Richard Grenell mbetet ende në lojë

Duke pasur parasysh përvojën e tij në rajon, ai do të jetë në gjendje të ndërhyjë në problemet e Ballkanit pavarësisht sesi padroni i tij do ta dojë ose do ta pranojë përfshirjen e tij në diskutimet politike

David B. Kanin

Richard Grenell nuk është eksperti i parë i politikës ndërkombëtare amerikane që kalon në radhët më të larta të politikës së sigurisë nga një emërim i mëparshëm në Ballkan.
Richard Holbrooke fitoi famë (ose njohje) për rolin e tij në hartimin e Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje në vitin 1995. Ai më pas kaloi në fushatën e parë presidenciale të dështuar të Hillary Clinton në 2008 dhe më pas iu bashkua ekipit të politikës së jashtme të Barack Obama-s kur ai mposhti Clinton-in në zgjedhjet paraprake. (Disa që e kishin mbështetur Obama-n që nga fillimi nuk ishin të kënaqur të shihnin Holbrooke-n të hynte në dhomë.)
Pasi kishte shpresuar të bëhej Sekretar i Shtetit fillimisht pas Marrëveshjes së Dejtonit dhe më pas pasi Obama u zgjodh, Holbrooke u desh të kënaqej me një rol si mbikëqyrës i këtij të fundit i përpjekjeve të ShBA-së për të menaxhuar luftën në Afganistan. Koha që ai u desh të kalonte në Azinë Jugore e zhvendosi Holbrooke-un larg qendrës së pushtetit dhe e detyroi atë të fokusohej në një detyrë shumë të vështirë. Kjo kufizoi çdo manovrim për një post më të mirë. Holbrooke nuk i mbijetoi përvojës.
Gjatë mandatit të parë të Trump-it, Grenell shërbeu si i dërguar i posaçëm për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe ushtrues detyre i Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare. Pas humbjes së Trump-it në vitin 2020, ai vazhdoi të ishte i dukshëm në mbledhje dhe komente për dhe në Evropë, veçanërisht pasi u bë e qartë se Trump-i do të kandidonte përsëri dhe kishte një shans të mirë për të fituar.
Grenell u tha “miqve të tij evropianë” se ata kishin qenë më mirë gjatë mandatit të Trump-it dhe se duhet ta mirëprisnin një rikthim në theksin e presidentit të dikurshëm dhe të ardhshëm mbi “Amerika e para” – si dhe duhet të vendosnin Amerikën të parën në emër të solidaritetit perëndimor, duke marrë anën e Uashingtonit në rivalitetin e tij në rritje me Kinën.
Triumfi i Trump në zgjedhjet e këtij viti solli menjëherë spekulime nga komentuesit ballkanikë se si do ta trajtonte ai Evropën Juglindore nëse do të emërohej në Departamentin e Shtetit ose Pentagon, ose nëse do të bëhej Këshilltar i Sigurisë Kombëtare. Disa në shtypin ukrainas menduan se ai mund të bëhej i dërguari special i Trump-it për Ukrainën.
Ashtu si Holbrooke-u para tij, Grenell-i nuk e fshehu ambicien e tij për një post të rëndësishëm. Ashtu si Holbrooke-u, Grenell-i u desh të ndryshonte drejtim. Ndërsa regjimi i Bashir al-Assad-it në Siri po rrëzohej, një zëdhënës i një prej grupeve të përfshira në kryengritje i tha BBC-së se Grenell-i e kishte telefonuar për të mësuar se çfarë po ndodhte.
Së shpejti në shtypin izraelit u hapën thashetheme që sugjeronin se Trump-i do të emëronte Grenell-in të dërguarin e tij për Lindjen e Mesme. Në vend të kësaj, atij i është dashur të kënaqet me një rol të paqartë si “I dërguari për misione speciale”. Prandaj, ashtu si Holbrooke-u, Grenell-i nuk ia ka dalë të arrijë qëllimin e tij për një detyrë të rëndësishme, por është ende në lojë.
Ekzistojnë dy dallime të mëdha mes kushteve me të cilat përballen këta dy zyrtarë të zhgënjyer. Holbrooke-u u ngarkua me një luftë në të cilën Shtetet e Bashkuara ishin të përfshira në mënyrë qendrore dhe ishte në telashe të mëdha. Mijëra trupa amerikane ishin në terren dhe, pas pushtimit të shpejtë të vendit nga Amerika në vitin 2001, talebanët u rigrupuan dhe u përballën me amerikanët me një kryengritje gjithnjë e më efektive. Për më tepër, politikëbërësit e ShBA-së u kapën pas teleologjive rreth sloganeve “ndërtim i kombit” dhe “promovim i demokracisë” që rezultuan të parëndësishme për realitetet komunale, sociale dhe fetare në Afganistan.
Grenell-i nuk përballet me probleme të tilla. Trump-i nuk ka asnjë interes personal për zgjidhjet institucionaliste liberale dhe asnjë angazhim personal për sigurinë e ndonjë vendi, rajoni apo çështjeje që tërheq vëmendjen e tij. Tani ka relativisht pak trupa amerikane në terren në Lindjen e Mesme. Trump-i dhe Grenell-i janë të përkushtuar për t’i dhënë fund luftërave, jo për t’i fituar ato.

Presion për të pasur ndikim në politikën e sigurisë
Presidenti i ri do të pretendojë ndërprerjen e luftimeve kudo si një sukses i madh i diplomacisë së tij; disa zëra në kampin e tij po pretendojnë se një “efekt Trump” po përhapet edhe në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë – përpara se ai të inaugurohet sërish si president. Nëse Grenell-i fiton ndikim në lidhje me ndonjë çështje ose negociata, ai mund të shpresojë të pretendojë sukses aty ku Holbrooke-u pati pak shanse për të mos dështuar.
Kjo na çon në pikën e dytë. Grenell-i mund të bëjë presion për ndikim më të madh në politikëbërjen e sigurisë, sepse Trump-i do ta drejtojë presidencën e tij shumë ndryshe nga Obama ose nga konservatori ikonë Ronald Reagan. Reagan besonte në qeverinë formale të kabinetit; Trump-i ka emëruar njerëz të përkushtuar në mënyrë eksplicite për të hedhur në erë departamentet e tyre të kabinetit dhe agjencitë e tjera.
Ekipi i Obama-s përfshiu njerëz të rëndësishëm të politikës dhe ekspertë që bashkëpunonin për strategjinë dhe politikën. Holbrooke-u kishte mundësi të kufizuara për të ndikuar në vendimmarrje, megjithëse atij iu kërkua të mbështeste përpjekjet për të “përmirësuar Dejtonin” që ra në Butmir në 2009.
Ndryshe nga kjo, Trump-i do të drejtojë një oborr monarkik në të cilin anëtarët e familjes dhe oborrtarët e tjerë konkurrojnë për veshin mbretëror. Përgjegjësitë formale të këtyre njerëzve do të kenë më pak rëndësi sesa kujt i beson Trump në një moment të caktuar. Administrata e parë e Trump-it kaloi një sasi të madhe ndryshimesh që nga postet më të larta e deri në ato më të ulëtat.
Nëse Grenell-i ulet në stol tani, ai mund të hyjë në ekipin e parë më vonë. Duke pasur parasysh përvojën e tij në rajon, ai do të jetë në gjendje të ndërhyjë në problemet e Ballkanit pavarësisht sesi padroni i tij do ta dojë ose do ta pranojë përfshirjen e tij në diskutimet politike.
Mbetet për t’u parë se sa vëmendje mund të marrë Ballkani nga administrata e ardhshme. Për shekuj me radhë, rajoni ka qenë një vend gjeopolitik i izoluar derisa ndonjë krizë apo diçka tjetër i tërheq fuqitë e mëdha në Evropën Juglindore.
Që nga sulmet e Al-Kaedës në SHBA më 11 shtator 2001, rajoni i Ballkanit në masë të madhe ka qenë sërish një vend i largët për Uashingtonin, duke marrë herë pas here pak ndihmë ekonomike dhe financiare dhe një vëmendje të vogël për shkak të krizave, por për të tjerat është shpërfillur para konflikteve të mëdha në Lindjen e Mesme, rivalitetit ShBA-Kinë dhe, natyrisht, luftës në Ukrainë.
Megjithatë, Grenell-i pothuajse me siguri mbetet i gatshëm t’i heqë pluhurin Marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar nga Serbia dhe Kosova në tryezën e Trump-it në vitin 2020. Ai ka të ngjarë të ruajë interesin për të marrë merita për çdo vazhdimësi të komponentëve të saj mjaft të paqartë ekonomikë ose për një përpjekje të rinovuar për ta detyruar Prishtinën që më në fund të dorëzohet dhe të krijojë Asociacionin e Komunave Serbe të vonuar prej kohësh për të përfaqësuar interesat e pakicës serbe në Kosovë.
Lajmi i mirë për të është se me një menaxhim të aftë, Marrëveshja e Uashingtonit mund të harmonizohet me programin e BE-së për të ndërmjetësuar një treg ekonomik dhe financiar ballkanik dhe me nismën Ballkani i Hapur të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Për më tepër, në shtypin ukrainas janë shfaqur spekulime se qasja e paanshme e Vuçiqit ndaj luftës mund ta shndërrojë Beogradin një vend natyror për negociatat që synojnë t’i japin fund luftimeve. Nëse kjo do të ndodhte vërtet, njohuritë e Grenell-it për çështjet e Ballkanit si dhe përvoja e tij personale me Vuçiqin mund t’i hyjnë në punë. (BIRN)

Të fundit

më të lexuarat