Dëshmi e një historie të dhimbshme përmes letërsisë

Novela rrëfen fatin e hidhur të një shqiptari të Kosovës, Kujtim Druvarit, personazhit kryesor të novelës, i cili pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, detyrohet të largohet për t’iu shmangur arrestimit nga autoritetet policore serbe si njëri prej organizatorëve të demonstratës. Autori ka treguar se novela bazohet në një ngjarje të vërtetë dhe se për ta shkruar atë është frymëzuar nga historia që i ka treguar një shok i tij, porse histori të ngjashme si kjo ka shumë

Ulqin – Në Librarinë “Ulqini” të shtunën mbrëma (16 nëntor 2024) është përuruar libri “Jetesë n’mes egërsinave” i autorit Filip Guraziu nga Shkodra.
Libri, i shkruar në gegërisht, është një novelë që rrëfen fatin e hidhur të një shqiptari të Kosovës, Kujtim Druvarit, personazhit kryesor të novelës, i cili pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, detyrohet të largohet për t’iu shmangur arrestimit nga autoritetet policore serbe si njëri prej organizatorëve të demonstratës.
Autori ka treguar se novela bazohet në një ngjarje të vërtetë dhe se për ta shkruar atë është frymëzuar nga historia që i ka treguar një shok i tij, porse histori të ngjashme si kjo ka shumë.
“Mua më ka ba shumë përshtypje, sepse unë jam edhe nënkryetar i Shoqatës së të Përndjekurve dhe bashkëjetoj, jetoj shumë me ngjarjet e të burgosurve etj., që tregojnë jo një rast, por shumë raste që kanë ardhë patriotë nga Jugosllavia. Kanë ardhë edhe prej jush këndej, jo vetëm prej Kosove. Kur kanë ardhë, kanë ardhë me shpëtu atje, por kanë gjetur ferr”, ka thënë Guraziu.
Ai ka thënë se përmes kësaj novele ka dashur të përçojë disa mesazhe, ndër të cilat ai ka veçuar thënien e së vërtetës.
“Kjo është një novelë që tregon një ngjarje e cila nuk përmendet dhe duan ta lanë në harresë. Jo, nuk duhet me e lanë në harresë. Ne të vërtetën duhet me e thanë. Kjo është e vërteta. Secili të ketë botëkuptimin e vet, se nuk janë të gjithë njësoj me mendimet e veta, por të vërtetën do ta themi”, ka thënë Guraziu.
Një mesazh tjetër pozitiv, sipas tij, është shembulli i kryepersonazhit të veprës, që na tregon se si duhet të jetë njeriu në jetë, pavarësisht vuajtjeve dhe peripecive të ndryshme jetësore.
“Libri tregon vuajtjet e këtij djalit, por ky është njeri me karakter, shumë i fortë, shumë i fuqishëm moralisht, u reziston të gjitha ngjarjeve, dhe taksirati i tij më i madh, a dini cili ishte?! Që i thonin: Kush të ka ndihmu me kalu kufirin? Ishin dy njerëz që e kishin ndihmu. Ishte një fshatar me origjinë malazeze dhe një mik i familjes. Por ky e dinte se po të tregonte, lidhjet e fshehta mes tyre do të dilnin, do të kishte pasoja. Edhe i pranon të gjitha vuajtjet, të gjitha ngatërresat e veta, të gjitha telashet, vetëm emrin e tij nuk e thotë”, ka rrëfyer Guraziu, duke shtuar se mesazh tjetër pozitiv është edhe ai i shokut që i qëndron burrë Kujtimit.
“Pra, edhe kjo është një gjë shumë e bukur, se jo të gjithë kanë qenë spiunë”, ka theksuar ai.
Duke e prezantuar autorin e librit, gazetari dhe aktori Simon Shkreli, udhëheqës i përurimit, ka thënë se Filip Guraziu është një personazh shumë interesant.
“Ndoshta është ndër personazhet e pakta që sot jetojnë në Shkodër, ose ndoshta edhe në Shqipëri, që aktivitetin e tij nuk e ka ndaluar asnjëherë”, ka thënë ai.
Ndërsa për librin ka thënë se është një lloj letërsie shumë interesante që zotëri Filipi ka filluar ta lëvrojë duke qenë se i përket shtresës së të përndjekurve.
Për personazhin kryesor të novelës, Shkreli ka thënë se duke u përpjekur që të shpëtojë nga regjimi titist, ai si të thuash, ikën prej shiut dhe bie në breshër.
“I përjeton vuajtjet e komunizmit edhe në Shqipni. Por ajo që është më interesantja është se personazhi nuk pajtohet me situatën në të cilën ndodhet populli shqiptar brenda territorit të Shqipërisë”, ka thënë ai.
Gjatë përurimit Shkreli ka lexuar fragmente nga libri.
Filip Guraziu ka lindur në Tiranë në vitin 1943. Ka kryer studimet e larta për matematikë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, më 1964. Në vitin 1951, regjimi komunist ia vrau babanë, ekonomistin dhe profesorin e njohur Pjerin Guraziu, për shkak të akuzës së montuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë. Kjo ngjarje ka pasur ndikim të madh në jetën e tij dhe do ta ndjekë deri në ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri.
Ka punuar mësues, punëtor krahu, ekonomist, matematikan, drejtor gjimnazi, ka qenë kryetari i parë i Bashkisë Shkodër në periudhën e pluralizmit, drejtor i Albsig – dega Shkodër. Ka qenë basketbollist i dalluar dhe kapiten i kombëtares së Shqipërisë, shumë herë kampion kombëtar. Për 16 vite ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Ndër aktivitetet e tjera shoqërore që ai ka kryer veçojmë angazhimin e tij si kryetar i Klubit “Vllaznia” (1996-1997), kryetar i Shoqatës së Miqësisë Itali – Shqipëri (Firenze – Shkodër), kryetar i Shoqatës Mjedisore Ekologjike “MESHBUSH”, drejtues organizativ i Shoqatës Kulturore Artistike “Prenkë Jakova” – Shkodër, nënkryetar i Shoqatës “Drini” (Shkodër – Gjakovë), nënkryetar i Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, nënkryetar i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë – Shkodër etj.
Për punën dhe veprimtarinë e tij është vlerësuar me shumë tituj nderi, si: Mjeshtër Sporti (1962), Mësues i Merituar (1993), Mjeshtër i Merituar në basketboll (1995), Nderi i Shoqatës Antikomuniste “16 Qershori” (1995), Nderi i Sportit Shqiptar (2000), Medalje mirënjohjeje nga Federata Shqiptare e Basketbollit (2006), Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut (2020).
Guraziu është autor i disa librave dhe publikimeve të ndryshme, përfshirë novelën “Jetesë n’mes egërsinave” të botuar në vitin 2023.
Përurimi i librit është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Libraria “Ulqini”.

i. k.


Dy objektiva jetësore: kujtesa historike e krimit komunist dhe gegërishtja

Guraziu ka thënë se, në këtë moshë që është, ka dy objektiva jetësore, kuptohet përpos familjes.
“Kam kujtesën historike të krimit komunist. Se dalloj që ka një tendencë, shihet qartë, që duan t’i harrojnë gjërat. Sikur s’ka qenë kurrgjë. Edhe thonë: kanë një shprehje ‘ishte koha’”, ka thënë ai, duke nënvizuar se “të rinjtë sot nuk dinë asgjë për të kaluarën”.
Objektivi i tij i dytë është gegërishtja, për të cilën ai ka thënë se është pasioni i jetës së tij.

Të fundit

më të lexuarat