Ulqin – Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Ulqinit kanë diskutuar të martën e kaluar (17 dhjetor 2024) mbi nivelin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në Spitalin e Përgjithshëm “Bllazho Orllandiq” në Tivar.
Seanca e Kuvendit është thirrur me kërkesën e organizatave joqeveritare që kanë organizuar tubimin protestues “Duam të vërtetën për Dritën”, të mbajtur më 7 nëntor 2024, në shenjë reagimi dhe solidarizimi me familjet e lehonës Drita (Zati) Tafa, e cila vdiq pas lindjes së fëmijës, si pasojë e një gabimi mjekësor gjatë procesit të lindjes të mjekes gjinekologe që kishte përcjellë shtatzëninë e saj në Spitalin e Tivarit, por edhe të solidarizimit me familjen e Asmira Aloshit, e cila për disa muaj ka qenë në gjendje kritike në Qendrën Klinike në Podgoricë për shkak të trajtimit joprofesional nga e njëjta mjeke në Spitalin e Tivarit.
Në përfundim të mbledhjes, Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar përfundimet dhe rekomandimet e mëposhtme:
- Është më se i nevojshëm përmirësimi i nivelit të shërbimeve shëndetësore të Spitalit të Përgjithshëm në Tivar.
- Është e nevojshme që t’u mundësohet pacientëve nga Ulqini lëshimi i udhëzimeve nga institucionet shëndetësore nga kujdesi shëndetësor primar që do të jenë të vlefshme për trajtim në një institucion shëndetësor sipas zgjedhjes së tyre në territorin e Malit të Zi, pa procedura dhe kufizime shtesë.
- Familjes t’i dorëzohen raportet dhe rezultatet e hetimeve të kryera nga komisionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
- Spitali i Përgjithshëm i Tivarit duhet t’i paraqesë Komunës së Ulqinit raportet e punës për vitet 2023 dhe 2024 si dhe të krijojë një praktikë të paraqitjes së raporteve në bazë vjetore.
- I rekomandohet Ministrisë së Shëndetësisë të marrë masa konkrete të përgjegjësisë ndaj drejtuesve të Spitalit të Përgjithshëm të Tivarit.
- Ministritë kompetente duhet të intensifikojnë aktivitetet me qëllim të zbatimit të projekteve të propozuara për përmirësimin e gjendjes së maternitetit.
- Këshilltarët janë unanimë në mendimin e tyre mbi nevojën e ndërtimit të një spitali në Ulqin.
Nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit kanë bërë të ditur se me këto përfundime do të njoftohen ministritë kompetente si dhe Spitali i Përgjithshëm në Tivar. (Kohapress)