Në prani të familjarëve, miqve, të kolegëve, të përfaqësuesve të Komunës së Tuzit, të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, të Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë dhe të institucioneve të tjera, iu dha lamtumira e fundit prof. dr. Palokë Berishës, një personaliteti të shquar, mësimdhënësit shumëvjeçar, shkrimtarit, studiuesit, publicistit dhe profesorit universitar. Prof. dr. Palokë Berisha u nda nga jeta më 18 mars 2024, në moshën 89 vjeçare.
Për veprimtarinë e tij të frytshme intelektuale dhe shkencore, mbi pesëdhjetë vjeçare, foli dr. Nail Draga, në cilësinë e kryetarit të komisionit për kulturë, media dhe sport të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Ai në fjalën e rastit tha se emri dhe vepra e prof. dr. Palokë Berishës ka mbetur e shënuar me shkronja të arta në aspektin e pedagogjisë dhe jo vetëm.
“Veprat e tij të cilat janë botuar këto pesëdhjetë vitet e fundit, dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë. Veprimtaria e prof. Berishës është e njohur për opinionin e gjerë nëpër revista të ndryshme shkencore, kulturore dhe mjete të tjera. Në veçanti, teza e doktoratës së tij “Zhvillimi i shkollave dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi prej vitit 1878-1988” është botim emblematik dhe i veçantë, jo deri më tani, por edhe në të ardhmen, për arsimimin e shqiptarëve në Mal të Zi” u shpreh Draga.
Dr. Nali Draga më tej theksoi se, atë çfarë ka shkruar prof. dr. Palokë Berisha, deri më sot nuk ka pasur mundësi dhe sukses ta shkruaj dikush tjetër.
“Jo sepse të tjerët nuk kanë pasur aftësi profesionale për këtë çështje, por, prof. Berisha ka pasur edhe guximin intelektual që të merret në mënyrë profesionale për çështjet të cilat kanë të bëjnë me identitetin arsimor e kulturor të shqiptarëve në Malin e Zi” tha në mes tjerash, Draga.
Ai shtroi se, e tërë veprimtaria studimore e shkencore që ka të bëjë me fushën pedagogjike ku arsimi nuk ishte vetëm profesion por dhe mision i tij jetësor dhe titujt e botimeve të prof. Berishës, e dëshmojnë në mënyrë bindëse një konstatim të tillë.
“Sepse, askush si ai deri më sot, nuk e ka trajtuar këtë çështje në mënyrë profesionale” theksoi Draga i cili në disa vepra të botuara të profesor Berishës, ka qenë bashkëpunëtor në cilësinë e redaktorit apo recensentit.
Ndërkohë, në emër të kolegëve dhe miqve të profesor Berishës foli, Mark Gjokaj, politolog universitar i specializuar, i cili në fjalën e rastit, në mes tjerash u shpreh se prof. dr. Palokë Berisha në veprat e tij ka vlerësuar të tjetër dhe ka evoluar të paktën katër faza arsimimi dhe përparimi.
Ai, përveç shpalosjes së kontributit që ka dhënë Berisha me botimet e tij të publikuara në shumë revista të njohura, ai potencoi kontributin e dhënë në Art “Club”-in e Ulqinit, përmes veprimtarisë së tij hulumtuese në fushën pedagogjike dhe në tërësi për kulturën dhe arsimin shqip në Mal të Zi.
Ndërkaq, në emër të familjes Berisha, te pranishmëve iu drejtua Gjon Berisha, djali i të ndjerit Palokë Berisha, i cili falënderoi të gjithë ata që nderuan dhe vlerësuan figurën e profesor Berishës, si dhe organizatorët e kësaj ore përkujtimore, Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve dhe Bashkimin e Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi.
Funerali për prof. dr. Palokë Berisha u bë në qendrën funerale “Malësia”.
Prof. dr. Palokë Gjelosh Berisha lindi në fshatin Gurrec të Malësisë së Madhe më 25 korrik të vitit 1934. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, kurse shkollën normale në Prishtinë, në vitin 1959. Studimet për pedagogji i regjistroi në Sarajevë, ku përfundoi vitin e parë dhe të dytë, ndërsa vitin e tretë dhe të katërt i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës ku dhe është diplomuar dhe vlerësuar me notën maksimale.
Studimet pasdiplomike i ka vazhduar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit ku ka mbrojtur temën e magjistraturës me titull: “Shkollat dhe arsimi i shqiptarëve në rajonin e Tivarit dhe Ulqinit”. Po në të njëjtin Universitet, ka mbrojtur disertacionin e doktoratës “Zhvillimi i shkollave dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi, prej vitit 1878- 1988”.
Nga viti 1959 ka ushtruar këto detyra me interes mësimor dhe shkencor: mësues në shkollën fillore në Gurrec, profesor i pedagogjisë në shkollën normale në Ferizaj dhe Prishtinë, edukator në konviktin e shkollës normale në Prishtinë, docent i metodikës së punës edukative në Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe profesor i rregullt po në të njëjtin fakultet.
Nga viti akademik 2004/05 e deri në vitin 2014/15, angazhohet për të ligjëruar në programin studimor për përgatitjen e mësuesve në gjuhën shqipe në Podgoricë.
Prof. dr. Palokë Berisha, duke filluar nga viti 1986, botoi këto vepra letrare: “Prirja edukativo-arsimore e konvikteve të Kosovës”; “100 vjet dritë -Shkolla Fillore në Hot”; “Zhvillimi i shkollave dhe arsimimi i shqiptarëve në Mal të Zi, prej vitit 1878 e deri në vitin 1988”; “Shkollat dhe arsimi në Malësi të Madhe të aneksuara nga Mali i Zi”; “Shkolla e mesme në Tuz, nga viti 1971 e deri në vitin 2001”; “Shkollat dhe arsimi i shqiptarëve në territorin e Komunës së Plavës dhe Rozhajës, deri në vitin 2001”; “Gjoni dhe Agroni në shërbim të arsimit dhe shkencës”; “Shkollat dhe arsimi shqip në territorin e sotëm të Ulqinit dhe Tivarit, deri në vitin 2001”; “Meteorët e arsimit shqip në Mal të Zi- pjesa e parë e dytë dhe e tretë”; “Punimet nga shkencat humanitare, marrëdhëniet ndërmjet nxënësit dhe mësimdhënësit në procesin mësimor”; “10 vjet punë të programit studimor për arsimimin e mësuesve në gjuhën shqipe në Podgoricë, nga viti 2014 e deri në vitin 2014”; “Çka mendojnë të rinjtë për jetën bashkëshortore”; “Katër malet e Malësisë”; dhe “Biografia dhe veprimtaria e Gjergj Hasanajt”.
t. u.