Ju përshëndes të gjithëve nga kjo foltore, ku sot do të dëgjohet zëri i përfaqësueseve të disa shoqatave të grave, të cilat më 7 nëntor organizuan protestën madhështore, duke ngritur zërin për humbjen e jetës pas lindjes, të së ndjerës Drita Zati – Tafa.
Thirrja jonë kryesore atë ditë ishte “DUAM TË VËRTETËN PËR DRITËN”. Pikërisht këtë të vërtetë që kërkuam atë ditë, e kërkojmë edhe sot, por do ta kërkojmë gjithnjë derisa të mos zbardhet në tërësi.
Në protestë thashë se këtë ia kemi borxh Dritës dhe tre engjëjve të saj, që mbetën pa ngrohtësinë, kujdesin dhe dashurinë e gjësë më të shtrenjtë në botë – Nënës, por sot them se ua kemi borxh edhe qytetarëve të kësaj komune, të cilët u bashkuan atë ditë, duke u solidarizuar me neve, me dhimbjen që përjetuam të gjithë pa asnjë dallim. Të gjithë i preku thellë në shpirt familja e saj.
Rendi i ditës i titulluar “Niveli i ofrimit të shërbimeve shëndetësore në spitalin e Tivarit”, t’ju them të drejtën, më bën shumë konfuze dhe bie ndesh me një nga përfundimet e protestës: Të mbahet mbledhje e jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës: “E vërteta për Dritën”. Këtë e kemi kërkuar edhe në kërkesën që i kemi dërguar me shkrim kryetarit Genci Nimanbegu.
Ndoshta fjalia nuk është e formuluar si duhet, ndoshta sot do të kemi edhe një raport, një analizë të veçantë për punën e Spitalit të Tivarit?! Nuk e di, sepse nuk e kam marrë materialin e përgatitur për kuvend.
Pa marrë parasysh formulimin e rendit të ditës, unë edhe koleget e mia të cilat janë bashkorganizatore të protestës nuk kemi kompetenca dhe as dëshirë të merremi me një çështje që nuk është fusha jonë, aq më shumë nuk kemi asnjë të dhënë faktike për këtë çështje.
Atë çfarë kemi dëgjuar për Spitalin e Tivarit me vite të tëra nuk është asgjë e re! Në fakt, është një sekret publik, flitet për korrupsion, flitet për neglizhencë, për keqtrajtim e mos të numëroj, por të gjitha këto duhen faktuar, pra duhet të kemi prova. Andaj për këtë arsye nuk do të humbi kohë të flasim në ajër, falë Zotit ekziston prokuroria, gjykata, komisione të ndryshme që janë të obliguara, kanë kompetenca dhe paguhen për të mbikëqyrur punën dhe rezultatet e spitalit.
Mendoj se kjo seancë është dashur të ketë karakter lokal dhe e dedikuar rastit tragjik.
Nuk e di sa mund të ketë Kuvendi kompetenca apo kapacitet profesional të bëjë një analizë të mirëfilltë për nivelin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në Spitalin e Tivarit?! Këtë lloj analize zakonisht e bën një ekip i specializuar multidisiplinar.
Unë në emrin tim dhe të gjitha kolegeve të mia që kanë ndihmuar në organizimin e protestës, ju jemi mirënjohëse. Është shumë pozitiv fakti që sot diskutohet për këtë temë në Kuvend.
Për të vërtetën jemi shumë të interesuara, sepse na obligon premtimi që kemi dhënë, para ndoshta 3 000 qytetarëve, se nuk do të reshtim së kërkuari të vërtetën për Dritën.
Sot jemi këtu për të diskutuar dhe për t’u informuar nga ju se deri ku është arritur të punohet në zbardhjen e rastit! Çfarë është ndërmarrë?! Si ka vijuar procedura gjer më tani? Si është duke vijuar procedura e analizës së obduksionit dhe a keni dijeni për komisionin e ekspertëve mjekoligjorë, të cilëve u janë besuar mostrat për obduksion? Keni pasur ndoshta takim me ministrin e Shëndetësisë? Nëse po, si ka vijuar?
Tash, të gjithë e dini se nga dita që e lëshoi këtë botë Drita e dashur, është shkruar dhe është folur shumë në media. Në fillim është raportuar shumë. Çdokush nga këndvështrimi i vet, por kam informacione që në disa media tani ka presione nga jashtë, që të censurohen materialet dhe kjo më shtyn të dyshoj në drejtësinë që ne kërkojmë. Dëshiroj të jem gabim kësaj radhe.
Kështu në disa media është vepruar edhe në konferencën e organizuar për shtyp në ditën ku pas tre muajve Asmira Aloshi, akoma e pashëruar, e lëshoi klinikën në Podgoricë. Pjesët ku ajo përmend të paprekshmit, janë shkëputur.
Është fakt se qytetarët e komunës së Ulqinit kanë humbur besimin te Spitali i Tivarit. Besimi në këtë spital është lëkundur shumë gjatë periudhës së pandemisë, madje është quajtur “spitali i vdekjes”.
Brengos fati që kur përmendet ky spital, pa dyshim hidhet baltë mbi bluzat e bardha, pra përfshihen të gjithë. Kjo është shqetësuese, sepse e dimë shumë mirë që asnjë problem nuk mund të gjeneralizohet, por fajtori duhet të ketë emër dhe mbiemër. Ne po kërkojmë pikërisht këtë, që faji të mos mbetet jetim.
Këtë e them duke u bazuar në atë çfarë kemi dëgjuar nga familjarët, të cilët janë sot këtu dhe ata më së miri e dinë si është vepruar. Dua të besoj në drejtësi, dua të shpresoj që çfarëdo të jetë e vërteta, të zbardhet, pa ndërhyrje dhe presione nga jashtë.
Hatixhe Nelaj
(Autorja është drejtoreshë e SOS Telefonit për femra dhe fëmijë viktima të dhunës – Ulqin)