Albert Bikaj, është një i ri, intelektual nga Malësia, i cili, që në vitet e hershme të fëmijërisë kishte spikatur si nxënës i dalluar e me ambicie për të mësuar, apo më mirë thënë, për t’u dalluar nga të tjerët për mësimnxënie.
Albertin, sukseset dhe rezultatet e lakmueshme e kanë ndjekur nga viti në vit, edhe në shkollën e mesme, ku ka qenë i angazhuar nëpër grupe letrare të shkollës dhe në aktivitete të tjera që janë organizuar. Mirëpo, me të mbaruar të shkollës së mesme, me sukses të shkëlqyer, Bikaj vendos të që ta vazhdojë shkollimin e mëtejshëm, ku përcaktohet për të studiuar Shkencat Politike në Podgoricë.
Pas përfundimit të studimeve bazë, Bikaj nuk kënaqet me aq. Ai sërish shpreh dëshirë që të zgjerojë njohuritë dhe vizionin e tij si një i ri i cili besonte te vetja, se një ditë do të mund ta afirmojë dhe plotësojë ëndrrën e tij, për t’u bërë njeri intelektual me vizion të hapur, e që më pas, njohuritë e tij t’i vërë në shërbim të shoqërisë.
Ai në vitin 2021, mbaroi studimet pasdiplomike në Universitetin e Zagrebit me temën: “Diskursi kombëtar i humanistëve arbën në shekujt 15 dhe 16”, me të cilën merr titullin Magjistër në Histori.
Për Albertin, sikurse për çdo të ri, rrugëtimi në studime, nuk ka qenë i lehtë, përkundrazi me shumë peripeci dhe sfida. Megjithatë, me vendosmëri, këmbëngulje, sakrificë dhe vizion të qartë për të arritur pikësynimin e parashtruar, ai i sfidoi “barrierat” që ka çdo student dhe sot, shquhet në shoqëri si një djalë mendjendritur, iluminist dhe me potencial e perspektivë të ndritur.
Z. Bikaj, në një bisedë për gazetën “Koha Javore”, tregon më tepër rreth rrugëtimit të tij të shkollimit dhe mbi angazhimin dhe kontributin e tij në shumë sfera të jetës.
Ai ndër vështirësitë më të mëdha gjatë studimeve radhit barrierën gjuhësore.
“Ky besoj se ka qenë problem edhe për shumë studentë shqiptarë të gjeneratës sime të cilët nuk janë arsimuar në gjuhën malazeze. Kjo pasi deri vonë mungonin tekstet mësimore të gjuhës malazeze si gjuhë joamtare” thotë Bikaj.
Më tutje gjatë këtij bashkëbisedimi u ndalëm te teza me të cilën Alberti magjistroi në vitin 2021, e cila shqyrton veprat e autorëve humanistë të Rilindjes Evropiane, origjinën, krijimin dhe evolucionin e diskursit kombëtar në Evropë, me fokus të veçantë te Arbëria.
“Duhet theksuar se risi e këtij kërkimi është metodologjia e përdorur në analizën e diskursit kombëtar të humanistëve në kontekstin tonë. Nga ana tjetër, tema bazohet në teorinë e nacionalizmit e cila sfidon teoritë dhe historiografinë moderniste të nacionalizmit të cilat e paraqesin këtë të fundit si fenomen modern.
”Në punimin tim pasqyroj teorinë e re në fjalë, të bazuar në burime mesjetare, përkatësisht shkrimet e humanistëve italianë, gjermanë dhe francezë, të cilët konsiderohen si etërit themelues të diskursit kombëtar. Më pas trajtoj shkurtimisht historinë e komunitetit arbër në Venecia, ndërsa fokus kryesor është analiza e diskursit dhe idesë kombëtare të humanistëve arbër si Dimitër Franko, Marin Barleti dhe Marin Beçikemi” shprehet ai.
I pyetur për kontributin e hershëm që Alberti dha me të hyrë në politikë pas mbarimit të studimeve, ai tregon se angazhimi i tij ka qenë, nëpërmjet shkrimeve, analizave, shtjellimit të ideve politike, e më vonë edhe me angazhimet e ndryshme organizative të fushatave zgjedhore, deri te punimi i manifesteve politike brenda dhe jashtë Malit të Zi.
Në këndvështrimin e tij si person që ka qenë edhe bashkautor dhe autor i manifestit të dy partive politike, njërës në Shqipëri e tjetrës në Tuz, thotë se demokracia dhe kultura politike, jo vetëm në Mal të Zi por edhe në të gjithë Ballkanin, është ende e pazhvilluar dhe kjo për arsye të ndryshme, qofshin historike apo ekonomike.
“Mund të thuhet lirshëm se në Ballkan, që mbas viteve ‘90 dominon njëfarë “pragmatizmi” apo shpërfillje sa u takon ideologjive politike. Përveç simbolikave formale, është shumë e vështirë të gjesh parti politike ballkanase e cila ka qartësi parimore ideologjike, madje një pjesë e madhe nuk kanë as manifest politik zyrtar. Ky, deri diku, është pasqyrim edhe i shoqërisë. Temat dhe dilemat mbi vlerat shoqërore apo ideologjike, përjashto ato simbolike, nuk duket se përbëjnë shumë interes – ndryshe nga vendet tjera të Evropës Perëndimore ku trajtohen seriozisht në çdo nivel. Mungon stimulimi, vullneti, organizimi dhe debatet mbi tema të rëndësishme shoqërore. Por sidoqoftë, kohëve të fundit mund të vërehen ndryshime pozitive shpresëdhënëse”, thotë ai.
Ndërkaq, z. Bikaj si njëri nga themeluesit dhe ish-kryeredaktor i revistës kulturore Kallnori.org, tregon se çfarë ka pasur si mision ky portal, për plotë 7 vjet sa ka qenë aktiv dhe pse e kishte të pamundur të mbijetojë.
“Me entuziazmin studentor, themelimi i Kallnori.org, në bashkëpunim me Mark Lucgjonaj, ka pasur si qëllim promovimin e nivelit të përmbajtjes dhe estetikës artistike. Mbi të gjitha, promovimi i letërsisë së mirë, qoftë vendase apo e huaj. Si fillim fokusi ka qenë lokal, por për çudi, shumica dërmuese e lexueseve ishin nga trevat e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, e diasporës, kështu që portali brenda një muaji tejkaloji pritshmërinë personale”, tregon Bikaj.
Ndërkaq, angazhimet e shumta të tij dhe mungesa e bashkëpunimit në menaxhim të portalit në fjalë, e kanë pamundësuar funksionimin e kësaj reviste.
Në të njëjtën kohë, me Albertin vijuam këtë intervistë duke u ndalur rreth angazhimit të tij si kolumnist në media të ndryshme, ku shkrimet e tij janë botuar në revista të shquara rajonale dhe ndërkombëtare në gjuhën shqipe, kroate, angleze, franceze, italiane, holandeze dhe sllovake. Tematikat që ai ka pasqyruar kanë qenë të ndryshme, si: recensione, analiza politike, vështrime kritike, historike e në raste të veçanta edhe teologjike.
“Kam filluar të shkruaj artikuj para rreth 10 vjetëve, fillimisht në blogje dhe portale lokale, më vonë edhe për media më të mëdha në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në mes tjerash, kam shkruar për prestigjiozen “The European Conservative” me seli ne Vjenë, në blogun e Universitetit “Ludovika” në Budapest, dhe në revistën prestigjioze amerikane “New Liturgical Movement”, thotë Bikaj.
I riu i talentuar dhe i angazhuar në shumë fusha të jetës shoqërore, në vitin 2021 u emërua nënkryetar i Rinisë Konservatore të Evropës (Conservative Youth of Europe) dhe studiues dhe kolumnist i think tankut britanik Orthodox Conservative Group, i cili flet rreth kësaj organizate.
“Organizatat në fjalë karakterizohen nga filozofia politike konservatore e traditës britanike, e cila ka si synim promovimin dhe mbrojtjen e vlerave morale dhe intelektuale të qytetërimit perëndimor. Në mënyrë të veçantë te think tanku britanik promovojmë mendimin e filozofit të shquar Roger Scruton dhe nga ky prizëm trajtojmë tema dhe sfida të ndryshme shoqërore, kulturore, politike dhe ekonomike. Që nga viti 2022 jam emëruar studiues mbi temat që kanë të bëjmë me filozofinë politike dhe religjionin. Vlen te theksohet se think tanku në fjalë, ndonëse është i pavarur, bashkëpunon me profesorë të shquar universitarë, deputetë të partisë Konservatore britanike, me think tanke si The Bow Group, etj”, rrëfen Bikaj.
Ai duke treguar shkurtimisht mbi konservatorizmin, ndryshe nga ajo që pandehet, thotë se të jesh konservator (në kontekstin evropian) nuk do të thotë të jesh radikal që refuzon progresin. “Përkundrazi është skepticizëm ndaj radikalizmit dhe projekteve utopike të cilat premtojnë progres, por historikisht sollën kaos, vrasje masive dhe tirani (si p.sh. revolucioni borgjez francez, komunizmi, nazi-fashizmi, etj.). Në vend të utopisë, konservatori parapëlqen realizmin. Pranon se natyra njerëzore është e papërsosur dhe se e vetmja zgjedhje për njeriun është maturia dhe kultivimi i virtyteve kardinale – mbi të cilat është ndërtuar qytetërimi ynë”, sqaron ai.
Z. Bikaj, merret edhe me redaktimin e librave, por edhe me përkthime.
Ka përkthyer në shqip poezi, artikuj, dhe librin: “Nevoja për Kombe” të Roger Scruton (2022). Në vështrimin e tij prej përkthyesi, ai tregon mbi rëndësinë që ka përkthimi i veprave letrare nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, në njohjen dhe afrimin e kombeve.
“Sipas mendimit tim modest, përkthimi mbi të gjitha është transmetim, përshtatje dhe kultivim idesh. Umberto Eco thoshte se përkthimi është formë komunikimi, madje e quante ‘Gjuha e Evropës’. Duke lexuar veprat e huaja, sidomos klasikët, të cilat për një kohë të gjatë i kanë munguar lexuesit shqiptar, mësojmë të kuptojmë jo vetëm një traditë letrare, filozofike; historinë apo kulturën e një kombi ose qytetërimi, por vetë natyrën e njeriut – e cila transmetohet me karakteristikat e veta nga perspektiva të ndryshme kulturore. Letërsia, sidomos ajo e përkthyer, na çliron horizontin për të kuptuar më mirë tjetrin dhe vetveten”, thotë Bikaj.
Në vështrimin e tij si i angazhuar në jetën politike dhe si historian dhe përkthyes, i pyetur se si e shikon zhvillimin e të rinjve dhe të rejave në Malësi, ai thotë se rinia në Malësi ka përparuar në aspekte të ndryshme, ku shquhet numri i madh i të rinjve që arsimohen.
“Në mënyrë të veçantë vërehet zhvillimi i sportit. Fakt i cili duhet të na bëjë krenarë të gjithëve. Besoj se mund të flitet për avancim të rinisë në aspekte të ndryshme, mbase jo në nivel që do duhej të ishte – organizimet dhe aktivitetet e shumta ende mungojnë – por duke pasur parasysh kontekstin e proceseve historike është bërë hap i madh, por që nuk duhet ndalur vetëm me kaq” shprehet Bikaj.
Z. Bikaj kohën e lirë e shfrytëzon duke lexuar dhe përkthyer.
“Para pak ditësh kam përfunduar përkthimin e një vepre klasike moderne të filozofit Isaiah Berlin e cila besoj se do botohet përgjatë këtij viti”.
Në fund të këtij bashkëbisedimi, ai përcjell këtë mesazh për gjeneratën e re dhe për të gjithë ata që aspirojnë që të ngriten në shoqëri e të japin kontribut.
“Mesazhi im është që, të mos kënaqen me mediokritet, por të synojnë profesionalizëm, si dhe të mos kenë frikë nga dështimi apo paragjykimet kur bëhet fjalë për realizimin e ëndrrave apo ideve të caktuara. Fillimet janë përherë të vështira, por ia vlen barra qiranë”, porosit Bikaj.
t. u.