtin.
E shtunë, 23 shtator
U nisëm për të vizituar Tunelin e Shpëtimit. Historinë e këtij tuneli e kisha parë në një film artistik të disa viteve më parë. Ndjesia derisa iu afruam shtëpisë nën të cilën ishte tuneli ishte ndjesi e veçantë.
Tre dekada më parë, në mes të rrethimit të luftës së viteve 1992-1995, Sarajeva, kryeqyteti i Bosnje dhe Hercegovinës, dëshmoi përurimin e lidhjes së saj të vetme me botën e jashtme, tunelit të quajtur simbolikisht Tuneli i Shpresës. Menjëherë pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë në një referendum të 1 marsit 1992, Sarajeva u rrethua nga forcat serbe më 5 prill 1992, duke shënuar fillimin e një konflikti të përgjakshëm që zgjati për tre vjet e gjysmë, duke lënë pas vuajtje të pamasë dhe kujtime të dhimbshme. Tuneli i Shpresës, një nga emblemat e Luftës së Bosnjës u përfundua më 30 korrik 1993, pas katër muajsh e katër ditësh përpjekjeje intensive. Edis Kolar, i cili jetonte në një shtëpi sipër tunelit, dhe Velid Softiq, i cili punoi në gërmimin e tunelit, ndajnë kujtimet e tyre për Tunelin e Shpresës. Kujtime këto të vendosura në një ekspozitë brenda tunelit.
“Çdo ditë mijëra njerëz kalonin nëpër tunel. Pa këtë tunel, Sarajeva nuk do të mund të ishte kjo që është sot. Historia jonë do të kishte qenë krejtësisht ndryshe”, shkruante në dokumentin e vendosur në ekspozitë.
Duke kujtuar momentin kur përfundoi tuneli, Softiq është shprehur: “Ne po punonim turnin e parë atë ditë. Pasi tuneli u hap plotësisht, ne dolëm në anën tjetër. Emocionet që ndjemë ishin të pabesueshme. Nuk mbaj mend që të kem qenë ndonjëherë i lumtur siç isha atë ditë kur hapëm tunelin dhe takuam njerëzit në anën tjetër.
Gjatë Luftës së Bosnjës, tuneli luajti një rol vendimtar në lidhjen e Sarajevës me botën e jashtme dhe vlerësohet të ketë shpëtuar jetën e rreth 300,000 njerëzve. Ai u bë një nga vendet ikonike të luftës. Tuneli, i cili kalon nën aeroportin e Sarajevës, është afërsisht 800 metra (2625 këmbë) i gjatë, 1 metër (3.3 këmbë) i gjerë dhe 1.60 metra (5.25 këmbë) i lartë. Pas katër muaj e katër ditë punë të palodhur për gërmimin e tij, ai përfundoi më 30 korrik 1993.I përdorur gjatë luftës nga Alija Izetbegoviq, presidenti i parë i Bosnje dhe Hercegovinës, tuneli mbështetej nga dërrasa dhe trungje druri dhe kishte gjurmë të vendosura në dyshemenë e tij. Përveç transportit të pajisjeve ushtarake dhe armëve në Sarajevë, ai gjithashtu lehtësoi dërgimin e ushqimit, karburantit dhe ilaçeve dhe ndihmoi në transportin e të plagosurve në kujdesin mjekësor. Tuneli i Shpresës mbetet një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe guximit të popullit të Sarajevës gjatë luftës, duke simbolizuar luftën për mbijetesë dhe shpresë edhe në kohët më të errëta.
Vrela Bosna
Monumenti i natyrës Vrelo Bosne ndodhet në afërsi të Ilidzha, në periferi të qytetit të Sarajevës. Ky monument i natyrës shtrihet nën këmbët e malit Igman. Burimi i ujit të nxehtë është një destinacion i njohur turistik, duke tërhequr si vizitorë vendas ashtu edhe turistë nga jashtë.
E gjithë zona është shumë piktoreske dhe e domosdoshme për t’u vizituar nga adhuruesit e natyrës ose për ata që dëshirojnë të shijojnë qetësinë në këtë vend të bukur.
Gjatë shëtitjes në Vrela Bosna takuam një grup grash nga Arabia Saudite. Dy nga ato ishin veshur me të bardha dhe ngjyrë të gjelbër, ngjyrat e flamurit dhe po festonin ditën e shtetit të tyre. Ngjyrat e mia të veshjes më afruan me ta. Në emocionet e tyre të festimit u bashkuam edhe Ne. Një foto e rastit e pat radhën për të mbetur në albumin e kujtimeve. Kujt i kishte shkuar mendja se nga ky grup do takoja një kolege, prof. e Gjuhës Angleze. Më kot nuk thonë rasti është mbret i botës.
Bashçarshija
Bashçarshija është pazari i vjetër i Sarajevës dhe qendra historike dhe kulturore e qytetit. Bashçarshija u ndërtua në shekullin e 15-të kur Isa-beg Ishakoviq themeloi të gjithë qytetin. Fjala vjen nga fjala “bash”, që do të thotë “kryesore” në turqisht, kështu që Bashçarshija do të thotë “pazari kryesor”. Për shkak të një zjarri të madh në shekullin e 19-të, Bashçarshija e sotme është dy herë më e vogël se dikur.
(Vijon ne numrin tjeter)
(Vazhdon nga numri i kaluar)
Në vitet 1940, autoritetet komuniste donin ta shkatërronin plotësisht, por fatmirësisht hoqën dorë nga ai plan. Bashçarshija ndodhet në bregun verior të lumit Milacka, në Komunën e Stari Gradit të Sarajevës. Bashçarshija është shtëpia e disa ndërtesave të rëndësishme historike, si Xhamia e Gazi Husref Beut dhe Kulla e Sahatit. Sot, Bashçarshija është atraksioni kryesor turistik i qytetit të Sarajevës. Para ardhjes së osmanëve, vendbanimi më i madh në Sarajevo Pole ishte sheshi i fshatit Tornik, i cili ndodhej në udhëkryqin ku sot ndodhet xhamia e Ali Pashës. Bashçarshija u themelua në vitin 1462 kur Isa-beg Ishakoviq ndërtoi një han dhe pranë tij dyqane të shumta. Në atë kohë, shumica e banorëve të Sarajevës jetonin në afërsi të Xhamisë së Perandorit. Kjo është arsyeja pse Isa-beg Ishaković ndërtoi një urë mbi Miljacka dhe kështu lidhi vendbanimin kryesor të Sarajevës dhe qendrën e re ekonomike të qytetit, Bashçarshin. Rreth hyrjes kryesore u formua pazari i Bazardxhanit. Në drejtim të perëndimit Pazari i Kazazit dhe në veri Pazari i Sedlarit dhe i Saraçit (rruga e sotme Saraçi). Ndërtesat më domethënëse që janë ndërtuar në këtë periudhë janë pikërisht xhamitë. Xhamia e famshme Bashçarshija u ndërtua nga Havedzha Durak në 1528.
Gazi Husref-beu e ndërtoi xhaminë e tij në vitin 1530. Në Bashçarshija, Gazi Husref-beu ndërtoi gjithashtu një medrese, bibliotekë, hanikah, hamam, bezistan, Morića han, kullën e sahatit dhe një sërë ndërtesash të tjera. Gazi Husref-beu u varros në haremin e xhamisë së tij. Përveç tij, është edhe turba e skllavit të tij të liruar dhe Muteveliut të parë të vakëfit të tij, Murat-bej Tardiqit.Bašcharšija ngritjen e saj më të madhe e arriti në gjysmën e dytë të shekullit të 16-të. Kishte 80 lloje të ndryshme zanatesh, të organizuara në organizata të forta esnafi. Pazari ndahej sipas këtyre zanateve në mënyrë që në çdo rrugë të kishte dyqane për një ose më shumë tregti të lidhura (p.sh. rrugët Kovaçi, Kazanxhiluk, Saraçi). , dhe karvanet – saraj Sarajeva ishte një qendër e rëndësishme tregtare në Ballkan, madje kishte tre Bezistane (Bezistani i Gazi Husref Beut dhe Bezistani i Bursës ekzistojnë edhe sot).Kishte edhe koloni të Venedikut dhe Dubrovnikëve. Në atë kohë, Bashçarshija kishte afërsisht 12,000 dyqane tregtare dhe artizanale. Në Sarajevë ndodhi një tërmet në vitin 1640 dhe disa zjarre në vitin 1644 dhe 1656. Megjithatë, udhëtari i famshëm Evlija Celebija shkruante në vitin 1660: “Në pazar ka gjithsej një mijë e tetëdhjetë dyqane, të cilat janë model bukurie. Vetë pazari është shumë tërheqës dhe i ndërtuar sipas planit.” Megjithatë, në vitin 1697, pati një vjedhje nga Eugjeni i Savojës, i cili i vuri flakën dhe shkatërroi të gjithë qytetin. Vetëm disa ndërtesa mbijetuan.
Përjetimi i një takimi në Bashçarshija
Në Bashçarshija ka dyqanin e zanatit një i moshuar që nga pamja më ngjante me “Plakun e urtë” që ka jetuar ndër vite dhe ka këshilluar të tjerët. Ai kishte pamjen e një njeriu që ofron vetëm mirësi dhe kur ju afruam nga afër na priti shumë mirë dhe pata për kënaqësi ta përshëndesja me “Selamu-alejkum”.
Për këtë person që merrej me artizanatin e bukur të prodhimit të xhezveve më tregoi prof. Arditi i cili edhe na shoqëroi deri te ai. Njerëzit shpesh shkojnë te ai dhe i kërkojnë këshilla. Edhe unë pata dëshirë ta pyes për ndonjë këshillë të mundshme.
Pyetjes sime nuk ju përgjigj direkt por indirekt duke dhënë shembullin e tij.
“Unë zgjohem nadje në mëngjes, me qëllimin dhe njetin e mirë për të bërë punë të mira.Ndaj padrejtësive që unë i shoh gjatë ditës apo javës, nuk mund të qëndroj duarkryq.E mira dhe e drejta duhet mbrojt me çdo kusht. Në situata të tilla ofroj që problemet të zgjidhen me fjalë-marrëveshje, në të kundërt jam i gatshëm të drejtën ta mbroj edhe me jetë.”
Këto fjalë mundet t’i flasë vetëm një njeri besimtar dhe idealist që misionin e ekzistencës së tij në Tokë e njeh shumë mirë, mendova me vete.
Më pas nëna, Rita deshi të i blejë një xhezve por ai nuk pranoi në asnjë mënyrë që t’ia shiste, por ai ja dhuroi me bujarinë më të madhe. Pas atij momenti u ndamë nga ai dhe nga Bashçarshija me përshtypjet më të bukura.
Asim Jabučar, ndër të tjera tregon:
“Djali im ka punuar me mua që në moshën 5-6 vjeç, kur bëmë xhezven më të madhe në botë, e cila hyri në librin e rekordeve Guinness. Së bashku me ne të dy, punonjësi im aktual dhe mjeshtri i ardhshëm Admir janë gjithashtu nënshkrues të xhezves. Nuk mjafton vetëm talenti, por nëse ke një mjeshtër të mirë, ai talent mund të përmirësohet dhe përmirësohet”, Jabuçar, i njihet për aftësitë e tij edhe jashtë kufijve të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa dyqanin e tij në Kazanxhiluk e kanë vizituar shumë burrështetas të botës.
“Tek unë erdhën presidentë, burrështetas si edhe zyrtarë nga e gjithë bota. Së fundmi më vizitoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon. Secilit prej tyre i kam bërë nga një dhuratë të vogël, që të kujtojnë vizitën e tyre në Sarajevë dhe dyqanin tim”, theksoi Jabuçar.
E diele, 24 shtator-Vizitë në Mostar dhe kthimi për në Katërkollë
Mostari
Qyteti historik i Mostarit, përfshin luginën e thellë të lumit Neretva, u zhvillua në shekujt 15 dhe 16 si një qytet kufitar osman dhe gjatë periudhës austro-hungareze në shekujt 19 dhe 20. Mostari ka qenë prej kohësh i njohur për shtëpitë e tij të vjetra turke dhe Urën e Vjetër, Stari Most, pas së cilës ka marrë emrin. Megjithatë, në konfliktin e viteve 1990, pjesa më e madhe e qytetit historik dhe Ura e Vjetër, e projektuar nga arkitekti i njohur Sinan, u shkatërruan. Ura e Vjetër u rindërtua kohët e fundit dhe shumë prej godinave në Qytetin e Vjetër janë restauruar ose rindërtuar me kontributin e një komiteti shkencor ndërkombëtar të krijuar nga UNESCO. Zona e Urës së Vjetër, me tiparet e saj arkitekturore paraosmane, osmane lindore, mesdhetare dhe evropiane perëndimore, është një shembull i jashtëzakonshëm i një vendbanimi urban multikulturor. Ura e vjetër dhe qyteti i vjetër i Mostarit i rindërtuar është simbol i pajtimit, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme kulturore, etnike dhe fetare.
Vizita në Mostar shënoi edhe fundin e shëtitjes treditore, shëtitje e mbushur me emocione dhe hare.
(Fund)