Mëngjesi i 20 dhjetorit i vitit të kaluar zbardhi me lajm mortor për ndarjen e papritur nga jeta të Katrinë Toni Gjuravçajt, mësuese, mësimdhënëse, edukatore e pedagoge e zellshme – emër i përveçëm, figurë domethënëse, femër avangarde e emancipimit, kulturës dhe dijes e arsimit shqip në Mal të Zi – intelektualja e parë e Trieshit të Malësisë së Madhe. U nda fizikisht nga jeta, në moshën 74-vjeçare, por jo dhe nga kujtesa e familjes, të afërmeve të saj, ish-nxënësve, kolegëve, bashkëveprimtarëve, banorëve të Trieshit të Malësisë, shoqeve, shokëve nga shkollimi i mesëm e studimet – nga Kraja, Ulqini, Kosova e njëkohësisht dhe miqve e intelektualëve të shumtë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e diaspora.
Katrina lindi në Triesh të Malësisë së Madhe. Rrjedh nga një familje tipike malësore, ku gjithmonë çmohej e vlerësohej nderi, burrëria, mikpritja, urtia, bujaria e ndërkohë jo më pak libri, shkolla e dija. Në këtë vatër familjare, në këtë frymë, me këto tradita lindën, u edukuan, u rritën, u arsimuan e vepruan gjatë tërë jetës nëntë trashëgues, shtatë djem e dy vajza, të prindërve arsimdashës Tonit e Lenës Gjuravçaj, që me të drejtë shtypi i kohës i quajti prindër intelektualësh.
Pas mbarimit të tetëvjeçares në vendlindje me sukses shembullor, Katrina duhej të vendoste a të vazhdojë shkollimin?! Para prindërve ishte një sfidë e siklet i
rëndë. Sfidë, sepse rrethanat e kohës nuk shkonin në favor të shkollimit e arsimimit të femrës-vajzave malësore e sidomos për ta vazhduar shkollimin diku larg vendbanimit – e ku tjetër, por në Kosovë. Po, atëherë, Kosova për shkollarët e studentët malësorë ishte shumë larg.
Katrinës, Zoti i kishte falur bukuri të veçantë, vajzë e mençur e hijshme, vajzë pedante e zellshme dhe shumë e shkathtë.
- Kësaj nuk i nevojitet shkolla! Mund ta gjejë fatin edhe pa shkollë! – flisnin bashkëvendësit.
Pëlqimi për arsimimin e mëtejmë varej ekskluzivisht nga prindërit. Ndërkaq, shumë më parë arsimi në këtë familje arsimdashëse kishte trokitur në derë, ku disa nga vëllezërit e Katrinës kishin krijuar profilin e intelektualëve dhe kështu më në fund mbizotëron arsyeja që edhe bija e motra e tyre ta vazhdojë rrugëtimin – udhën e shkollimit. Regjistrohet në Shkollën Normale ”Zenel Hajdini” në Ferizaj. Fillon rrugën e progresit. Me shembullin e saj hapet perspektiva e brezave të rinj, në veçanti e vajzave shqiptare të Malësisë së Madhe, për ta vijuar arsimimin që deri atëherë ishte tabu, dukuri e rrallë për ta thyer konservatorizmin dhe fanatizmin shumëshekullor. Katrina gjithnjë është përpjekur të ushtrojë influencë pozitive ndaj gjeneratave të reja, posaçërisht te gjinia femërore që ta duan shkollën dhe mos t’i largohen arsimimit e kulturës.
Gjuravçaj i takon brezit të tretë të maturantëve të Normales së Ferizajit. Pas pesë vite shkollimi, kur dhe diplomon me sukses të shkëlqyeshëm për mësuese, ajo kthehet në vendlindje dhe kështu në Triesh del mësuesja – intelektualja e parë.
Në fillim të viteve të shtatëdhjeta punësohet në Shkollën ”Gjergj Kastrioti -Skënderbeu” në Triesh. Karrierën pedagogjike e fillon si arsimtare në ciklin e lartë, sepse vend të lirë për mësuese nuk kishte. Ndërkohë vazhdoi studimet e larta për të siguruar vendin e punës. U regjistrua në Akademinë Pedagogjike/ Fakultetin Pedagogjik ”Kliment Ohridski”, Universiteti ”Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku dhe diplomoi në degën e gjuhëve të huaja – jo pse ishte edhe aq e pasionuar për t’i studiuar këto lëndë, sepse në zemër i flinte më tepër gjuha dhe letërsia shqipe, por duhej siguruar vendin e punës. Këto lëndë deri me diplomimin e saj i ligjëronin arsimtarët jo shqipfolës.
Punoi në shkollën e vendlindjes plot 40 vjet, duke qenë gjithnjë në krye të organeve profesionale të institucionit. Madje edhe vdekja e gjeti anëtare e Këshillit të Shkollës ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” si përfaqësuese e Ministrisë për Arsim, Shkencë e Inovacion.
Nga biografia e pasur e saj citojmë: “Katrina përfaqëson femrën avangarde të emancipimit, kulturës dhe të dijes. Është edukatore e shkëlqyer dhe zonjë e qytetëruar që rrezatonte me mirësi e buzëqeshje, miqësi, dashuri, karakter të fortë e respekt. Profili i saj gjatë tërë karrierës u bë ikonë e ndritur e arsimit, figurë tërheqëse dhe frymëzuese. Ajo nuk ishte transmetuese e njohurive, por udhërrëfyese e përkushtuar për t’i formuar drejt e mirë brezat e ardhshëm. Për secilin nxënës ishte një nënë – mike e vërtetë, gjithmonë e gatshme për t’i ndihmuar në vështirësi, për t’i inkurajuar kur ishte e nevojshme për të zhvilluar tek ata aftësitë sociale e emocionale”.
Gjatë gjithë viteve të shërbimit në shkollën e vendlindjes, deri në vitin 2018 kur dhe pensionohet, me përkushtim e zell të veçantë arriti rezultate të larta në mësimdhënie. Ishte model i arsimtares, pedagoge fort e nderuar, shumë e dashur, udhëheqëse frymëzuese dhe një prindër zëvendësuese për nxënës, duke lënë mbresa të pashlyera e ndikim të thellë në zemrat dhe mendjet e brezave që ka edukuar.
Krahas punës pedagogjike ajo ishte edhe veprimtare e shume aktiviteteve shoqërore të kohës në nivel komunal, madje dhe republikan. Të rinjtë dhe të rejat e Malësisë gjatë trajnimeve paraushtarake të të rinjve jashtëshkollorë në Verushë, gjatë viteve të tetëdhjeta, gjithnjë e kujtuan me pietet dhe kurrë nuk e harruan rolin e edukatores Katrinë.
Për të gjitha këto më së miri dëshmon edhe përcjellja madhështore e saj drejt banesës së fundit gjatë dy ditëve në Funeralin ”Malësia”, ku krahas qytetarëve të shumtë të Malësisë dhe të viseve tjera shqiptare erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Për t’i dhënë nderim koleges së dashur kishte ardhur në mënyrë të organizuar edhe stafi drejtues, kolektivi i Shkollës Nëntëvjeçare ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, ku nxënësit në kolonë i dhanë nderimin Mësueses së Vendlindjes, duke ia lulëzuar kufomën me karajfile shumëngjyrëshe, kush duke i falë edhe ndonjë rrjedhë loti përzier me buzëqeshje të lehtë që mund të dalë vetëm nga shpirti i pastër fëmijëror.
Për t’i dhënë nderim kishin ardhur edhe përfaqësuesit e intelektualëve, veprimtarë me emër nga Kraja e Ulqini, në mesin e të cilëve edhe veprimtari, kryetar nderi i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, profesori e albanologu Mehmet Bardhi, i cili evokoi në retrospektivë kujtimet e shoqërimit gjatë pesë viteve të Katrinës me shoqet e shokët nga Kraja e Ulqini në Shkollën Normale dhe në konviktin e nxënësve të shkollave të mesme në Ferizaj. Ai duke vlerësuar lart figurën e saj dhe duke shprehur respekt e mirënjohje, në fund u shpreh:
– Lamtumirë, të qoftë dheu i lehtë dhe faleminderit Katrinë – motra jonë malësore!
Shkuarjen në amshim të Katrinës e kujtoi i mbarë komuniteti, si në vend ashtu edhe në diasporë: ish-nxënësit, kolegët, bashkëpunëtorët, miqtë, dashamirët e arsimit përmes rrjeteve sociale, postës elektronike, telefonatave e telegrameve, duke vlerësuar lart mësimdhënësen e edukatoren me aq respekt, dashuri, sinqeritet, fjalë falënderimi, prekëse, të ëmbla, emocione që merr përmasa të një mësueseje populli.
Kortezhi i përmortshëm nga mbarë Malësia e përcolli kufomën e mësueses deri në banesën e fundit në varrezat familjare në Budzë të Trieshit.
Donika Lulgjuraj