Emrin “Triesh” në të kaluarën e hershme e shohim në regjistra të Argjipeshkvisë së Tivarit në disa variante apo forma, si: “ Tressi” në vitin 1654, “ Triepse” ( 1671) , “ Triepci” (1688), “ Trieppsci” , “ Triepsc” (1750) , “ Triepsi “( 1855) etj.
Rreth etimologjisë së fjalës “ Triesh” ka disa shpjegime nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Mendohet se etimologjia e fjalës “ Triesh” vjen nga fjala shqipe “ tre”, ose “ trish” meqë ky vendbanim ndahet në tri pjesë , Trieshi i Poshtëm , Trieshi i Epërm dhe Cem i Trieshit.
Prof.dr. Gjergj Gjuravçaj në studimin e tij “ Proza popullore e Malësisë së Mbishkodrës”, Shkup 2003, faqe 24-30 etimologjinë e fjalës “ Triesh” e mbështet në konstatimin se Trieshi gjendet mes tri maleve, Suka e Grudës, Gjytetëza dhe Kazheniku.
Trieshi është një vendbanim malor (fis-bajrak) shqiptar dhe pjesë e rajonit të Malësisë mbi bregun e majtë të lumit Cem, afër kufirit më shtetin Amë- Shqipërinë në Komunën e Tuzit në Mal të Zi. Ndodhet ndërmjet kufirit ndërshtetëror mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, respektivisht ndërmjet Malësisë dhe Kuçit, 20 kilometra larg nga Podgorica. Trieshi gjithashtu është i kufizuar nga ana juglindore me malësinë e Vermoshit por, për shkak të mospasjes lidhje me rrugë automobilistike me këtë zonë të Shqipërisë, pengohet komunikimi me vëllezërit në anën tjetër të kufirit. Deri në këtë vendbanim pasiv shkëmbor, pa burime ujore, me prodhimtari të kufizuara, mund të arrish rrugës së ngushtë gjarpërore të asfaltuar që shpie nga qyteti i Podgoricës në drejtim të Kuçit. Trieshi kufizohet me Fundëna, Kojë, Kuç, Grudë, Hot dhe Këlmend. Shtrihet në sipërfaqe 30 x 12 km , kurse lashtësia e tij mbidetare është afro 850 metra.
Mali apo krahina e Trieshit vazhdimisht ka qenë një vend që ngjallte kureshtje. Udhëtarë, studiues, shkrimtarë, etnografë, e shumë të tjerë kanë ardhur gjatë shekujve, duke marrë me vete edhe kujtimet nga një vend i panjohur me njerëz po aq të ashpër sa edhe natyra e tij. Dhe jo vetëm kaq. Për më tepër kjo krahinë shqiptare është bërë objekt studimi i shumë studiuesve seriozë shqiptarë e të huaj të fushave të ndryshme. Secili nga ata sjellin vështrimet, pikëpamjet dhe përshtypjet e veta për historinë e lavdishme ende të pahulumtuar e të pandriçuar të kësaj trevë e cila gjatë shekujve u rezistoi rrebesheve tepër të vështira të kohës, duke mos u përkulur asnjëherë para sunduesve të ndryshëm, por duke ruajtur me vendosmëri etnosin shqiptar.
Disa historianë dhe hulumtues pohojnë se një pjesë e trieshianëve janë autoktonë, kurse pjesa tjetër janë të ardhur. Sipas burimeve të Venedikut, Trieshi përmendet në vitin 1416. Në burimet turke përmendet në vitin 1485. Sipas gojëdhënës shumica e trieshianëve e ka origjinën nga Ban Keqi. Por zanafilla e vërtetë e këtyre banorëve të ngulitur në këtë vend pasiv shkëmbor mbetet e diskutueshme.
Popullsia dhe vendbanimet
Në Triesh, siç theksuam më lartë, jeton popullsi me kombësi 100% (qind për qind) shqiptare. Të gjithë banorët e tij janë të besimit katolik. Me gjithë zhvillimet e mëdha politike që kanë ndodhur në Triesh, duke u sulmuar nga popuj të tjerë mali i Trieshit brez pas brezi ka arritur të ruajë, të trashëgojë dhe të zhvillojë më tej tiparet etno-kulturore, traditat e lashta etnike, duke mbetur në të gjitha periudhat historike një popullsi kompakte me gjuhë, doke, zakone, besime, besëtytni dhe tradita etno-kulturore të veçanta.
Brenda territorit të Trieshit, me kufij natyror të qartë dhe të përcaktuar edhe gjeografikë, por dhe etnografikë janë konsoliduar në rrjedhë të kohës 10 katunde ( fshatra) malore: Rudinë, Nimarash, Muzheçk, Budëz, Bisaq, Stjepo, Delaj, Bëkaj, Poprat dhe Cem i Trieshit.
Në këto katunde ( mahallë) me shekuj jetojnë në harmoni të plotë këto fise: Gjeloshaj, Margilaj, Arapaj, Cacaj, Gjonaj, Gjurashaj, Gjokaj, Nikollaj, Gjolaj, Lucaj, Dukaj, Prënkoçaj, Gjuravçaj, Gegaj, Hasanaj, Gjonlekaj, Dedivanaj, Lucaj, Gjekaj , Nikprëlaj, Ujkaj, Lekoçaj, Micakaj, Memçaj, Palushaj dhe Gashaj. Më parë kanë jetuar edhe fiset , Lekaj, Vataj , Velçaj, Cungaj dhe Gjonaj në Stjepoh dhe fisi i Vukajve në Delaj.
Familjet e shënuara të Trieshit siç është regjistruar nga Emile Wiet , konsull francez në Shkodër në vitin 1866 janë këto:
Arapaj,Cacaj,Dedivanaj,Dukaj,Gashaj,Gjeloshaj,Gjekaj.Gjokaj,Gjolaj,Gjonlekaj,Gjonaj ,Gjurashaj,Gjuravçaj,Hasanaj.Lekaj,Lekoçaj,Lucaj ( bajraktar),Margilaj, Memçaj, Micakaj, Nikollaj, Nikprelaj, Palushaj Prenkoçaj, Ujkaj ( bajraktar) dhe Vataj.
Popullsia e Trieshit , deri në fund të viteve ’60 -të të shekullit të kaluar përbënte një bashkësi krahinore me vendbanime të përhershme dhe të qëndrueshme, me jetë të kushtëzuar nga mënyra e sigurimit të burimeve ekonomike për të jetuar në shtëpi, dhe prona tokësore të patjetërsueshme. Situatat historike në ish- Jugosllavi dhe kushtet e vështira ekonomike i detyruan trieshianët, sikurse edhe malësorët e tjerë të Malësisë së Madhe, të largohen nga vendlindja në kërkim të një jete më të mirë. Kontinentet më të preferuara për të emigruar të trieshianëve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa Perëndimore. Emigrimet dhe migrimet e mëdha të trieshianëve, që vazhdojnë edhe sot, kanë shkaktuar uljen jashtëzakonisht të madhe të numrit të banorëve , të nxënësve dhe të lindjeve. Nëse dikur Trieshi përmendej për moshë të re të popullsisë , sot vihet re që popullsia është në plakje, të rinj ka pak , shumë shtëpi janë pa asnjë banorë, disa prej tyre janë gërmadhë , të mbuluara me shkurre.
Trieshianët në asnjë mënyrë nuk duhet të pajtohen me konstatimin e mbrapshtë e të paqëndrueshëm se Trieshi ka qenë dhe është trevë e varfër, ku nuk mund të jetohet normalisht. Duhet të ndryshojmë mendje dhe të kuptojmë se Trieshi është vend i njerëzve punëtorë dhe i mundësive jo të vogla ekonomike, të cilat gjithsesi duhet shfrytëzuar sa më parë. Dhe, kjo është e mundur me punë, dhe vetëm me punë, apo siç thoshte poeti ynë i famshëm Naim Frashëri “ Punë , punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë!” Me ide e projekte të reja, të cilat mbase do mbështeteshin edhe nga institucionet përkatëse të Komunës së Tuzit dhe Ministria e Bujqësisë të Malit të Zi.