Hasan Prishtina, shembulli më unik i politikanit

Tuz – Jeta dhe vepra e kryeministrit të 8-të të Shqipërisë, Hasan Prishtina, përkatësisht 100-vjetori i marrjes së detyrës së tij si kryeministër i Shqipërisë, u përkujtua në Tuz, përmes një ekspozite me dokumente arkivore dhe fotografi, të cilat u shpalosën në hollin e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, më 17 shkurt 2022.
Në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut, kjo ekspozitë të cilën e shpalli të hapur kreu i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, pasqyron ndihmën që dha Hasan Prishtina në organizimin e kryengritjeve antiosmane në territoret e Vilajetit të Kosovës, si dhe mbështetjen që ai ka dhënë për arsimin shqip.
Pjesë e kësaj ekspozite janë letërkëmbimet e Hasan Prishtinës me personalitetet e kohës mbi rëndësinë e çështjes shqiptare në prag të shpalljes së pavarësisë.
Specialisti në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Lorenc Agalliu, gjatë fjalës së rastit, ndër të tjera, e quajti Hasan Prishtinën si njërin nga figurat më të shquara patriotike. Ai tha që shpreson se me bashkëpunim dhe ndihmë të Komunës së Tuzit të hapin edhe në Tuz një Kënd Arkivor nga ku qytetarët dhe studiuesit, e cilido dashamirës i kulturës, të studiojnë pa qenë nevoja që të jenë prezent në Tiranë.
“Pra, ne do të sjellim arkivin, historinë e Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare në çdo skaj ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët”, u shpreh Agalliu.
Ndërkohë, në fjalën e tij përshëndetëse, Mehmet Prishtina, pasardhës i Hasan Prishtinës, tha se me Hasan Prishtinën lidhën kauzat shtetndërtuese të shqiptarëve.
“Kjo kauzë u bë edhe platforma e lëvizjes sonë kombëtare, e njohur si Doktrina apo 14 pikat e Hasan Prishtinës, për të cilat negocionte me palën turke më 1912, me rastin e kryengritjes së përgjithsme antiosmane”, theksoi Prishtina.
Ai shtoi se Hasan Prishtina është shembulli më unik i politikanit i cili asgjë nuk mori nga politika, por vetëm i dha asaj.
“Hasan Prishtinën e eliminuan fizikisht, por jo edhe shpirtërisht, sepse emri dhe vepra e Tij do të jenë pjesë e pandashme e idealit të njerëzve të ndershëm të popullit tonë”, u shpreh Prishtina.
Kjo ekspozitë deri më tani është prezantuar gjerësisht edhe në qytete të tjera shqiptare dhe jashtë kufirit të Shqipërisë si në Shkup, Ulqin dhe tashmë në Tuz.
Ekspozita në fjalë u organiza nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit në bashkëpunim me Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”, Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Arkivin Qendror Shqiptar – Tiranë dhe Mehmet Prishtinën, pasardhës i Hasan Prishtinës.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat