Çyli u lind në Kalanë e Ulqinit, në vitin 1941. Pozita e shtëpisë sonë gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur edhe sot, pas rindërtimit të saj në të njëjtin vend, një frymëzim i pafund për të gjithë ne që kemi lindur aty, veç pak metra mbi shkumbën e detit. Kopshti i ëndrrave tona, i cili shtrihet pranë saj, sot më i bukur se kurrë, ruan plot kujtime që nga fëmijëria e deri në ditët e sotme. Limani i bukur magjepsës, pastaj “Lugu i Xhemiles” dhe legjenda mbi fatin e saj tragjik pak më larg, gjithmonë kanë qenë pamjet e para, sapo i kemi çelur sytë. Që nga orët e mengjesit e deri te perëndimi i diellit në horizontin e largët, atje ku kalonin barkat dhe anijet, pritja dhe shpresa se kur po kalonte barka e babait tonë ishte gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona.
Çyli është fëmija i dytë në familjen tonë. Si fëmijë, por edhe më vonë, është dalluar nga të gjithë ne pasi që ka qenë gjithmonë më “i buti” në familjen tonë. Ende edhe sot ne moshën 80-vjeçare ka mbetur njësoj, është ende i tërhequr dhe shumë i matur në çdo bisedë.
Të shkruash portretin e një personazhi është gjithmonë sfidë e madhe pasi që duhet të jesh objektiv. Kësaj radhe, sfida është edhe më e madhe pasi që Çyli është vëllai im. Së fundmi, shkruani për vëllain i cili ka pasur një jetë plot me sakrifica dhe është përpjekur që ne të tjerët të kemi një jetë më të mirë dhe më të lehtë gjatë kohës kur babai ynë ndërroi jetë, kështu që e gjithë barra e familjes ka rënë mbi nënën tonë, me gjashtë fëmijë relativisht të rinj. Si më i madhi prej vëllezërve, Çylit i është dashur të na ndihmojë ne të tjerëve dhe edukimin tonë së bashku me nënën e cila ka treguar se është më e fortë se guri.
Për jetën dhe rrugëtimin e tij mund të shkruhet një roman. Qëllimi im është që t’i tregoj opinionit të gjerë për këtë person që ka pasur një jetë tejet interesante dhe që me punën e tij ka lënë gjurmë në çdo skaj të qytetit tonë. Puna dhe veprimi i tij, guximi dhe rrezikimi për të blerë traktorin në Beograd, të cilin e ka sjellë me shokun e tij Joko Vukçeviqin nga Beogradi deri në Ulqin, duke udhëtuar vetëm gjatë ditës për shkak se nuk i kanë fuksionuar dritat, vërtet mund të hyjë në librin e Ginesit.
Çyli ka ndjekur shkollën fillore”Boshko Strugar” nën bedenet e Kalasë së Ulqinit, ku mësimet e para i kemi marrë të gjithë ne. Ai ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm, mirëpo si fëmijës më të madh të familjes dhe kushteve të vështira ekonomike i ka rënë barra më e madhe që t’i ndihmojë nënës dhe në përgjithësi familjes.
Në moshën 18-vjeçare Çyli përfundoi shkollën e mesme dhe kreu zanatin për automekanik, të cilin e ushtroi për dy vite. Së shpejti shkoi për të kryer shërbimin ushtarak në ishullin Vis. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak u punësua në Kooperativën Bujqësore në Katërkollë. Një kohë ka punuar edhe në sipërmarrjen për hulumtimin e naftës në Ulqin.
Në moshën 23-vjeçare u martua me Valdete Nimanbegun, e cila ishte një zonjë me pedigre të veçantë nga Kalaja, që ka lënë gjurmë dhe kujtime të shumta te të gjithë ne të cilët kemi pasur fat që për një kohë të gjatë të jetojmë së bashku, por edhe më vonë pasi falë zemërgjerësisë së saj shtëpia gjithmonë ka qenë e çelur dhe e hapur për të gjithë ne. Ajo ka ndërruar jetë në vitin 2010, në moshën 65-vjeçare, duke lënë një zbrazëti të madhe te të gjithë, në veçanti te Çyli i cili mungesën e saj e ndien për çdo ditë. Fryt i kësaj martese janë katër fëmijët – tri vajza dhe një djalë, i cili mban emrin e babait tonë dhe ka ecur gjurmëve të babait të tij Çylit, duke arritur të bëhet njëri ndër afaristët më të suksesshëm në Ulqin.
Babai ynë, kapedan Hasan – Cano Karamanaga, ka qenë detar me nam i cili që nga fëmijëria ka filluar të lundrojë me anije të ndryshme nëpër Detin Adriatik dhe nëpër Mesdhe. Megjithatë, na ka lënë amanet që “nuk dëshiroj që askush nga katër djemtë e mi të bëhet detar, të navigojë”, pasi që “jeta në det është bukë me gjak”. Këtë amanet të tij e kemi respektuar pasi që asnjëri prej nesh nuk e kemi trashëguar punën e tij, pavarësisht se detin, barkat dhe sanallat të gjithë i kemi në gjak. Gjithmonë kemi pasur dhe kemi sanalla me të cilat lundrojmë nëpër akuatoriumin e detit tonë.
Çyli u bë mjeshtër dhe mekanik me nam. Mirëpo, më së shumti ka punuar me atë “traktorin” e famshëm dhe duke e përfunduar punën e tij me mjete më moderne të ndërtimtarisë. Puna dhe aktiviteti i tij ka mbetur përgjithmonë në kujtesën e shumë qytetarëve të Ulqinit, por edhe te shumë prej atyre të cilët kanë ardhur për të ndërtuar shtëpitë në hapësirën ndërmjet Ulqinit dhe Tivarit. Shumë prej tyre e kanë angazhuar Çylin për t’ua sjellë materialin ndërtimor. Sipas rrëfimeve të tyre, por edhe të vetë Çylit, nuk ka vend ku nuk ka depërtuar traktori e më vonë kamionat e tij.
Traktori i tij, të cilin e ka pasur së bashku me shokun e tij Joko Vukçeviqin, ka qenë traktori i parë në Komunën e Ulqinit. Ai ka qenë i bereqetshëm dhe deri vonë ka shërbyer te një person që e ka blerë nga Çyli. Me këtë traktor kanë punuar për një kohë të gjatë së bashku me Jokon, kurse më vonë kanë blerë një traktor tjetër dhe kanë punuar secili për vete. Edhe sot e kësaj dite Çyli ka miqësi të madhe me pasardhësit e Jokos, të cilën e ruajnë dhe e kultivojnë.
Prej një traktori të përdorur që kishte në fillim, Çyli arriti më vonë të bëhet pronar i shumë automjeteve transportuese duke krijuar një park të makinerive, përfshirë traktorë, kamionë të ndryshëm, eskavatorë si dhe një gurore të vogël, duke punësuar edhe punëtorë.
Shikuar nga distanca e sotme kohore dhe duke analizuar punën dhe idetë e Çylit, them se është dashur të keni kurajo të madhe për t’i bërë dhe arritur të gjitha këto. Më kujtohet se ai shpesh ka dalë nga shtëpia në orën 5 të mëngjesit dhe është kthyer në shtëpi natën.
“Çdo dinar e kam fituar me djersë të ballit dhe me shumë mund”, shprehet Çyli.
Asnjë shofer në kohën e tij nuk ka mundur të shkojë në vendet e vështira dhe të rrezikshme ku ka shkuar Çyli me traktor dhe kamion.
“Kam pasur shumë fitesë, sepse është ndërtuar në çdo pëllëmbë ndërmjet Ulqinit dhe Tivarit, kurse unë e kam bërë punën me nder”, shprehet ai.
Më punën e tij Çyli ka bërë një kapital të madh. Megjithatë, ai nuk lavdërohet kurrë për këtë. Çyli ka qenë dhe ka mbetur një njeri tepër modest dhe i rrallë. Puna e tij e ka bërë të njohur duke krijuar shumë lidhje miqësore me njerëz nga tërë territori i Komunës së Ulqinit dhe më gjerë. “Tek disa shkoj në vizita, por edhe më vijnë, në veçanti për gëzime familjare dhe festa”, shprehet ai.
Çyli rrallë tregon se sa shumë ka dhënë për t’i ndihmuar ata që kanë pasur nevojë. Kontributi i tij është shumë i madh edhe për disa çështje të tjera, si në infrastrukturë dhe më gjerë. Nuk dëshiron të përmendë asgjë, por ne të tjerët e dimë se sa ka kontribuar. Unë si vëllai më i vogël nuk e harroj kurrë mbështetjen e tij për shkollimin tim, më vonë edhe për blerjen e sanallit.
Shpesh rrimë bashkë dhe i them se sikur të kishte vazhduar shkollimin, sot kishte pasur veç një pension të vogël, por jo hotele dhe gjëra të tjera. Edhe sot në moshën 80-vjeçare ai është mbështetës i fuqishëm i biznesit familjar, të cilin tani e menaxhon djali i tij Hasan – Cani Karamanaga. Çyli ka qenë gjithmonë punëtor i cili nuk është frikësuar kurrë nga puna. Me këshillat e tij është është shembull i mirë për të gjithë. Ai është një burrë në kuptimin e plotë të fjalës, një figurë markante e qytetit tonë, baba, gjysh dhe padyshim një vëlla shembullor. Shumë herë gjatë ditës ulet në Ranë dhe pi kafe në vendin e tij në hotelin ”Plaza”, pronar i të cilit është djali i tij. Edhe unë e shoqëroj shpeshherë. Është i vetmuar, pavarësisht se ende është në gjendje të mirë psiko-fizike dhe ka kujdesin e gjithë familjes. I mungon shumë bashkëshortja Valdetja. Kur flet për të, ka emocione të mëdha.
Për ta përfunduar këtë portret dedikuar vëllait tim të dashur, duhet të theksohet se edhe djali i tij Cani është shumë mirënjohës ndaj babait të tij Çylit. Cani është i edukuar që nga fëmijëria që të punojë, të fitojë, por çdo gjë me nder dhe hallall. Prandaj, angazhimi dhe menaxhimi i tyre, i babait dhe i djalit, me përkrahjen dhe ndihmën e bashkëshortes së Canit – Jasminës, kanë bërë që pasuria e tyre të rritet për çdo ditë e më shumë. Cani tashmë është një afarist i njohur në Komunën e Ulqinit, posedon një pasuri të konsiderueshme, ka tre hotele si edhe disa objekte të tjera në fazën e ndërtimit. Ka një familje të shëndoshë dhe të edukuar.
Në fund edhe diçka për znj. Valdete, “nusen” tonë të dashur. Sipas mendimit tim, për të gjitha arritjet meritë të veçantë ka edhe kjo zonjë, e cila nuk jeton më, por e cila me punën dhe veprën e saj ka dhënë një kontribut të veçantë, duke përkrahur dhe ndihmuar Çylin në punën e tij. Padyshim që ajo ishte shtylla kryesore e familjes së Çylit. Ajo ishte një zonjë e rrallë, e cila nuk është lodhur kurrë. Të gjithë ne jemi dëshmitarë dhe mirënjohës, dhe te të gjithë ne mungesa e saj ka lënë zbrazëti të madhe. Në veçanti unë i jam asaj mirënjohës pasi që ajo ishte shtylla kryesore dhe ndihmë e madhe për nënën time derisa unë isha më i ri dhe i pamartuar.
Inshallah shpirti i saj është në Xhenet!
Shembull i punës dhe pasurisë
së ndershme
Traktori i tij, të cilin e ka pasur së bashku me shokun e tij Joko Vukçeviqin, ka qenë traktori i parë në Komunën e Ulqinit… Prej një traktori të përdorur që kishte në fillim, Çyli arriti më vonë të bëhet pronar i shumë automjeteve transportuese duke krijuar një park të makinerive, përfshirë traktorë, kamionë të ndryshëm, eskavatorë si dhe një gurore të vogël, duke punësuar edhe punëtorë