Nju Jork – Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, ka thënë se fokusi kryesor i veprimit tonë është orientuar në buxhetimin e përgjegjshëm në bazë gjinore, të cilin e shohim si instrumentin kyç në realizimin e barazisë gjinore në Mal të Zi.
“Përpiqemi të sigurojmë që burimet publike të mbështesin pjesëmarrjen e barabartë, ndarjen e drejtë të të mirave dhe zvogëlimin e varfërisë gjinore. Me këtë mënyrë qasjeje krijojmë mjedisin për politika dhe programe inkluzive”, ka thënë ai në hyrje të sesionit të 68-të të Komisionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Statusin e Grave, që është mbajtur në Nju Jork.
Gjeka ka thënë se Qeveria e Malit të Zi bashkëpunon në mënyrë aktive me partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht me Zyrën e PNUD-it dhe Misionin e OSBE-së, por edhe me organizata të tjera në nivel rajonal dhe global.
“Projektet tona përfshijnë një sërë aktivitetesh në fushën e arritjes së barazisë gjinore, siç janë trajnimi i gazetarëve, fuqizimi i kapaciteteve në administratë dhe mbështetja kundër gjuhës së urrejtjes. Nënvizoj përkushtimin e Qeverisë së Malit të Zi në realizimin e barazisë gjinore, me fokus në eliminimin e varfërisë dhe zbatimin e perspektivës gjinore”, ka theksuar ai.
Sipas tij, edhe Mali i Zi përballet me sfidën kyçe të ndryshimit të normave shoqërore dhe stereotipet që i kontribuojnë pabarazisë ndërmjet gjinive, derisa rolet dhe pritjet gjinore tradicionale kufizojnë edhe më tej mundësitë e femrave në politikë, ekonomi dhe fusha të tjera shoqërore.
Ai i është referuar dokumentit strategjik kombëtar për arritjen e barazisë gjinore, i cili përfshin një sërë risish, të orientuara kah përmirësimi i pozitës së femrës në shoqërinë malazeze.
“Elementet kyçe kanë të bëjnë me forcimin e qasjes së femrave në funksionet politike përmes rritjes së kuotës zgjedhore për gjininë më pak të përfaqësuar”, ka thënë Gjeka.
Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, ai ka marrë pjesë në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteres, të cilin e kanë organizuar qeveritë e Katarit dhe Ruandës, në emër të Grupit të Miqve për paritetin gjinor.
Ai po ashtu ka zhvilluar edhe takime të tjera me zyrtarë të lartë të delegacioneve pjesëmarrëse në sesionin e sivjetshëm të Komisionit për Statusin e Grave, me fokus përshpejtimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave duke adresuar varfërinë, forcimin dhe financimin e institucioneve përgjegjëse, ku kanë marrë pjesë më shumë se 120 delegacione zyrtare, përfaqësues të sektorit civil etj.
i. k.