Një moment historik që duhet parë përtej kontekstit të kohës

Historia e popullit shqiptar është historia e një kombi të copëtuar padrejtësisht ndër shekuj. Në vitin 1941, nën mbrojtjen e Italisë, ndodhi diçka e paprecedent: tokat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, përfshirë Ulqinin, Tivarin, Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën dhe Rozhajën, u bashkuan me shtetin shqiptar. Megjithëse regjimi fashist nuk përfaqësonte idealet e shqiptarëve dhe nuk gëzonte simpatinë e tyre, ky moment ofroi një shpresë të re për shqiptarët që për dekada kishin vuajtur nën sundimin sllav

Sami Flamuri

(vijon nga numri 1138)
Për këtë, më 5 korrik 1941, Qeveria e Tiranës dërgoi në Romë Ernest Koliqin dhe Mustafa Krujën, me kërkesën për ta diskutuar çështjen e mësipërme sa më shpejt, me ministrin e Punëve të Jashtme, Kontin Ciano, ku ndër të tjera, t’i bashkëngjitet Shqipërisë edhe Plava dhe Gucia. Siç duket, meqenëse të dyja vendet ishin lënë nën ndikimin italian, Musolini vendosi ta zgjidhë në të mirë të shqiptarëve kundërshtinë për kufirin shqiptaro-malazez.
Kështu Shqipëria Italiane do të rritej në këtë pjesë me rajonet e Pejës, Gjakovës, Plavës, Gucisë,
Tuzit, Hotit, Grudës dhe Ulqinit. Territoret shqiptare në Mal të Zi janë vendosur nën kontrollin e autoriteteve shqiptare, pavarësisht kontrollit të plotë ushtarak italian mbi ish-Banovinën e Zetës, sot Mali i Zi.
Më 9 korrik 1941, Eqrem bej Vlora dorëzoi në Mëkëmbësinë e Përgjithshme në Tiranë një Promemorie dhe një drejtim të hollësishëm me të dhëna historike dhe gjeografike mbi popullsinë shqiptare që ndodhet në Malin e Zi dhe një propozim mbi vendin ku duhej të kalonte kufiri shqiptaro-malazez. Këtu përshkruhet kufiri në mënyrë të përpiktë, i ndarë me shpjegime për këto pjesë: 1. Pjesa e Ulqinit, 2. Pjesa Hot – Grudë – Triesh; 3. Pjesa e Plavës dhe Gucisë; 4. Pjesa Rozhajë – Tutin. Materiali është i shoqëruar me një listë shënimesh të veçanta për zonën e Tivarit të Vjetër si qytet dhe 12 fshatrave ndërmjet Ulqinit dhe Tivarit.
Më 15 korrik 1941, Mëkëmbësia e Përgjithshme emëroi si ekspert pranë Komisionit krahinor për kufizimin e kufirit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, Atë Anton Harapin, njërin prej njohësve më të mirë të gjendjes etnografike në Malësi dhe në Shqipërinë Veriore.
Në atë kohë, gjatë viteve 1941-1943, Padër Antoni u emërua si Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, detyrë të cilën e mbajti deri në fund të vitit 1944, me mbarimin e luftës. Pak ditë pas pushtimit gjerman të Shqipërisë, Padër Antoni u thirr dhe pranoi postin e regjentit në Këshillin e Lartë të Shtetit, ku përveç tij bënin pjesë dhe Lef Nosi, Mehdi Frashëri dhe Fuat Dibra.

Ëndrra e shqiptarëve u ndërpre brutalisht pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur regjimet komuniste mbizotëruan si në Shqipëri, ashtu edhe në Mal të Zi. Këto regjime u kthyen në makth për popullsinë shqiptare të këtyre trojeve. Njerëzit jetuan nën frikë, nën ndjekje dhe nën një regjim që përpiqej të asgjësonte jo vetëm identitetin e tyre kombëtar, por edhe vetë shpirtin e tyre


Ndërkohë, në vetë Malin e Zi, vendimi i Musolinit për krijimin e një Mali të Zi pa treva shqiptare, të pavarur, nën mbulesën italiane, ngjalli pezmatim të fuqishëm, që nuk do të zbehej me kalimin e kohës. Urrejtja antishqiptare do të shoqërohej pastaj me një objektiv krejtësisht të qartë kundër italianëve dhe gjermanëve, që e ndërtuan këtë skemë zvogëluese të territoreve malazeze, të cilat në fakt ishin vetëm trojet e tyre të shtrirjes reale etnike, por që binin ndesh me synimet minimaliste të nacionalizmit malazez kundër shqiptarëve katolikë dhe myslimanë të Shqipërisë natyrale veriperëndimore.
Shqiptarët e Kosovës, ata të Malësisë dhe të Ulqinit e pritën me lumturi këtë lloj çlirimi nga ushtritë italiane pas 30 vitesh nën sundimin sllav (në Ulqin, Tivar, Triesh, Kojë 50 vjet). Nën sundimin italian ata shihnin se më në fund po përmbushej ëndrra e bashkimit kombëtar.
Nuk duhet harruar se në asnjë moment nuk ka pasur lidhshmëri me fashizmin apo ndjenjat pronaziste, por thjesht qëllimi i bashkimit kombëtar ishte mbi të gjitha. Në fakt, ato fuqi ishin të njëjtat që kishin përkrahur formimin e Shqipërisë dhe kishin tentuar ta mbronin atë në periudhën 1912-1914 dhe 1916-1918.
Kjo vendosje në tokat e pashkëputura do të shërbejë si justifikim për të ndërmarrë shumë shpejt procesin e kundërt, menjëherë pas tërheqjes së trupave gjermane nga Gadishulli Ilirik i jugut, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Më 12 gusht 1941, pas përfundimit të saktësimeve, u shpall dekreti mbretëror i krijimit zyrtar të “Shqipërisë së Madhe”, me një territor shtesë mbi 10 000 km² dhe me një popullsi rreth 800 000 banorë, ndërkohë që në zonën gjermane të pushtimit mbeteshin 100 000 shqiptarë, ndërsa në atë të aneksuar Bullgarisë 150 000 deri në 200 000 të tjerë.
Mund të themi që krahinat e bashkëngjitura, të përvetësuara për t’u udhëhequr nga qeveria kolaboracioniste e Tiranës, ishin si më poshtë vijon:
(a) Pjesa e bregdetit të Malit të Zi rreth Tivarit, duke përfshirë Ulqinin, zona përreth liqenit të Shkodrës dhe pjesët e fushës së Podgoricës, Hoti dhe Gruda;
(b) Lugina e Gucisë në Alpet Shqiptare, në rrjedhën e mesme të lumit të Vermoshit dhe Rrafshnaltën e Dukagjinit;
(c) Fusha e Kosovës dhe Rrafshi i Dukagjinit, përfshirë qytetet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, duke u shtrirë deri afër Mitrovicës dhe në lindje afër Vranjës;
(d) Krahinat veriperëndimore të Maqedonisë rreth Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës, në luginën e sipërme të lumit Vardar, lindjen e zonës malore të Malit Sharr;
(e) Lugina e sipërme e Drinit të Zi nga Dibra në Strugë dhe liqenin e Ohrit, duke ribashkuar kështu territoret fisnore të Dibrës, duke rikthyer Dibrën si qendër administrative të krahinës dhe duke zëvendësuar kështu Peshkopinë.
Historia e popullit shqiptar është historia e një kombi të copëtuar padrejtësisht ndër shekuj. Në vitin 1941, nën mbrojtjen e Italisë, ndodhi diçka e paprecedent: tokat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, përfshirë Ulqinin, Tivarin, Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën dhe Rozhajën, u bashkuan me shtetin shqiptar. Megjithëse regjimi fashist nuk përfaqësonte idealet e shqiptarëve dhe nuk gëzonte simpatinë e tyre, ky moment ofroi një shpresë të re për shqiptarët që për dekada kishin vuajtur nën sundimin sllav.
Për herë të parë, këto territore panë hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, një akt i vonuar që preku zemrat dhe shpirtin e popullit. Një brez i tërë që ishte detyruar të harrojë gjuhën dhe identitetin e vet, ndjeu ngrohtësinë e mëmëdheut. Shqiptarët në këto troje panë atë që kishin ëndërruar për breza: një komb të bashkuar, të fortë dhe të lirë në identitetin e tij kombëtar.
Por kjo ëndërr u ndërpre brutalisht pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur regjimet komuniste mbizotëruan si në Shqipëri, ashtu edhe në Mal të Zi. Këto regjime u kthyen në makth për popullsinë shqiptare të këtyre trojeve. Njerëzit jetuan nën frikë, nën ndjekje dhe nën një regjim që përpiqej të asgjësonte jo vetëm identitetin e tyre kombëtar, por edhe vetë shpirtin e tyre.
Akti i bashkimit të këtyre tokave me Shqipërinë në vitin 1941 mbetet një moment historik që duhet parë përtej kontekstit të kohës. Ai ishte një shenjë që bashkimi kombëtar i shqiptarëve është jo vetëm i drejtë, por edhe i pashmangshëm. Të gjitha sakrificat e asaj kohe duhet të na frymëzojnë sot për të vazhduar të ruajmë dhe të mbrojmë identitetin dhe të drejtat e kombit tonë.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat